1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca - E sëmura e Evropës?

Goebel Nicole14 Tetor 2014

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe qeveria franceze presin vetëm një normë rritjeje prej 0.4 për qind në vitin 2014.

https://p.dw.com/p/1DV8n
Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Kumm

Ekonomia franceze nuk po ecën aspak mirë. Por le të fillojmë me pozitiven. "Të gjithë thonë sot se Franca është e sëmura e Evropës, por Franca ende ka një infrastrukturë të shkëlqyer dhe një standard të mirë jetese. Dhe edhe gjatë krizës globale, ekonomia franceze ishte më e mirë se për shembull ajo e Britanisë së Madhe," thotë në një intervistë me DW-në Diego Iscaro, ekonomist për eurozonën pranë IHS Global Insight. Përveç kësaj, produktiviteti është mbi mesataren evropiane, borxhi privat është i ulët dhe deficiti buxhetor në Britaninë e Madhe dhe SHBA nuk më i ulët, kurse në Japoni madje është shumë më i lartë.

Këto ishin aspektet pozitive. Më pak premtuese janë prognozat dhe parashikimet për rritjen ekonomike: si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe qeveria franceze presin vetëm një normë rritjeje prej 0.4 për qind në vitin 2014, pra gjysma e nivelit gjithësesi shumë të ulët prej 0.8 për qind që parashikohet për të gjithë zonën e euros. Në dy tremujorët e fundit rritja në Francë ishte zero për qind, papunësia vazhdon të mbetet në nivelin mbi dhjetë për qind.

Bildergalerie Nachhaltige Städte Frankreich Nantes
Franca ka ende një infrastrukturë të shkëlqyer dhe një standard të mirë jeteseFotografi: imago/McPHOTO

Në propozimin e tij më të fundit për buxhetin ministri i Financave Michel Sapin propozoi gjithashtu që reduktimi i deficitit shtetëror të mos bëhet menjëherë, por vetëm në vitin 2016, gjë që ndoshta Komisioni i BE-së nuk do ta lejojë.

Reformat po - por cilat?

Javën e kaluar kryeministri Manuel Valls u përball me zemërimin e krahut të majtë të Partisë Socialiste, sepse deklaroi në anglisht në City of London, pra në qendrën e botës financiare evropiane: "Qeveria ime është pro-ekonomisë". Kjo deklaratë tingëlloi shumë e ndryshme nga ajo e presidentit Francois Hollande dy vjet më parë. Në atë kohë ai thoshte se industria e financave ishte "armiku i tij" - kuptohet në mënyrë simbolike.

Konkretisht Franca ka njoftuar se do të kursejë gjatë tre viteve të ardhshme, 50 milionë euro, që parë në raport me prodhimin ekonomik nuk është asgjë, në krahasim me shkurtimet që kanë bërë Spanja, Portugalia dhe Greqia, thotë Iscaro. Por kur merr në konsideratë se sa e tensionuar është situata në krahun e majtë të Partisë Socialiste, e cila kundërshton reformat themelore në një masë të madhe, duhet të fillosh të mendosh se ngadalë pritet një ngritje ekonomike.

A duhet të bëjë Gjermania më shumë?

Që nga viti 2012, Franca ka ulur taksat për sigurimet shoqërore për punëdhënësit, thotë ekonomisti francez Gregory Claeys nga think-tank-u i Brukselit Bruegel. Ai beson se qeveria është në rrugën e duhur dhe se ndërkohë nevojiten reforma, por se problemi i vërtetë është konkurrenca me ekonominë më të madhe në BE, pra me Gjermaninë, në fushën e pagave dhe kostove të punës. "Që nga futja e euros, kostot e punës në Gjermani janë rritur shumë më ngadalë se produktiviteti". Kurse në Francë ata janë rritur paralelisht me produktivitetin dhe kjo i ka sjellë vendit një disavantazh në fushën e konkurrencës.

Merkel dhe Valls
Merkel dhe VallsFotografi: Reuters/Fabrizio Bensch

Claeys arrin në përfundimin se pagat në Gjermani duhet të rriten në mënyrë që të përshtaten me ato të fqinjëve të eurozonës në mënyrë që të forcohet edhe kërkesa e brendshme. "Sigurisht, Franca duhet të merret me çështjen e kostove të punës", por ai gjithashtu thekson se në një bashkim monetar, Gjermania nuk mund të thotë se tani partnerët duhet të shikojnë si të dalin vetë nga situata.

Ekonomistët Aengus Collins dhe Diego Iscaro janë skeptikë rreth këtyre ideve. Ata mendojnë se të nevojshme në Francë janë reforma të fuqishme sidomos në sistemin fiskal dhe në tregun e punës, sepse sipërmarrjet franceze kanë nevojë për më tepër fleksibilitet.