1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca i mbështet me armë kurdët në Irakun e Veriut

aud/ab/uh/qu (dpa, afp, rtr)14 Gusht 2014

Në luftë kundër organizatës terroriste "Shteti Islamik" Franca ka nisur furnizimin me armë të luftëtarëve kurdë në Irakun e Veriut. Edhe Çekia do t'i mbështesë kurdët.

https://p.dw.com/p/1CuQM
arme per kurdet ne Irak
Fotografi: Reuters

Franca është shteti i parë evropian që do t'u dërgojë armë kurdëve në Irakun e Veriut, për të mbështetur luftën e tyre kundër ekstremistëve të organizatës "Shteti Islamik" (IS). Presidenti François Hollande ka vendosur që "në orët e ardhshme" të nisë furnizimin me armë të kurdëve, deklaroi të mërkurën (13.08.2014) pallati Elizee në Paris.

Sipas të dhënave të ministrit të Jashtëm të Çekisë, Lubomir Zaoralek, edhe qeveria e Pragës po shqyrton gjetjen e rrugëve për t'i furnizuar me armë kurdët në Irak. "Ne kemi një përfytyrim për ato që duan të kenë kurdët dhe ne kemi disa gjëra për të ofruar", i tha ministri gazetës së Pragës "Hospodarske Noviny". Këtu nuk bëhet fjalë për furnizime me armë nga rezervat e ushtrisë, por nga firma private, tha ministri, pa e precizuar më tej këtë informacion. Për këtë nuk nevojitet as vendim qeveritar, shtoi ai. Krahas Francës dhe Italisë, edhe Çekia bënte pjesë në mbështeteset e forta për furnizimin me armë të kurdëve, bënë të ditur diplomatë të BE.

Berlini do të dërgojë pajisje ushtarake në Irak

Shtete të tjera, si SHBA u kanë dërguar tashmë armë kurdëve në Irakun e Veriut. Qeveria e Londrës bëri të ditur se do të transportojë te kurdët pajisje ushtarake të shteteve të tjera. Qeveria gjermane do të vërë në dispozicion pajisje jo vdekjeprurëse si automjete të blinduara, aparate për të parë natën e jelekë antiplumb.

Pasi ambasadorët e BE në një takim të posaçëm të martën në darkë nuk arritën të bien dakord për një qendrim të përbashkët për furnizimin me armë të kurdëve irakianë, në ditët në vazhdim mund të mblidhen ministrat e jashtëm të BE. Një zëdhënës i së Ngarkuarës me Punët e Jashtme, Catherine Ashton tha në Bruksel se diplomatja është e gatshme që t'i mbledhë "që këtë javë" ministrat e jashtëm të BE në Bruksel.

Ndërkohë në Irakun e Veriut kanë mbërritur vëzhgues të tjerë ushtarakë amerikanë. Ata duhet të verifikojnë si mund të dërgohen në siguri civilët e kërcënuar nga islamistët. Me dërgimin e vëzhguesve ushtarakë, numri i ushtarëve amerikanë të stacionuar në Irak arrin në gati 1000.

SHBA po shqyrtojnë mundësinë edhe të një ndërhyrjeje ushtarake, për të shpëtuar mijëra refugjatë jezidë nga milicët terroristë. Në diskutim janë një ndërhyrje nga ajri dhe një aksion shpëtimi me trupa tokësore, bëri të ditur këshilltari i sigurisë i Presidentit Obama, Ben Rhodes përballë televizionit Fox News.