1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijët e braktisur të Evropës Lindore

Medana Weident/Angjelina Verbica16 Prill 2014

Çfarë ndodh me fëmijët e punëtorëve migrantë, që mbeten vetëm në shtëpi? Filmi artistik "Matei - një fëmijë minatori" sjell në ekranin e kinemasë fatin e një djali të vetmuar nga Rumania.

https://p.dw.com/p/1BjY8
Pamje nga filmi "Matei - një fëmijë minatori"
Pamje nga filmi "Matei - një fëmijë minatori"Fotografi: Reinhold Vorschneider

Gjatë punës për një film dokumentar regjisorja Aleksandra Gulea njohu një djalë nëntëvjeçar, i cili kishte ikur nga shtëpia. Ai ishte djali i një minatori nga lugina Jiu në Karpatet rumune. Alexandra Gulea, e lindur vetë në Rumani, e ka ndjekur fatin e tij për vite me rradhë dhe ka mbajtur kontakt me djaloshin. Ai përfundoi në një jetimore, pastaj përsëri në shtëpi, më vonë në një shtëpi për aftësi të kufizuara, dhe në spital. Sot ai është 18 vjeç dhe jeton në Itali. "Përmes syve të tij, unë kam parë botën e një fëmije të vetmuar në të gjitha aspektet", thotë regjisorja, e cila tani jeton mes Rumanisë, Gjermanisë, Francës dhe ka studiuar në Bukuresht, Paris dhe Mynih.

Takimi me këtë djalë e ka frymëzuar për filmin e saj "Matei - një fëmijë minatori" (rumanisht: "Matei Copil Miner"), që pati premierën e tij në Gjermani në festivalin ndërkombëtar të filmit të grave në Këln. Festivali është më i vjetri në nivel ndërkombëtar, që fokusohet në plan të parë në punën e kineasteve femra dhe festivali i vetëm i filmit nga gratë në Gjermani.

Regjisorja Alexandra Gulea
Regjisorja Alexandra GuleaFotografi: Bertrand Buffeteau

Autorja dhe regjisorja shtron pyetjen, se si ndihen fëmijët, që lihen vetëm nga prindërit në vendlindje, në rastin më të mirë me gjyshërit, por shpesh vetëm nën mbikëqyrjen e fqinjëve. Në media këta fëmijë shpesh quhen "eurojetimë". Kjo situatë e vështirë në Rumani dhe vende të tjera të ish-bllokut lindor krijohet, për shkak se prindërve u duhet të fitojnë para jashtë vendit. Sepse në atdhe në shumë rajone ka pak vende pune sidomos aty, ku gjurmët e komunizmit janë ende të qarta, në pjesë të tëra të vendit, ku në vend të zonave të vjetra industriale dominojnë papunësia dhe varfëria. Edhe në Luginën Jiu në Rumani njerëzit, që dikur jetonin nga miniera, kanë humbur vendet e punës për shkak të mbylljes së shumë minierave.

Vetëm me gjyshin

Matei, protagonisti i filmit, jeton në lagjen minatore Uricari tek gjyshi, pasi prindërit kanë shkuar në Itali. Njëmbëdhjetëvjeçari është një vëzhgues i pasionuar i natyrës, i drurëve frutorë, për të cilët kujdeset me dashuri gjyshi, dhe i insekteve, që ai i mbledh me vëmendje dhe i studjon. Ndërmjet tij dhe gjyshit të tij krijohet një marrëdhënie e veçantë, por që pëson një thyerje, kur Matei dëbohet nga shkolla. Eshtë një shkollë, ku sistemi autoritar arsimor i komunizmit është akoma i pranishëm dhe ku fëmijët dënohen shumë rëndë, në qoftë se nuk u nënshtrohen rregullave. Kësaj i shtohet fakti, që edhe gjyshi preferon këtë stil edukimi dhe përpiqet me dhunë, që ta sjellë djalin në rrugë të mbarë.

Film Matei - ein Bergmannskind EINSCHRÄNKUNG
Fotografi: Nicu Ilfoveanu

Matei largohet nga shtëpia dhe bashkohet me një klasë, e cila udhëton për në Bukuresht. Aty ai i plotëson vetes një ëndërr dhe hyn në muzeun e historisë së natyrës. Kur ai kthehet, gjyshi është duke vdekur.

Fatin e protagonistit të këtij bashkëprodhimi rumuno-gjermano-francez e kanë shumë fëmijë në Rumani dhe vende të tjera të Evropës Lindore. Mesatarisht shumica e prindërve mungojnë në Moldavi. Sipas Bankës Botërore të paktën një e katërta e popullsisë atje punon jashtë vendit. Alexandra Gulea ka vendosur të mos punojë me një kameraman rumun: "Kam kërkuar një vështrim të ri, dikë që nuk e njeh realitetin rumun, madje që e viziton vendin për herë të parë", thotë regjizorja, e cila ka punuar për këtë film me kameramanin gjerman Reinhold Vorschneider.

"Për fëmijët ky është normaliteti"

Filmi të impresionin me imazhe të fuqishme, me historinë prekëse të djalit dhe me kontrastet e pazakonta. Shpatet idilike të maleve, kopshti i mbajtur me dru frutorë dhe fasadat e shkërmoqura të shtëpive, karakterstikë e këtij qyteti të rrënuar, dëshmitarë të një regjimi komunist dhjetëravjeçar. Nga njëra anë sundon varfëria dhe papunësia, nga ana tjetër janë të dukshme simbolet e kapitalizmit. Për shembull markat e rrobave, që u sjellin fëmijëve prindërit nga perëndimi, apo një kuti me logon e një prodhuesi të njohur çokollatash. Në udhëtimin për në Bukuresht në të Matei merr me vete një zog të plagosur, të cilin e varros atje në lumin Dambovita.

Pamje nga filmi
Pamje nga filmiFotografi: Reinhold Vorschneider

Historia e Mateit rrëfehet pa sentimentalitet. Aktori i talentuar Alexandru Czuli vjen vetë nga lugina rumune Jiu dhe ky është për të roli i parë. Ai ka fat që prindërit e tij nuk punojnë jashtë, gjë që në këtë rajon është më se e zakonshme. Por ai e njeh problemin nga shumë bashkëmoshatarë të tij, tregon Alexandra Gulea. Edhe prindërit e dy djemve, që luajnë në film shokët e protagonistit, punojnë në Evropën Perëndimore. "Për fëmijët kjo është tani normale", thotë autorja dhe regjisorja e "Matei - një fëmijë minatori". Dhe ata ndoshta nuk janë fëmijët e fundit, të cilëve u duhet të rriten pa prindër.