1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FMN: rimëkëmbja e ekonomisë botërore më e fortë

Gero Schließ/Eliana Xhani9 Prill 2014

Lajme të mira nga FMN: ekonomia botërore do të vazhdojë kursin e rimëkëmbjes. Eurozona po shënon rritje dhe Gjermania merr shumë lëvdata. Por ka edhe rreziqe.

https://p.dw.com/p/1BeNL
Logoja e FMN në UashingtonFotografi: DW/A.Becker

Dinamika e rritjes është bërë më e "dukshme", tha Olivier Blanchard, kryeekonomisti i FMN-së gjatë prezantimit të raportit të fundit për zhvillimin e ekonomisë botërore. "Rimëkëmbja është forcuar", tha Blanchard para gazetarëve. Ai e konfirmoi këtë mesazh me shifra pozitive: për këtë vit FMN paralajmëron një rritje të ekonomisë botërore prej 3,6 për qind. Në vitin 2015 rritja globale do të ngjitet madje në 3,9 për qind.

Duke iu referuar rritjes prej 3,3 për qind të vitit 2013, Blanchard sheh një "përmirësim thelbësor". Nxitës të rritjes ekonomike janë para së gjithash SHBA, vendet aziatike në ekspansion dhe - diçka e papritur - vendet në jug të Saharasë, prodhimi i brenshëm bruto (PBB) i të cilëve pritet të rritet me 5,4 për qind. Pra ka shumë sinjale që flasin që forcat e rritjes ekonomike janë në rritje.

SHBA dhe eurozona do të forcohen

Në radhë të parë forca e re ekonomike e vendeve të industrializuara, drejtuar nga SHBA me një rritje të parashikuar prej 2,8 për qind për këtë vit, është një sinjal inkurajues. "Vitin e ardhshëm përmirësimi relativ i ekonomisë globale do të vijë nga vendet e industrializuara", analizon Jacon Kirkegaard nga Peterson Institute for International Economics në Uashington: "Krahas SHBA-së edhe eurozona po del nga recesioni drejt një rritjeje të moderuar." Mesazhi më i rëndësishëm për ekonominë botërore është që raporti i forcës mes vendeve të industrializuara dhe atyre në ekspansion po ndryshon më tej në favor të vendeve të industrializuara. Arsyet për suksesin e vendeve të industrializuara janë të shumta: konsolidimi financiar ka përparuar, bankat janë bërë më të forta, klima për investitorët është përmirësuar në përgjithësi dhe rreziqet akute janë reduktuar.

Olivier Blanchard Weltwirtschaftsausblick IWF 2013
Olivier Blanchard - kryeekonomist i FMN-sëFotografi: picture-alliance/dpa

Fjalët lëvduese të FMN-së vlejnë jo vetëm për ekonominë botërore në përgjithësi por shumë konkretisht për eurozonën: "Lajmët e mira janë që për vendet në periferinë jugore për herë të parë pas dy vjetësh parashikohet një rritje pozitive edhe pse ajo është e dobët", tha Blanchard. Rimëkëmbja bazohet para së gjithash në sukseset e eksportit. Për një rimëkëmbje afatgjatë është kusht që të rritet kërkesa e brendshme. Kështu duket se kriza e euros një herë për një herë është kapërcyer. Në total sipas FMN-së eurozona këtë vit do të rritet me 1,2 për qind dhe në 2015 me 1,5 për qind. Në krye këtë vit është Britania e Madhe me një rritje të parashikuar prej 2,9 për qind.

Gjermania, nxënësi model

Sipas FMN-së Gjermania këtë vit do të rritet me 1,7 për qind. Kancelarja Merkel dhe ministri i Financave Schäuble, sipas makroekonomistëve të rreptë në Uashington, kanë bërë gjithçka siç duhet. Dëshmitë për këtë janë rënia e papunësisë, një kërkesë e brendshme në rritje dhe një "lulëzim në rritje i investimeve", me të cilën kanë parasysh gatishmërinë e koalicionit të madh për më shumë shpenzime shtetërore. Vetëm teprica e fortë në bilancin tregtar (sh.red.eksportet më të larta se importet), vazhdon të shihet me sy kritik. Megjithatë ministri i Financave Schäuble këtë javë mund të shkojë me ballin lart në takimin e pranverës të FMN-së në Uashington.

Zypern Hilfe CDU/CSU Fraktion Merkel und Schäuble
Angela Merkel dhe Wolfgang SchaübleFotografi: Reuters

Por FMN ka identifikuar edhe një rrezik për Gjermaninë dhe vendet e tjera të eurozonës: niveli i ulët i inflacionit në ekonomitë e mëdha. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë, mund të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike.

Ukraina: Rreziqe për Rusinë dhe BE-në

FMN nuk sheh ende rreziqe të rëndësishme për ekonominë botërore nga kriza e Ukrainës. Klima e investimeve për Rusinë është përkeqësuar vërtet, por këtë vit ekonomia ruse vazhdon të jetë në shtegun e rritjes. Jacob Kirkegaard nga Petersen Institute kundërshton: "Parashikimi i FMN-së për vitet 2013 dhe 2014 mbetet i njëjtë. Ekonomia ruse do të rritet në të dy këto vite me 1,3 për qind. Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë."

Sipas Kirkegaard parashikimi për Rusinë nuk merr sa duhet në konsideratë krizën aktuale: "Për mua kjo do të thotë se Rusia në 2014 do të rrëshqasë në recesion." Kjo nga ana tjetër do të kishte efekte negative në Gjermani dhe shtete të tjera të eurozonës.

Jacob Funk Kirkegaard Peter G. Peterson Institute for International Economics
Jacob KirkegaardFotografi: PIIE

Vendet në ekspansion do të vazhdojnë të rriten, veçanërisht Kina (me një plus prej 7,5 për qind), India dhe vendet e Afrikës së Jugut ( të dyja me plus 5,4 për qind). Por kryeekonomisti i FMN-së Blanchard sheh për vendet në ekspansion një ndryshim mjedisi: rimëkëmbja e vendeve të industrializuara është e mirë për eksportet e tyre, nga ana tjetër zhvillimi ekonomik mund të frenohej nga një kurs më restriktiv në politikën monetare nga Banka Qendrore në SHBA (Fed). Jacob Kirkegaard sheh edhe në frenimin e rritjes ekonomike të Kinës një rrezik për vendet në ekspansion: "Kur Kina teshtin, të tjerët marrin të ftohtë". Në veçanti vendet në ekspansion, eksportuese të energjisë, mund të kenë vështirësi për shkak të rritjes më të dobët ekonomike të Kinës.