1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frikë nga efekti domino i Athinës

Christoph Hasselbach30 Janar 2015

Shumë qeveri në Evropën veriore kanë frikë se fitorja e Syriza në Greqi mund të shkaktojë një valë anti-kursimesh në vende të tjera. Në këtë rast është në rrezik e gjithë politika evropiane e kursimeve.

https://p.dw.com/p/1ETGC
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Zgjedhja e Aleksis Tsipras në Greqi është për shumë qeveri evropiane një aksident dhe madje mjaft i rëndë. Në zgjedhjet e kaluara, në vitin 2012, kur hyri Syriza, udhëheqës evropianë me orientime politike të ndryshme, si kancelarja kristiandemokrate gjermane Angela Merkel, presidenti francez socialist François Hollande dhe ish-kryeministri italian i pa parti Mario Monti patën paralajmëruar nga Syriza.

Si Hollande ashtu edhe Monti qenë revoltuar me politikën evropiane të konsolidimit, që e perceptonin si diktat gjerman kursimi dhe mund ta kishin patur të lehtë që ta shikonin Tsipras si aleat. Por Tsipras u dukej atyre së pari shumë radikal. Dhe së dyti Franca dhe Italia janë gjithashtu kreditorë të Greqisë. Të dy vendet, ashtu si huadhënësit e tjerë, kanë frikë se Greqia nuk do t'ua paguajë borxhet. "Zotimet që bëhen, duhet tani edhe të respektohen", bëri të qartë edhe një herë Hollande pas zgjedhjeve në Greqi.

Por Tsipras bëri të ditur menjëherë se do t'i japë fund politikës së kursimeve dhe jo vetëm se do t'i ndërpresë reformat, por edhe do t'i kthejë ato mbrapsht. Megjithatë Janis Emmanouilidis, njohës i Greqisë nga instituti studimor i Brukselit European Policy Centre, beson se “ekziston hapësirë për një kompromis."Fillimi i gabuar" i qeverisë së re do të "çojë në konkluzionin se disa gjëra shkojnë shumë larg." Dhe me gjithë mohimet nga Berlini dhe Brukseli shumë politikanë mund ta imagjinojnë një farë lehtësimi të borxhit për Athinën.

Tsipras dhe zëvendësi i tij Kammenos
Tsipras dhe zëvendësi i tij KammenosFotografi: AFP/Getty Images/L. Pitarakis

Nëse mbetet apo jo marrëveshja bazë: kredi në këmbim të kursimeve dhe reformimeve, do të varet nga ato, që mund të ofrojë Syriza", thotë Emmanoulidis. Nëse Tsipras për shembull mund të ofrojë diçka lidhur me oligarkët, apo në luftën kundër evazionit fiskal", që shkon përtej asaj që kanë ofruar, apo zbatuar paraardhësit e tij", mund të ketë në fund një kompromis.

Shumëkush e ndjen se i ka ardhur dita

Por nuk është fjala vetëm për Greqinë. Ajo që i shqetëson vendet e orientuara drejt stabilitetit si Gjermania, është përfytyrimi i një valë proteste mbarëevropiane, që mund ta hidhte poshtë konsensusin e deritanishëm të arritur me mundim në politikën fiskale. Për shembull në Spanjë partia e re e majtë Podemos (Ne mundemi) shpreson tani për një fitore në zgjedhjet parlamentare në vjeshtë. Sipas sondazheve Podemos ndodhet momentalisht pak para partisë popullore në pushtet dhe socialistëve. Në Portugali po formohet ndërkohë një lëvizje sipas modelit të Syriza. Italia dhe Franca, të dyja me qeveri socialiste, e kanë miratuar me gjysëm zemre kursin e deritanishëm dhe janë përpjekur vazhdimisht t'i shmangen reformave. Mund të "marrin si pretekst zgjedhjet greke, për të arritur kompromise në lidhje me kursimin”, mendon Emmanouilidis.

Qeveria e re greke tregon simpati për politikën e Rusisë
Qeveria e re greke tregon simpati për politikën e RusisëFotografi: picture-alliance/Bildagentur-online

Por konsensusi nuk kërcënohet vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta: Në Francë Marine Le Pen e Frontit National përzgjedh deklaratat e qeverisë së re greke, që i përshtaten asaj. Këtu bën pjesë jo vetëm sjellja e guximshme përballë Brukselit, por edhe mirëkuptimi për politikën e presidentit rus Vladimir Putin. Në mënyrë të ngjashme e sheh çështjen edhe Lega Nord në Itali. Gazeta moskovite "Nezavisimaja Gazeta" shkruan e kënaqur: "Qeveria e re greke mund të jetë stacioni më i rëndësishëm i rezistencës ndaj sanksioneve antiruse të BE-së."

Politika e kursimeve sjell fryte

Përsa i përket politikës fiskale, për ironi të fatit konsensusi i deritanishëm mund të vihej në rrezik pikërisht në një kohë, kur pothuajse kudo duken frytet e konsolidimit. Ekonomia në Spanjë dhe Portugali është përsëri në rritje. Ndryshe nga Greqia, Portugalia mund të dalë sërish prej ombrellës së shpëtimit.

Edhe më e suksesshme është Irlanda, e cila gjithashtu ka mundur të largohet nga programi i ndihmës dhe paraqet shifra fantastike rritjeje. Atje nuk duket në horizont asnjë lëvizje e ngjashme me Syriza-n. Edhe në Greqi vetë po përmirësohet gjendja. Një rast interesant është përsëri Franca. Ku qeveria pas hezitimit të gjatë më në fund ka nisur disa reforma, që meritojnë të quhen të tilla, edhe pse të dhënat ekonomike janë më keq se kurrë. Në mënyrë të kujdesshme dhe të vonuar Parisi ka hyrë megjithatë në kursin e Berlinit, natyrisht jo pa theksuar, se kjo bëhet vullnetarisht dhe nuk ka të bëjë aspak me kërkesat gjermane.