1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fleckenstein: luftimi korrupsionit prioritet

Mimoza Kelmendi11 Prill 2014

Politika në Shqipëri është bërë për shqiptarët dhe jo për institucionet në Bruksel, thotë në bisedë me DW eurodeputeti socialdemokrat gjerman, Knut Fleckenstein, anëtar i grupit të PE për Shqipërinë dhe Kosovën.

https://p.dw.com/p/1BgG8
Knut Fleckenstein, eurodeputet socialdemokrat gjerman.
Fotografi: ASB/Bechtloff

DW: Zoti Fleckenstein, si i vlerësoni zhvillimet aktuale në Shqipëri?

Knut Fleckenstein: Qeveria e dalë nga zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në qershorin e kaluar po ndjek një kurs të vendosur për integrimin europian, të cilin unë e përshëndes. Ashtu si më parë përpjekjet e shumta për realizimin e reformave janë të nevojshme në rrugën e integrimit. Për një sukses afatgjatë të këtyre reformave, Shqipërisë i nevojitet një bashkëpunim i mirë mes shtetit dhe shoqërisë. Kjo përfshin edhe një bashkëpunim të duhur mes qeverisë dhe opozitës. Po ashtu është e nevojshme një administratë efikase dhe e kualifikuar. Unë besoj që qytetaret dhe qytetarët shqiptarë në këtë vend presin ende shumë më tepër nga politika shqiptare.

Megjithatë ka një zvarritje nga BE-ja kur është puna për dhënien e statusit kandidat vendeve të Ballkanit Perëndimor? Kam parasysh këtu rastin e Shqipërisë.

Bashkimi Europian tashmë është shprehur për atë që Shqipërisë t'i jepet statusi i vendit kandidat. Megjithatë krerët e shteteve dhe qeverive europiane ende nuk kanë mundur të vendosin që Shqipërinë ta shpallin si kandidate për anëtarësim në BE. Mua personalisht më vjen keq për këtë, sepse unë mendoj që si përgjegjësit politikë ashtu dhe populli në Shqipëri janë në gjendje për të realizuar me të gjitha energjitë reformat e ardhshme politike dhe ekonomike. Nga ana tjetër vlen të kihet parasysh se: Për politikën shqiptare mosdhënia ende e statusit të vendit kandidat nuk duhet të jetë arsye për të mos vazhduar deri në fund zbatimin e reformave të tilla të rëndësishme në vend. Politika në Shqipëri është bërë për qytetaret dhe qytetarët shqiptarë dhe jo për institucionet në Bruksel. Dhe njerëzit në Shqipëri presin një udhëheqje të mirë të qeverisë, më pak korrupsion, reforma efektive ekonomike.

Pikërisht zoti Fleckenstein, lufta kundër korrupsionit është një prioritet vendimtar i BE-së për Shqipërinë. Por si mund të matet luftimi i korrupsionit që BE të dëshmojë se ka përparime në një vend në këtë drejtim?

Për këtë janë rekomandimet e së ashtuquajturit GRECO (grupi i shteteve kundër korrupsionit). Këto rekomandime janë shumë konkrete dhe propozojnë masa të hollësishme për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Kohët e fundit Shqipëria ka marrë rekomandimet për një financim transparent të partive. Edhe BE-në, veçanërisht Komisionin Europian, Shqipëria i ka në krah për zbatimin e këtyre reformave.

Komisioni Europian publikon çdo vit në tetor një raport për përparimet në realizimin e reformave të vendeve kandidate dhe vendeve kandidate, me potencial për anëtarësim. Kjo nënkupton ndër të tjera një vlerësim të detajuar të masave që ka zbatuar qeveria shqiptare në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore. Një aspekt i rëndësishëm i kësaj është luftimi i korrupsionit. Raporti i progresit përmban gjithashtu rekomandime se si mund të punohet më tej për realizimin me sukses të reformave të ndërmarra. Për këtë arsye institucionet përkatëse antikorrupsion duhet të forcohen. Sigurisht që edhe një gjyqësor i pavarur dhe rregulla të qarta për financimin e partive, janë një kontribut i rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit.

Luftimi i korrupsionit është një detyrim i rëndësishëm i politikës shqiptare për popullin e vet. Kjo nuk duhet kuptuar si një listë e sajuar me detyra që do të bënin të kënaqur institucionet e BE-së. Përkundrazi, më saktë kjo ka të bëjë me vetëdijen që duhet të arrijë luftimi i korrupsionit në opinionin shqiptar dhe në atë që të sanksionohet ligjërisht se korrupsioni veçanërisht në institucionet shtetërore, në arsim si dhe në sektorin e shëndetësisë, është një vepër penale. Pra një krim që dëmton shtetin dhe gjithë shoqërinë shqiptare.

Ata që zbulojnë korrupsionin dhe e padisin atë duhet të mbështeten dhe të mbrohen. Tani në Shqipëri ka një numër institucionesh dhe OJQ që merren me temën e luftimit të korrupsionit. Dhe sytë e tyre dhe zëri i tyre janë shumë të rëndësishëm për qeverinë shqiptare kur vjen puna për të vlerësuar, se sa e suksesshme është politika e saj antikorrupsion.

Duke qëndruar në Ballkan, zoti Fleckenstein, si eurodeputet si e shpjegoni faktin që po mbushen 15 vjet nga përfundimi i konfliktit në Kosovë dhe 6 vjet nga shpallja e pavarësisë së këtij shtetit, dhe ende pesë vende anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si të tillë?

Po, kjo është e vërtetë. Shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë: Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania. Të pesë këto vende kanë të bëjnë me rajone, në të cilat partitë dhe lëvizjet bëjnë thirrje për pavarësi ose autonomi më të mëdha të pjesëve të këtyre vendeve. Kur Kosova shpalli pavarësinë në 2008, shqetësimi kryesor ishte që me njohjen e një pavarësie të Kosovës mund të kishte një rast precedent që këto lëvizje mund të mbështeteshin. Unë jam gjithmonë i bindur për atë që rasti i Kosovës në kontekstin politik dhe ngjarjet e mëparshme në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, nuk mund të injorohen. Në Parlamentin Europian ne diskutojmë çdo vit çështjen nëse duhen thirrur pesë vendet anëtare që ta njohin pavarësinë e Kosovë, apo në të kundërt duhet repektuar ky vendim i tyre. Unë jam i mendimit se BE duhet ta njohë gjithë Kosovën si një shtet të pavarur.

Intervistoi Mimoza Kelmendi