1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fiton projekti i gazsjellësit Trans- Adriatik

Ani Ruci26 Qershor 2013

Projekti parashikon kalimin e gazit nga fushat e Azerbajxhanit në jug të Italisë dhe që andej, në Evropën Perëndimore. Konsorciumi rrëzoi projekti rival NABUCO.

https://p.dw.com/p/18x5b

Burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Energjitikës dhe Tregtisë bëjnë të ditur se konsorciumi Shah Deniz, në Azerbajxhan, ka përzgjedhur projektin Trans- Adriatik, të njohur me inicialet TAP, për të transportuar gazin e tij natyror në Europën Perëndimore. Projekti parashikon kalimin e gazit nga fushat e Azerbajxhanit në Gjeorgji, Turqi, Greqi dhe Shqipëri nga ku përmes tubacioneve nënujore në detin Adriatik, do të mbёrrijë në jug të Italisë dhe që andej, në Evropën Perëndimore.

Konsorciumi rrëzoi projekti rival NABUCO, që parashikonte kalimin e tubacioneve nga Azerbajxhani nё Turqi, Bullgari, Rumani, Hungari për të përfunduar nё Austri, duke shmangur kalimin në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Berisha përshëndeti sot përzgjedhjen e projektit gazsjellës Trans- Adriatik si një “projekt të shekullit të ri”, ku fitoi Shqipëria.

Albanien Ministerpräsident Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë, Sali BerishaFotografi: Mimoza Dhima

Gazsjellësi TAP do të ketë një kapacitet 10 milion metra kub gaz në vit. Gjatësia e tij do të jetë 870 km, 550 km në Greqi, 205 km në Shqipëri 110 km në detin Adriatik dhe vetëm 5 km në Itali. Pika më e lartë, nga ku do të kalojë në Shqipëri është 1800 metra dhe thellësia në detin Adriatik 810 metra.

Shqipëria i parapriu fitimit të tenderit ndërkombëtar nga projekti Trans- Adriatik, duke miratuar kohët e fundit në Parlament marrëveshjen e investimit, të nënshkruar në Prill të këtij viti mes saj dhe konsorciumit, marrveshje prej 1 miliard eurosh. Shqipëria nënshkroi paraprakisht edhe një Memorandum Bashkëpunimi me Italinë dhe Greqinë, që i hapën rrugën përzgjedhjes së projektit TAP. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se një masterplan i rrjetit të shpërndarjes së gazit, që do të kalojë në 38 bashki dhe komuna të Shqipërisë, është përgatitur nga pala shqiptare.

Përfitimet e Shqipërisë

Shqipёria do tё ketё disa pёrfitime: hapjen e rreth 2000 vende tё reja pune, marrjen e tarifёs së kalimit tranzit tё tubacioneve tё gazit nё territorin e saj, krijimin e tregut kombёtar tё gazit. Konsumatorët e gazit në Shqipëri do ta blejnë gazin me çmim mё tё ulёt se sa sot. Konsorciumi TAP që ka marrë përsipër realizimin e këtij projekti gjigant përbëhet nga kompanitё e njohura në Evropë: EGL e Zvicrës, Statoil e Norvegjisë dhe EON Ruhrgaz e Gjermanisë.

TAP - Projekt që u mbështet deri në suksesin e tij nga SHBA

Ideja e projektit TAP nisi tё bёhet e njohur nё mesin e viteve ’90- tё bashkё me idenё e Korridorit tё 8-ё, njё nismё kjo e ish Presidentit amerikan Bill Clinton. Sipas idesё sё tij fillestare tё publikuar nё vitin 1996, ky korridor do tё kalonte nga Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipёria, pёr tё kaluar mё pas nё Bari ose Brindizi, i quajtur ndryshe edhe korridori Lindje – Perёndim. Ky ishte dhe mbetet njё projekt shumёplanёsh qё pёrfshin ndёrtimin e rrugёve, hekurudhave dhe porteve. Gazsjellёsi parashikohet tё ndёrtohet nё tri faza dhe tё pёrfundojё nё vitin 2020.