1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futbollistja që ktheu lotët në gola

30 Tetor 2011

"Kam qarë pas ndeshjes së parë, por tani ditët e vështira kaluan dhe e ndiej veten pjesë të ekipit TuS Rodenbach." – Futbollistja Aurora Seranaj po jeton një pjesë të ëndërrës në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1320V
Aurora SeranajFotografi: TuS Rodenbach

Futbolli i femrave në Shqipëri ka qenë një tabu deri 5 vite më parë, atëherë kur u krijua ekipi i Tirana AS. Pas këtij momenti era e ndryshimit filloi dhe të gjitha vajzat, të cilat kishin ëndërr të luanin në fushat e blerta hoqën këpucët me taka, veshën ato me thumba dhe filluan të vrapojnë e të bëjnë gola. Një nga ato vajza ishte edhe 28 vjeçarja Aurora Seranaj.

Aurora ose "Ronaldinjo", kështu e thërrisnin vajzat e ekipit të Tiranës, ishte vetëm 6 vjeç kur ka parë ndeshjen e saj të parë të futbollit. "E mbaj mend si sot. Babai ishte tifoz i Partizanit dhe gjatë ndeshjes më hidhte përpjetë nga gëzimi sepse skuadra e tij fitoi. Që nga ky moment më lindi edhe pasioni për futbollin."

Pasioni për futbollin

Këpucët e futbollit numër 42 të babait të saj ishin edhe këpucët e para që do të luante në moshën 7 vjeçare me djemtë e lagjes. Në ato vite një ekip futbolli femrash as nuk mund të imagjinohej, ndaj për tre vjet nga mosha 11 deri 14 vjeç Aurora luan me ekipin e fëmijëve DEA-s. "Aventura" e saj e maskuar si djalë nuk mund të vazhdonte më gjatë, për shkak se nuk mund të fshihte feminilitetin e saj. "Për të qendruar në sport, më pas u mora me atletikë, ku fitova edhe dy medalje ari në Kampionatin Kombëtar për të Rinj me ekipin e Dinamos në tre hapsh dhe 100 m."

Ndërkohë pasioni për futbollin vazhdonte dhe do të vinte momenti kur Genc Ymeraj themeluesi i Tirana AS do t'i jepte një mundësi për t'u bërë pjesë e ekipit. Oferta u pranua menjëherë dhe gjatë 5 viteve tek Tirana AS "Ronaldinjo" është shpallur si lojtarja më e mirë e vitit 2010, ka fituar Kampionatin e parë Kombëtar të Futbollit për Femra dhe një Kupë Shqipërie. "Ishte një tabu, që ne e thyem, ishim ekipi i parë, por tani gjërat kanë përparuar, ndaj them se edhe futbolli shqiptar do arrijë nivele të larta." Aurora mban gjithashtu edhe firmën e golit të parë në ndeshjen dhe fitoren e parë të kombëtares shqiptare të femrave në verën e vitit 2011 në përballjen kundër Maqedonisë.

Fußballerin Aurora Seranaj
Fotografi: TuS Rodenbach

Mbërritja në Gjermani

Mesfushorja me tipare sulmuese, ashtu si Ronaldinjo i vërtetë, pas pak vitesh të luajtura në Shqipëri dëshironte të luante në një vend tjetër me një traditë më të vjetër në futbollin e femrave. Dhe mundësia erdhi! Ana Baro, shoqja e ekipit tek Tirana AS, kishte kontaktuar me ekipin gjerman TuS Rodenbach dhe i bën ftesë edhe Aurorës. Që prej Gushtit 2011 ato janë pjesë e ekipit TuS Rodenbach, i cili është një ekip i kategorisë së tretë në Gjermani, por me pretendime për t'u ngjitur një kategori më lart, pas përforcimit me dy vajzat shqiptare.

"Pas ndeshjes së parë kam qarë. Vetëm vrapoja në fushë. Nuk dija ku të shkoja, kisha shumë emocione, sikur po luaja për herë të parë futboll. Në krahasim me Shqipërinë është pak vështirë, sepse futbolli në Gjermani është më i ashpër. Loja është më luftarake. Nëse në Shqipëri mund të shkoja nga porta në portë me topin në këmbë këtu e kam të pamundur. Ekipet kundërshtare janë më të vështitra, por me stërvitje çdo gjë arrihet."

Në kërkim të ëndrrës

"Lola", kështu e thërrasin vajzat e ekipit të TuS Rodenbach, në kërkim të ëndërrës së saj ka braktisur gjërat më të rëndësishmë që kishte në Tiranë: Familjen dhe një punë të mirë. Ajo tregon për Deutsche Welle se e ka pasur mjaft të vështirë ambjentimin në ditët e para, por falë ndihmës së vajzave të ekipit, trajnerit dhe presidentit të klubit, tashmë ditët e vështira kanë kaluar dhe ndihet më e qetë.

"Shoqet më kanë pritur shumë mirë, në fillim qe pak e vështirë sepse ishte problemi i gjuhës. Komunikoj në anglisht, sepse nuk flas gjermanisht. Për gjuhën gjermane kam filluar një kurs, por është e vështirë. Neuwied-i është një qyetezë e qetë, ndaj më mungon gjallëria e Tiranës, por në radhë të parë më mungon familja dhe vajzat e ekipit Tirana AS." Pas këtyre fjalëve në sytë e saj duket një perde lotësh dhe nuk është ajo Aurora sypatrembur që vrapon drejt portës kundërshtare pa frikë, por menjëherë ajo e mbledh veten dhe vazhdon rrëfimin e saj.

Fußballerin Aurora Seranaj
Fotografi: TuS Rodenbach

Ambjentimi dhe synimi për ekipet e kategorisë së parë

Ndeshjet e para kanë qenë më shumë ndeshje ambjentimi për të, ndërsa në katër ndeshjet e fundit ka shënuar 4 gola, kjo falë edhe pasave që i kanë dhënë shoqet e ekipit. "Ëndrra më ka kapur në një moshë pak të madhe, se po të isha më e vogël, mund të kisha më shumë pretendime, por tani e quaj veten të pjekur në lojë dhe kam disa synime. Them se në një farë mënyre ëndrra është realizuar, të paktën nuk do të më mbetet peng që nuk munda të luaja futboll të vertetë në një skuadër jashtë Shqipërisë."

Synimi i Aurorës është që të luajë në një ekip akoma më të madh se TuS Rodenbach dhe ka një shembull që kërkon ta ndjeke, është pikërisht futbollistja e talentuar shqiptare që luan për kombëtaren gjermane Fatmire Bajramaj.

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora