1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania kandidon për në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së

Mirjam Gehrke / Vilma Filaj-Ballvora12 Nëntor 2012

Krahas Gjermanisë edhe SHBA, Irlanda, Greqia dhe Suedia duan të zgjidhen si pjesë e grupit perëndimor në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e njeriut. Gjermania ka shanse të mira, sipas ekspertëve.

https://p.dw.com/p/16gqe
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deri në fund të këtij viti Gjermania bën pjesë si anëtare jo e përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pavarësisht kësaj qeveria gjermane synon që edhe pas këtij rotacioni të vazhdojë të vlerësohet si një partnere e rëndësishme. Për këtë qëllim Berlini kandidon për anëtarësim në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2013 - 2015. "Gjermania është e gatshme të marrë sërish përgjegjësi dhe të bashkëkontribuojë në punën e këshillit. Mbrojtja e të drejtave të njeriut është një prioritet thelbësor i politikës së jashtme gjermane", thekson një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme për DW. "Kjo është arsyeja përse ne kandidojmë sërish për periudhën 2013 - 2015 për të qenë anëtar në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut."

Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle gjatë javës së kaluar udhëtoi në SHBA enkas për këtë qëllim, për të promovuar kërkesën e Gjerermanisë në OKB. Të drejtat e njeriut janë për qeverinë federale "jo një çështje rutinë e ditës, por ne duam të jemi aktiv për vendosjen e urave të komunikimit. Për ne është e rëndësishme, që të flasim hapur për këtë temë", tha ministri përpara të ftuarve në shtëpinë gjermane në Nju Jork.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 24.09.2012
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 24.09.2012Fotografi: Reuters

Gjermania ka argumenta të forta

Gjermania në të kaluarën në kontekstin e OKB-së është "angazhuar shumë konkretisht për të drejtat e njeriut", konfirmon drejtorja e Institutit gjerman për të Drejtat e Njeriut, Beate Rudolf, në intervistë për DW. "Në Këshillin e Sigurimit Gjermania është angazhuar për mbrojtjen e fëmijëve ushtarë. Gjithashtu Gjermania është angazhuar veçanërisht për të drejtën e banimit dhe të drejtën për ujë e kushte higjenosanitare." Në këtë kontekst Beate Rudolf sheh se ka "argumenta të forta për zgjedhjen e Gjermanisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut."

Republika Federale e Gjermanisë kandidon në të ashtuquajturin "grupi perëndimor". Meqënëse sipas rotacionit largohen nga ky forum Belgjika, Norvegjia dhe SHBA tre nga gjithsej nëntë vende janë vakant. Bashkëkonkurrentë janë sërish SHBA si dhe Suedia, Irlanda dhe Greqia. Nisur nga fakti që SHBA i ka të mira shanset për t'u rizgjedhur në sfondin e rizgjedhjes së presidentit Barack Obama, i cili është mjaft miqësor ndaj OKB-së, shanset e Gjermanisë në garë janë pesëdhjetë me pesëdhjetë përqind.

Zgjedhje rotacioni

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në vitin 2006 zëvendësoi Komisionin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe konsiderohet si një forum me më shumë aftësi vendimmarrjeje. Të 47 anëtarët e këshillit zgjidhen me votim të fshehtë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. "Grupi perëndimor", që numëron shtatë anëtarë është më ndër më të vegjlit i pasuar prej grupit të Evropës Lindore me gjashtë anëtarë. Afrika dhe Azia janë të përfaqësuara në këshill me përkatësisht nga trembëdhjetë anëtarë dhe Amerika Latine dhe Karaibet me tetë. Gjermania u antarësua për herë të parë në 2009, tre vjet pas themelimit të këshillit.

Me kandidaturën e tanishme Gjermania, nëse do të dalë me sukses në zgjedhje, "angazhohet për përforcimin e rolit drejtues të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në mbrojtjen mbarëbotërore të të drejtave të njeriut." Gjermania është e gatshme, që "bashkë me vendet e tjera të marrë përsipër përgjegjësinë për zgjerimin e detyrave të Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe për thellimin e bashkëpunimeve ndër-rajonale për këtë qëllim", thuhet në aplikimin e Gjermanisë.