1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: nevojë urgjente për kujdestarë për të moshuarit

Anna Peters / Eliana Xhani1 Janar 2014

Gjermania ka nevojë për më shumë punonjës të kualifikuar në kujdesin për të moshuarit. Projekti në Offenbach synon të tërheqë migrante për këtë profesion, duke përfshirë kursin e gjermanishtes dhe kujdestari intensive.

https://p.dw.com/p/1AiVC
Altenpflege polnische Pfegerinnen
Fotografi: GKT Service/Carework

Dhjetë vjetë ajo ka i ka shërbyer vetëm familjes së saj. Pastaj Asma Hadhri donte të bënte diçka për veten, në mes të të tridhjetave donte të mësonte një profesion të ri dhe të punonte. Kështu kërkoi një mundësi dhe takoi Narges Yelaghin. Ajo drejton në Offenbach të Hessenit projektin "Fillim i ri në profesionin e kujdesit për të moshuarit" (shkurt BeA). Një projekt që synon të tërheqë migrante për kualifikim në kujdesin për të moshuarit. Gra si Hadhri, të cilat kërkojnë të rihyjnë në tregun e punës në moshëm 30 deri 40 vjeçare.

Shumë pak vende stazhi si kujdestar për të moshuarit

Ekipi i Narges Yelaghit këshillon, shoqëron dhe ndërmjetëson imigrante, të cilat interesohen për profesionin e kujdestarit për të moshuarit. "Fillimisht zhvillohen të paktën dy biseda individuale. Gjatë tyre unë shoh se çfarë cilësish sjellin gratë me vete dhe i informoj për kushtet e nevojshme për këtë profesion". Pasi kapërcehet pengesa e parë si rregull pason një praktikë. Gjatë saj gratë mund të provojnë nëse puna bën për to. Edhe Asma Hadhri nga Tunizia kreu një praktikë të tillë. Ditët e para ishin të vështira për 35-vjeçaren e cila në atdheun e saj kishte studiuar letërsi franceze. "Ditën e parë nuk e kisha idenë se çfarë duhej të bëja dhe si", kujton ajo. Veç kësaj gjithçka ishte e huaj, ekipi, banorët, puna. Por nga dita në ditë punët shkuan më mirë dhe në fund aq mirë sa Hadhri mori një vend stazhi si kujdestare për të moshuarit.

Altenpflegerinnen aus Bosnien in Deutschland
Kujdestare nga Bosnja në GjermaniFotografi: DW/B. Fazlagic-Sestic

Hadhri është një nga 19 gratë që kanë gjetur një vend kualifikimi në kujdesin për të moshuarit përmes projektit të Offenbach-ut. Për Yelaghin ky është një sukses edhe pse ajo do të donte të ndërmjetësonte më shumë migrante në kurse kualifikimi. Por në këtë fushë vendet e stazhit janë të rralla i ka treguar përvoja e saj, megjithëse fuqia punëtore në kujdesin për të moshuarit është urgjentisht e nevojshme përballë shoqërisë në plakje të Gjermanisë. Aktualisht në Gjermani 2,4 milionë njerëz kanë nevojë për përkujdesje, sipas vlerësimeve në 2030 ky numër do të jetë 3,4 milionë vetë. Ekspertët presin që deri atëherë të nevojiten më shumë se 100.000 punëtorë të kualifikuar shtesë. Aktualisht sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave rreth 950.000 vetë punojnë në kujdesin për të moshuarit.

Migrantët kërkohen si punonjës të kualifikuar në shëndetësi

Migrantet nuk kërkohen vetëm në Offenbach si fuqi e kualifikuar punëtore. Në të gjithë Gjermaninë ka projekte të tilla model, të cilat synojnë të tërheqin imigrantët në profesione në sektorin e shëndetësisë. Një projekt i tillë është edhe "E ardhmja e kujdesit është me ngjyra", një projekt i organizatës humanitare Caritas në ipeshkvinë e Këlnit. Përgjegjësit e projektit kërkojnë para së gjithash në shkolla për fuqi të re punëtore.

Serena Cerra është koordinatore e projektit në qarkun Mettmann pranë Dyseldorfit. Ajo shpjegon përse kërkohen pikërisht migrantët në sektorin e shëndetësisë: "Njerëzit që kanë nevojë për përkujdesje me kalimin e kohës po bëhen gjithnjë e më të përzier". Kjo do të thotë se në Gjermani jetojnë gjithnjë e më shumë të moshuar me rrënjë të huaja, për të cilët duhet ofruar përkujdesje në shtëpi apo azile për të moshuarit. Pra nevojitet edhe fuqi punëtore e specializuar që i përgjigjet nevojave speciale të imigrantëve të moshuar apo që mund të flasë me ta në gjuhën e tyre. Profesioni i kujdestarit për të moshuarit vërtet nuk është i lehtë, pranon Cerra, por: "Kemi të bëjmë me një profesion që ofron shumë siguri për të ardhmen."

Asma Hadhri përfundon në 2014 kualifikimin si kujdestare për të moshuarit. Deri atëherë i duhet të mësojë ende shumë. Pjesë e kualifikimit është edhe ndjekja e një shkolle profesionale. Atje Hadhri dhe gra të tjera duhet të mësojnë në gjermanisht gjithçka për trupin e njeriut si dhe sjelljen e duhur me personat që kanë nevojë për kujdes. Kjo nuk është e lehtë pasi shumë prej tyre e zotërojnë shumë pak gjermanishten. Për këtë arsye ofrohen edhe kurse gjuhe.

Altenpflegerinnen aus Bosnien in Deutschland
Fotografi: DW/B. Fazlagic-Sestic

Sfida - gërshetimi i punës me familjen

Krahas gjuhës gjermane për shumë gra që marrin pjesë në projekt problem është edhe koordinimi i familjes me profesionin. "Këtu gratë edhe gjatë periudhës së kualifikimit duhet ta fillojnë punën që në orën 6. Por sa vende kujdestarie për fëmijë 5 deri 6 vjeç ka në Offenbach? Shumë pak", thotë Yelaghi.

Një problem të cilin e njeh edhe Aida Halilovic, nënë e dy djemve të vegjël. Asaj i duhet ta fillojë punën që në 5:30. Që të t'ia dalë mbanë ka nevojë për ndihmën e prindërve të vet. "Gjyshërit e fëmijëve kujdesen me radhë për fëmijët. Dhe ndihmojnë edhe në punët e shtëpisë", thotë ajo. Me pak planifikim e gjitha funksionin si duhet. Ashtu si për Asma Hadhrin edhe për Alida Halilovicin kjo është puna e parë qëkurse jeton në Gjermani. Në Serbi ka punuar si kuzhiniere, pastaj erdhën fëmijët. Që atëherë puna i ka munguar shumë: "Unë nuk mund të rri gjithë ditën në shtëpi." Me stazhin që ka gjetur nëpërmjet projektit të Offenbach-ut është e lumtur. Në veçanti puna me të moshuarit i jep shumë 35-vjeçares: "Ata janë aq mirënjohës dhe kjo vjen nga zemra. Është një ndjenjë e bukur."