1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Einsatz am Hindukusch

9 Gusht 2011

Kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit Urbach-u ishte ushtar në një kezermë gjermane. Më vonë ai shkoi të shërbente në Hindukush duke vënë jetën në rrezik.

https://p.dw.com/p/121Mo
Fritz UrbachFotografi: DW

Fritz Urbach është 52 vjeçar, i martuar dhe ka tre fëmijë. Që nga viti 1997 ai është ushtar i Bundeswehr-it (suhtria gjermane). Ditën e 11 shtatorit 2001 ai ishte duke bërë shërbim në një kazermë në Koblenc. Sulmet i përjetoi si shumë të tjerë nëpërmjet televizionit.

Nju Jork, Kabul, Feisabad

«Nuk isha i sigurt në ishin pamje të vërteta, apo jo. Dukeshin surrealiste. Ishin të papërfytyrueshme». Nuk kaloi shumë kohë derisa iu desh të kuptonte se atentatet do të kishin pasoja edhe për të personalisht. Shtyllat e tymosura të World Trade Center të djegura ende çanin qiellin e Nju Jorkut, kur u bë e qartë se për herë të parë në historinë e NATO-s ndodhi rasti i detyrimit për solidaritet me një vend aleat të sulmuar. Edhe Bundeswehr-i, me vendim të parlamentit, do të merrte pjesë disa muaj më pas në misionin ndërkombëtar të Afganistanit për stabilizimin e vendit, në Hindukush. Fritz Urbach asokohe u përfshi në planifikimet e komandos udhëheqëse të këmbësorisë. Detyra e tij ishte organizimi dhe tarjnimi i kontingjentit të parë gjerman me mision në kryeqytetin afgan Kabul.

Tora Bora
Tora Bora, më 13.12.2001 SHBA bombardojnë në rajonin Tora Bora në Lindje të Afganistanit. Luftëtarët e fiseve , sipas të dhënave të tyre e kanë dëbuar organizatën e El Kaidës nga malet e Tora Borës.Fotografi: dpa

Të fala nga Tora Bora

Në fund të 2001-shit Urbach-u merr pjesë në një stërvitje të NATO-s në Turqi. Misioni i Afganistanit është edhe këtu tema kryesore bisedës ndërmjet aleatëve. Urbach-u kujton «bishtat e avullimit të bombarduesit B52 që fluturonte në drejtim të Afganistanit për të bombarduar Tora Borën.» E nisi ta kaplonte një ndjenjë ogurzezë: «Edhe ne jemi këtu. Kjo nuk ishte diçka abstrakte, por diçka që mund të prekej me dorë.»

Për Fritz Urbach-un mungesat e gjata në familje bëhen të zakonshme. Në vitet e ardhshme oficeri do të shkojë shpesh në Afganistan. Hera e parë ishte në vjeshtën e vitit 2003. «Fëmijët atëherë ishin më të vegjël dhe ime shoqe e dinte që në fillim se herët a vonë unë do të shkoja me shërbim jashtë shtetit.» Nga familja ai merr mbështetjen që i duhet për të përballuar përgjegjësinë: «Ime shoqe vjen nga një familje ushtarakësh, ajo e di se cili është çmimi i të qenit ushtarak.»

Vdekje në Feisabad

Që çmimi është i lartë, nganjëherë tepër i lartë, Friz Urbach-u këtë do ta përjetojë gjithmonë e më shpesh në vitet e ardhshme, si drejtues i Ekipit të Rindërtimit (PRT) në Feisabad, në veri të Afganistanit. Në prill 2010 vriten tre ushtarë të tij në detyrë. Urbach-u vetë ua kishte dhënë urdhrin për të shkuar në misionin vdekjeprurës. «Unë isha përgjegjës për burrat, për të afërmit e tyre, për lajmërimin, për përkujdesjen shpirtërore e gjithçka tjetër. Paraardhësi im më kishte njohur me ta para misionit ku ranë. E kur bie dikush nga familja, kjo është diçka e rëndë.»

10 Jahre nach 11. September Oberst Urbach Afghanistan
10 vjet pas 11 shtatorit 2011, Fritz Urbach në AfganistanFotografi: Privat

Me dhjetëra herë ka shkuar Urbach-u në Afganistan dhe ka përjetuar kështu nga afër se ç'do të thotë ta kesh jetën në rrezik. E kërcënimi ndaj ushtarëve në terren sa shkonte e rritej: «Kur filloi misioni ynë i parë në Afganistan në vitin 2002, gjendja e sigurisë ishte relativisht e qëndrueshme dhe e qetë. Por me kalimin e kohës e kuptuam se nuk ishte ashtu dhe se kërcënimi mund të prekej me dorë.» Keqësimi i gjendjes së sigurisë nuk ndodhi brenda natës, thotë koloneli. Por kohët e fundit ka pasur vazhdimisht incidente që i kujtonin 11 shtatorin dhe fillesën e misionit të Afganistanit.

Fytyra e shëmtuar e islamizmit

Kështu, në shtator 2010, duke marrë shkak nga një djegie që iu bë kuranit në SHBA u bë një demonstratë para kampit gjerman në Feisabad. Urbach-u e ka situatën parasysh: «Na qëlluan me gurë dhe për të qetësuar gjendjen policia afgane, e cila kishte ardhur për ndihmë, qëlloi në ajër». Gjatë një negociate me përfaqësues të demonstruesve, Urbach-u takon disa burra, që i kujtojnë atentatorët e 11 shtatorit. «Për mendimin tim këta të gjithë ishin fundamentalistë të rinj fanatikë. Nga pamja, nga mënyra se si argumentonin, ata mund të ishin nga ata që mund të drejtonin aeroplanin për një sulm terrorist: E njëjta grupmoshë, argumentet e njëjta, të mbyllur ndaj çdo mendimi tjetër.»

Afghanistan Deutschland Bundeswehr Guttenberg in Feldlager Faisabad
Kampi i kontigjentit gjerman në Feisabad. 15 prill 2010 ministri i Mbrojtjes Karl Theodor zu Guteneberg takohet me Komandantin e kampit Fritz UrbachFotografi: AP

Fritz Urbach është një ushtar që mendon politikisht. Përvoja e tij e gjatë në Afganistan i ka mësuar që t'i ulë pretendimet. Kjo vlen edhe për qëllimin fillestar të misionit ushtarak ndërkombëtar në Hindukush. «Në fakt ideja me të cilën erdhëm ne këtu në vitin 2002 ishte që këtë vend ta merrnim për dore dhe ta drejtonim kah demokracia. Sipas botëkuptimit tonë, aty bëjnë pjesë të drejtat e njeriut, barazia e grave. Përvoja e hidhur na ka mësuar që të ndahemi prej tyre.» E megjithatë koloneli ka besim që Afganistani në një të ardhme të afërt do të kujdeset vetë për sigurinë e tij, aq sa të mos lejojë më që aty të strehohen terroristë si atentatorët e 11 shtatorit. «Kur ta kemi arritur këtë, atëherë ne do t'i lëmë vetëm afganët.»

Autor: Daniel Scheschkewitz / Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora