1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fjalë inkurajuese - Vizita e Joe Bidenit në Ukrainë

Miodrag Soric/Lindita Arapi21 Prill 2014

Në Kiev pritet të hënën zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, me qëllim të shqyrtimit të mundësive të tjera të ndihmës për qeverinë e Kievit. Ukraina mund të presë përkrahje, por jo dollarë nga Uashingtoni.

https://p.dw.com/p/1BlbB
Joe Biden
Joe BidenFotografi: Janek Skarzynski/AFP/Getty Images

Para një muaji ishte zëvendëspresidenti amerikan për vizitë në vendet balltike e në Poloni për të qetësuar qeveritë e atjeshme: Kriza në Krime nuk ka ndikim në sigurinë e këtyre vendeve. SHBA dhe NATO i qëndrojnë patundshëm në krah partnerëve lindorë. Tani Joe Biden fluturon për në Ukrainë. Edhe këtu ai do t'i thotë qeverisë së Kievit: Për shkak të krizës në Lindje të vendit, ju mund të keni besim tek ndihma amerikane. Zëvendësi i Obamës do të zgjedhë fjalë të qarta. Edhe në adresë të Moskës. Tonet e ulta nuk janë karakteristikë e Bidenit, që ndryshe nga Obama, i njohur për vetëpërmbajtje dhe ftohtësi, nuk i ndrydh shpërthimet emocionale.

Stacionim i amerikanëve në Poloni dhe Estoni?

Joe Biden në Lituani
Joe Biden në Lituani...Fotografi: Reuters

Joe Biden është një figurë e njohur e udhëheqjes së Uashingtonit, pasi prej vitesh ai merr pjesë në formësimin e politikës së jashtme amerikane. Ai bën pjesë tek politikanët "që përzihen", pra nga ata që në rast dyshimi, gjithmonë janë pro ndërhyrjes së trupave amerikane jashtë vendit. Ai ka qenë përkrahës i intervenimit amerikan në Afganistan, në Ballkan dhe në Irak.

Shumë vetë presin që ai të pozicionohet qartë gjatë vizitës në Ukrainë. Ai do të akuzojë Moskën dhe do të kërkojë stacionimin e trupave amerikane në Estoni dhe Poloni. Po qe se do të vendoste Joe Biden, përgjigja e Uashingtonit ndaj Moskës do të kishte qenë më e ashpër: Sanksione më të ashpra kundër Moskës, bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Gjeorgjinë, më shumë trupa të NATO-s në Rumani apo Bullgari.

Shumë politikanë në Uashington janë të zhgënjyer që shumë aleatë, përfshi këtu edhe Gjermaninë, gjithmojnë kërkojnë qëndrim të përmbajtur ndaj Moskës. Ata mendojnë se presidenti Putin e interpreton një qëndrim të tillë si dobësi, e pikërisht këto kohë Perëndimi nuk duhet të tregojë asnjë shenjë dobësi.

Joe Biden dhe Donald Tusk.
...dhe Poloni me Donald Tusk.Fotografi: Reuters

Edhe Joe Biden bën pjesë tek politikanët e linjës së fortë. Sigurisht e ka më të lehtë të flasë për këtë: SHBA kanë vërtet interesa strategjike ekonomike me Rusinë, por ekonomia amerikane nuk është e varur nga gazi rus. Tregtia me Rusinë nuk është aq e zhvilluar, ndryshe nga Gjermania, që mban marrëdhënie të ngushta ekonomike me Rusinë.

SHBA pret angazhim nga partnerët europianë

Zëvendëspresidenti amerikan me udhëtimin e tij në Dnjepr do t'i japë zemër qeverisë në Kiev. Por askush në Uashington nuk pret që qeveria e Obamës do ta furnizojë aq shpejt me para qeverinë e Kievit. Deri më tani Uashingtoni i ka ofruar Kievit vetëm një kredi prej 1 miliardë dollarësh. Deputetët e kongresit amerikan reagojnë me nervozizëm, kur pyeten, se pse Amerika e mban dorën kaq të shtrënguar kur vjen puna tek ndihma. Amerika, sipas bisedimeve pas kulisave, mban barrën e 75% të shprenzimeve të NATO-s. Si shpërblim Uashingtoni pret që partnerët europianë, me në krye gjermanët të financojnë rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.

Ndihmë tjetër për Ukrainën nuk do të ketë edhe për shkak të zhvillimeve të brendshme politike. Në vjeshtë në SHBA zhvillohen zgjedhjet për kongresin amerikan. Luftërat amerikane të viteve të fundit kanë kushtuar shumë miliarda. Edhe "nation building"- ndërtimi civil i shtetit afgan, irakian kanë kushtuar shumë ndërkohë që suksesi le shumë për të dëshiruar. Nuk ka çudi që amerikanët nuk janë më të gatshëm të ofrojnë miliarda shtesë për Ukrainën. Politikanët që duan të votohen në vjeshtë do ta kenë parasysh këtë. Askush nuk e kupton këtë më mirë se Joe Biden, që ka marrë pjesë në shumë fushata zgjedhore.