1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania ka nevojë për më shumë infermierë

Sabine Kinkartz/Lindita Arapi26 Gusht 2014

Gjermanisë në plakje e sipër i duhet fuqi punëtore për kujdesin ndaj të moshuarve. Me këtë situatë përballen edhe vende të tjera europiane. Tani po rekrutohet me plan fuqi e kualifikuar nga Vietnami.

https://p.dw.com/p/1D1CH
Infermierë nga Vietnami
Infermierë nga VietnamiFotografi: imago/epd

Matje e sheqerit në gjak, veshje e getave me kompresion, shpërndarja e ilaçeve - për Mai Nguyen Thi Quynh kjo është një rutinë e përditshme. Prej 11 muajsh 24 vjeçarja po kualifikohet si infermiere për kujdesin ndaj të moshuarve në Shtutgart. Paralelisht ajo mëson gjermanisht, sepse për shkollimin ajo ka ardhur qëllimisht nga Vietnami në Gjermani. "Periudha e parë nuk ishte e lehtë në Gjermani, sepse çdo gjë ishte e re", kujton Mai që nuk kuptonte dhe fliste mirë gjermanisht. "Kisha shumë mall dhe ndjehesha e vetmuar."

Man Nguyen Thi Quynh është pjesë e një grupi prej qindra vietnamezësh që kanë ardhur përmes një projekti pilot vitin e kaluar në Gjermani të organizuar nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) dhe Agjencia Gjermane e Punës. Vietnami është një vend me popullsi të re, 60% e popullsisë kanë lindur pas vitit 1975. Rrogat janë të ulta dhe kush shkollohet në sistemin shëndetësor e ka të vështirë të gjejë punë. Kështu që kërkesës gjermane iu përgjigjën mijëra vietnamezë.

Në fund u përzgjodhën ata vietnamezë që ishin shkolluar në shëndetësi, të cilët ndoqën fillimisht një kurs intensiv gjuhe në Hanoi bashkë me një kurs interkulturor që zgjati një gjysmë viti.

Infermierë nga Vietnami
Infermierë nga Vietnami - interesi i dyanshëmFotografi: picture-alliance/dpa

Një rrugë e re - një proces mësimi

Drejtuesja e projektit Reinhild Renee Ernst nga GIZ shpjegon se megjithatë këto përgatitje nuk mjaftuan. "Askush nga grupi nuk kishte ndonjëherë në Gjermani, shumica nuk ishin larguar kurrë nga Vietnami. "Pra e gjitha një rrugë e re dhe një proces i ri mësimor, megjithëse shumica kishin njohuri profesionale. Në kursin pasues me disa qindra vietnamezë të tjerë, është vendosur që kursi i gjuhës të zgjasë një vit për të përmirësuar nivelin e gjermanishtes deri në B2 që nënkupton që kursantët të flasin mirë gjermanisht në fund të tij.

Nga kultura e mirëseardhjes tek e ajo e qëndrimit

Jochen Mager nga Qendra e të Moshuarve në Pfostenvaldle bën një bilanc pozitiv. Ky projekt ka efekt sipas tij. "Ne po bëjmë çdo gjë që të zhvillojmë një kulturë të re për të mbajtur këtu për të ardhurit."

Aktualisht nxënësit po përgatiten për provimet, por një vit kalon shpejt. "Ne e shohim qe tani, që kemi fuqi shumë të mirë punëtore, të cilët ne duam t'i mbajmë edhe pas provimeve në qendrën tonë.", thotë Mager.

Vietnanmezët pas përgatitjes në Hanoi u shpërndanë në qendra të ndryshme në Gjermani. Tetë prej ytre erdhën në Qendrën e të Moshuarve në Pfostenvaldle. Një pikë uji në oqean - krahasuar me nevojën që ka qyteti i Shtutgartit. Por Jochen Mager pas kësaj përvoje të mirë do të marrë vetë në dorë rekrutimin e fuqisë punëtore nga Vietnami.

Ushqimi i të moshuarve
Ndihma e domosdoshmeFotografi: imago/Rainer Unkel

Imigrimi nuk mjafton

"Ndodhemi në rrugën e duhur, kemi hedhur hapin e parë dhe dua ta theksoj se ky është një hap për të ftuar të rinj vietnamezë në Gjermani. Megjithëse ka shanse të zgjerimit të bashkëpunimit, Jochen Mager thekson se "nuk mund t'i zgjidhim të gjitha problemet që kemi vetëm me vietnamezët, kinezët apo spanjollët."

Profesioni i infermierit për të moshuarit në Gjermani llogaritet ndër profesionet ku ka shumë nevojë për fuqi punëtore. Sipas ekspertëve numri i moshuarve që do të kenë nevojë për kujdes të specializuar nga 2,3 milionë vetë tani do të rritet deri në vitin 2030 në 3,4 milionë vetë. Nëse kjo situatë nuk ndryshon në Gjermani do të mungojnë rreth 150.000 infermierë të kualifikuar për trajtimin ndaj të moshuarve. Në vitin 2030 mund të ketë rreth gjysmë milioni vende vakante.

Profesioni duhet të bëhet me atraktiv

Anna Koniecko-Sippel nga Kryqi i Kuq i landit të Bavarisë e shikon me skepticizëm të ardhmen. Prej vitesh po rekrutohet fuqi punëtore nga jashtë po gjendja nuk ka ndryshua. "Kemi infermierë për të moshuarit nga Polonia, Kroacia, Vietnami, Bosnja, po nuk mjafton." Edhe një fushatë arsimimi nuk ka sjellë rezultat. Sippel e shpjegon këtë me mungesën e atraktivitetit për këtë profesion. Infermierët paguhen keq, nuk gëzojnë ndonjë reputacion dhe vlerësim në shoqëri.

Nga ana tjetër ky profesion është shumë i vështirë dhe kërkon përgatitje. Kjo gjendje duhet të ndryshojë urgjentisht, paralajmëron edhe Dennis Ostwald nga Instituti ekonomik WifOR. "Po qe se ne nuk arrijmë dot të kudjesemi për të moshuarit tanë, sepse na mungon fuqia punëtore atëherë kjo ka ndikim në shumë sektorë të tjerë." Edhe atje mungon fuqia punëtore. "Çfarë do të ndodhë nëse të punësuarit kërkojnë një kontratë me 32 orë pune në javë, sepse pjesën tjetër kujdesen për prindërit?", pyet eksperti. Tema e kujdesit për të moshuarit ndodhet në fillim të një debati të madh shoqëror.