1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Gjendje alarmante në disa sektorë

SC/wl (afp, SZ-online)6 Maj 2014

Sipërmarrjet gjermane u kanë rënë këmbanave të alarmit: mungesa e kuadrove të mira në teknikë dhe shkenca natyrore mund të ketë pasoja të rënda. Ekonomia gjermane mbështetë një fushatë në mesin e studentëve të huaj.

https://p.dw.com/p/1BuOg
Studentë nga India në rrugë për Gjermani.
Studentë nga India në rrugë për Gjermani.Fotografi: picture-alliance/dpa

Përshkrimi i situatës është shumë konkret: Në ekonominë gjermane mungojnë aktualisht rreth 50.000 ekspertë të matematikës, informatikës, shkencave natyrore dhe teknikës (në të ashtuquajturin MINT). Nevojat e ardhshme nuk do të mund të mbulohen vetëm me studentë nga Gjermania. Ndaj shkollat e larta dhe punëdhënësit duan që me një aksion propagandistik të përfitojnë studentë nga vendet e jashtme që të vijnë në Gjermani, shkruan gazeta "Süddeutsche Zeitung" (SZ).

Forumi kombëtar gjerman i MINT, i përbërë nga ekonomia dhe shkenca, do të mbajë të enjten një kongres në Berlin, ku federata dhe landet e Gjermanisë do të mbështesin ardhjen e studentëve të kualifikuar nga mbarë bota.

Studentë të huaj në Hamburg.
Studentë të huaj në Hamburg.Fotografi: picture-alliance/dpa

"Mirëqenja e tërë vendit është në pikëpyetje", citohet të ketë deklaruar në apelin e saj dramatik, Ellen Walther-Klaus, koordinatore e Forumit MINT.

Vetëm 25 % të studentëve të huaj mbeten në Gjermani

Forumi parashikon një fushatë të fuqishme në gjithë vendin. Të dhënat do të bëhen publike edhe në një portal online. Për ata që duan të vazhdojnë studimet në Gjermani do të ketë edhe një bursë. Është i mundshëm edhe krijimi i një fondi nga mjetet financiare të shtetit dhe nga ato private.

Nga universitetet do të kërkohet që të përmirësojnë kujdesin ndaj këtyre grupeve, shkruan gazeta SZ. Kongresi do të mbështesë Qendrat për Publik Ndërkombëtar dhe krijimin e një kampi për fuqizimin e politikës "mirë se ardhëse". Ekspertët kujtojnë edhe një studim, sipas së cilit vetëm një e katërta e studentëve të huaj mbeten në Gjermani pas përfundimit të studimeve. Autoritetet gjermane tani duhet të gjejnë rrugë për ndryshimin e këtyre praktikave.