1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e ndalon marrjen e borxheve

Kay-Alexander Scholz2 Korrik 2014

Tani është zyrtare: qeveria gjermane planifikon që prej vitit të ardhshëm të mos marrë më borxhe të reja. Ministri gjerman i Financave, Schäuble theksoi sa e rëndësishme është "shifra zero" për besimin ndaj Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/1CUmZ
Fotografi: Fotolia

"Ne e mbajtëm fjalën!" Kjo ishte edhe shprehja më emocionale që tha ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, në prezantimin e planifikimit financiar deri në vitin 2018. Kjo në një kohë kur ishin ndoshta perspektiva historike, ato që prezantoi ai: Gjermania synon që vitin e ardhshëm të mos marrë më borxhe të reja. Dhe kjo duhet të mbetet e tillë edhe në vitet në vazhdim. Me këtë, Schäuble, plani i të cilit u miratua më parë në kabinetin qeveritar gjerman, synon një të ashtuquajtur "zero të zezë".

Schäuble kujtoi që federatës, si pasojë e krizës së euros, iu desh të merrte në vitin 2010 86 miliardë euro borxhe të reja, por që kishte premtuar që atëherë se do ta ulte deficitin dhe do ta conte në zero marrjen e kredive. Me pak fat për shkak të interesave bankare të ulëta dhe me një zhvillim të mirë ekonomik, por edhe me shkathtësi, ky synim u arrit brenda më pak se katër vjetësh. Meqenëse në tregjet financiare dhe në ekonomi luan shumë rol psikologjia, shifra zero ka edhe për këtë arsye rëndësi, tha Schäuble.

Wolfgang Schäuble
Wolfgang SchäubleFotografi: picture-alliance/dpa

Prej vitit 2016 sërish hapësira veprimi

Përsa i përket politikës financiare, qeveria aktuale dhe ajo pararendëse, në vitet e kaluara i kanë mbajtur fort të shtrënguara frerët e taksave. Prej vitit 2010, shpenzimet nuk janë rritur, e shpjegoi Schäuble këtë "koncept pamjaftueshmërie". Edhe në vitin 2015 gjendja do të mbetet njëherë për njëherë e tillë. Vetëm prej vitit 2016, po të shtohen të ardhurat do të ketë sërish hapësira për shpenzime të reja.

Deri në vitin 2018, të ardhurat dhe shpenzimet do të rriten në 327 miliardë euro. Por duhet ruajtur masa edhe në të ardhmen, sepse ndryshimi demografik është një sfidë pë sigurinë sociale dhe për standardin e jetesës.

Nëse Gjermania është me këtë model për Evropën, e pyetën Schäublen. Ai tha se shpreson që jo, sepse vetëm përmbajtja ndaj rregullave nuk të bën model. Megjithatë në Evropë nuk është e vetëkuptueshme që ta bësh atë, për të cilën është rënë dakord, tha Schäuble.

Kuota e borxheve e federatës është aktualisht rreth 77 përqind, po deri në vitin 2018 do të ulet nën 70 përqind, tha Schäuble. Brenda rreth dhjetë vjetësh, kjo kuotë do të ulet sërish nën 60 përqind, dhe do t'i përgjigjet kritereve të Mastrihtit, për të cilat është rënë dakord në BE.