1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frika e Erdoganit nga humbja e votave

Thomas Seibert11 Maj 2015

Më 7 qershor në Turqi zgjidhet parlamenti i ri. Partia në pushtet, AKP rrezikohet nga humbjet. Prandaj presidenti Erdogan u bie daulleve të joshjes së elektoratit për AKP-në, dhe injoron kësisoj rregullat kushtetuese.

https://p.dw.com/p/1FNnU
Deutschland Türkei Recep Erdogan in Karlsruhe
Erdogan flet në KarlsruhrFotografi: picture-alliance/dpa/R. Wittek

Deri më tani partia AKP e themeluar në vitin 2001 gjithmonë ka kryesuar në zgjedhjet parlamentare. Pasi në vitin 2002 asaj i mjaftuan rreth 34 përqind të votave për shumicën absolute të vendeve në parlament dhe si rrjedhojë mandatin për qeverisje, në 2007 ajo e rriti kuotën në 46 përqind dhe në vitin 2011 madje arriti të marrë pothuajse 50 përqind të votave. Kësaj radhe situata mund të ndryshojë. Sondazhet parashikojnë për partinë konservatore islamike, edhe pse ajo sërish është shumë më përpara e konkurrencës, vetëm rreth 40 deri në 45 përqind.

Në shikim të parë, kjo është një parti që është për më shumë se dymbëdhjetë vjet në pushtet, një rezultat për t'u krenuar. Por në radhët e AKP-së nuk ndihet aspak fryma për të festuar. Sepse 61-vjeçarit Erdogan, që edhe pas marrjes së postit të presidentit ka mbetur figura kyçe në parti dhe në qeveri, nuk i mjafton vetëm fitorja. Ai do të marrë një shumicë prej të paktën 330 prej 550 deputetëve në parlamentin e ri. Gjithashtu ai dëshiron ndryshimet kushtetuese drejt një sistemi presidencial - me veten e tij në krye, natyrisht. Por AKP aktualisht është larg këtij objektivi. Edhe me rezultatin e saj më të mirë të vitit 2011 ajo arriti të marrë vetëm 326 vende.

Erdogan mësyn sërish në beteja

Përveç tendencës në rënie që parashikojnë sondazhet për AKP-në, ajo ka edhe një problem tjetër: Në rast se partia kurde HDP e kapërcen pragun e përfaqësimit në parlament prej 10 përqind, atëherë mund të rrezikohet shumica absolute e AKP-së në parlament. E gjitha kjo e ka nxitur presidentin të mësyjë përsëri në betejën zgjedhore. Më shumë se 30 manifestime elektorale do të promovojë Erdgani deri në ditën e zgjedhjeve. Këtë maratonë ai e nisi në dielën (10.05.)në Karlsruhe në Gjermani për të joshur votuesit turq në emigracion.

Opozita sheh te sjellja e Erdoganit një shkelje të qartë të rregullave të përcaktuara nga kushtetuta për postin e presidentit. Ai duhet të qëndrojë jashtë politikës së ditës dhe nuk lejohet të jetë anëtar i një partie politike.'

"Unë nuk do të qendroj i mënjanuar"

Megjithatë, Erdogan sfidon parimin e neutralitetit. Presidenti është një luftëtar i shkëlqyer dhe sposton anash kryetarin AKP-së dhe kryeministrin Ahmet Davutoglu si dhe praninë e tij. Duke pasur parasysh rëndësinë e zgjedhjeve të qershorit askush të mos presë "që unë do të jem i mënjanuar", tha të premten (08.05)Erdogan.

Kështu Erdogan e shkel hapur Kushtetutën, thotë gazetari Yavuz Baydar në një intervistë për DW. Baydar konstaton prej disa javësh tek Erdogan dhe AKP "shenja të dukshme të panikut." Partia në pushtet ka humbur votues dhe deri tani nuk ka gjetur recetën e duhur. Ndër të tjera, gjendja ekonomike luan një rol. Në muajt e fundit rritja ekonomike është dobësuar dhe papunësia është rritur.

Pakënaqësi në lidhje me sjelljen e Erdoganit

Nëse mundet Erdogani ta ndalë këtë tendencë, kjo është e pasigurt. Edhe në kampin e simpatizantëve të AKP-së ka një farë pakënaqësie në lidhje me mospërfilljen nga Erdogani të rregullave të presidencës, thotë gazetari Semih Idiz, në një intervistë për DW. "Mund të thuash, se ndoshta ky është një shijim paraprak i sistemit presidencial, në qoftë se Erdogani mund ta bëjë atë që ai dëshiron." Ndoshta votuesit konservatorë të AKP-së prandaj kanë kaluar tek partia nacionaliste MHP ("Partia e Lëvizjes Nacionaliste") apo edhe tek partitë e vogla islamike e ato të krahut të djathtë nacionalist.

Sipas disa parashikimeve elektorale AKP mund të detyrohet pas zgjedhjeve për të hyrë në koalicion ose në bashkëpunim me partitë e tjera në parlament. Kjo vlen veçanërisht në qoftëse HDP arrin të hyjë në parlament. Ndaj një objektiv kryesor elektoral i AKP është mbajtja e partisë kurde nën dhjetë përqind: Erdogani për këtë qëllim po mban një numër të madh fjalimesh në gjuhën kurde në Lindje të Anadollit.

Deutschland Türkei Recep Erdogan in Karlsruhe
Erdogan në Karlsruhe më 10.05.2015Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck