1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filozofi i opinionit publik

Christina Ruta/Lindita Arapi17 Qershor 2014

Demokracia e opinioni publik, këto janë kryetemat e Jürgen Habermasit, që rregullisht ngre zërin për çështjet politike. Më 18 qershor filozofi i njohur gjerman, një ndër sociologët më të njohur në botë, mbush 85 vjeç.

https://p.dw.com/p/1CJoL
Jürgen Habermas Düsseldorf 12.12.2012
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shumë vetë e kanë provuar ndjenjën, se kur kanë të bëjnë me politikën, nuk gjejnë aty përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të votuar nga populli, por kanë të bëjnë më shumë me një aparat burokratik. Dhe mentaliteti i efiçiencës ka përfshirë shumë fusha të jetës, ashtu si në ekonomi. Edhe Jürgen Habermas e ka provuar këtë ndjenjë. Më shumë se kaq: Një demokraci burokratike masive, brenda së cilës disa pak vetë merren vesh për kompromise jotransparente, si edhe "ekonomizimi i jetës", këto janë karakteristika të shoqërisë moderne, mendon Habermas. Për këtë arsye ai kërkon përfshirjen më të madhe të shoqërisë civile, pak a shumë ky është koncepti i futur nga Habermas i "opinionit publik liberal" si dikur, kur qytetarët takoheshin në kafene për të diskutuar e për të pasur ndikim në shoqëri.

Diagnozat e mprehta shoqërore si në "Transformimin strukturor të opinionit publik", vepra kryesore e filozofit, pozicionimet e tij publike për çështje të debatuara në shoqëri dhe kontributet në filozofinë analitike e politike e bëjnë filozofin gjerman, jo edhe aq lehtë i kuptueshëm, të njohur në të gjithë botën.

Demokracia deliberative dhe diskursi etik

Stefan Müller-Doohm, sociolog dhe biograf i filozofit, shprehet se ajo "që përshkon si lajtmotiv teorinë e Habermasit është tema e demokracisë, këtë ai e ka cilësuar njëherë si 'fjala magjike' e mendimit të tij." Këtu bën pjesë edhe ideja e tij se sistemi ekonomik kapitalist duhet të "futet në zgjedhë" me mjete demokratike. Demokracinë, Habermasi e kupton si opinion publik, "dhe kjo është në të vërtetë një shprehje tjetër për atë, që përbën thelbin e filozofisë Habermasiane, diskursin etik", thekson Müller Doohm.

Në një lexim në Frankfurt mbi Main 2013
Në një lexim në Frankfurt mbi Main 2013Fotografi: DW

Përkundër mendimtarëve të tjerë postmoderne, Habermas e quan të mundur ekzistencën e disa të vërtetave universale dhe parimeve morale në një botë të globalizuar, ku kultura të ndryshme përballen me njëra-tjetrën. Këto të vërteta universale qytetari (qytetari i botës) mund t'i zbulojë përmes diskursit publik dhe konsensusit. Kusht është që pjesëmarrësit e këtij diskursi të veprojnë jo siç është zakon në politikë me strategji, por të orientuar nga mirëkuptimi dhe t'i respektojnë rregullat e diskursit.

Secili duhet të marrë seriozisht "Të tjerët", të marrë për bazë një lloj ndershmërie dhe drejtësie, gjithsecili duhet të ketë shansin të thotë fjalën e tij. Kusht është po ashtu që të përjashtohen të gjitha mekanizmat detyrues. Kështu vetëm në këtë mënyrë diskursi do të udhëhiqej nga arsyeja. Habermas bën fjalë për "detyrimin e padetyruar të të argumentit më të mirë." Sociologu Müller Doom sqaron se kushtet e një "bisede ideale", që parashtron Habermasi nuk gjenden në këtë formë në realitet, prandaj kjo i ka sjellë shumë kritika filozofit.

Dhuna e nacionalsocializmit dhe "Shkolla e Frankfurtit"

Për biografin e Habermasit, Stefan Müller Doohm, tema e jetës së filozofit demokracia lidhet me përvojën personale të tij, "me faktin që në vitin 1945 u kuptua, që njerëzit jetuan nën një regjim kriminel dhe se pësuan një rikthim në barbari." I lindur në vitin 1929 në Dyseldorf dhe i rritur në Gumersbah, Habermas është adoleshent, kur merr fund terrori nacionalsocialist. Më vonë në vitet 80-të, në kohën e debatit të famshëm të historianëve, Habermas kritikon ashpër përpjekjet e historianit Emil Nolde për të vendosur paralele mes regjimit nacionalsocialist dhe krimeve staliniste. Për Habermasin kjo përpjekje ishte një relativizim i mizorisë së pashoqe të Holokaustit.

Theodor W. Adorno.
Filozofi i njohur Theodor W. AdornoFotografi: picture-alliance / IMAGNO/Franz

Që i ri Habermasi interesohet për çështjet shoqërore dhe angazhohet publikisht. Pas studimeve (1949-1954) ai punon si gazetar në profesion të lirë, shkruan për "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Botimet e tij tërheqin vëmendjen e filozofit tjetër të njohur, Theodor W. Adorno, bashkë me Max Horkheimer, themelues të "Teorisë Kritike". Adorno e pranon Habermasin në Institutin e Studimeve Sociologjike në Frankfurt dhe ndikon tek ai me analizat për shoqërinë. Për shkak të refuzimit, që Horkheimeri ka ndaj një Habermasi marksist e të angazhuar, ky i fundit e përfundon profesurën në Marburg. Në vitin 1964 ai kthehet në Frankfurt si profesor i filozofosë dhe sociologjisë dhe pasues i Horkheimerit.

Angazhim për të drejtat e qytetarit dhe njeriut

Frankfurti ishte skena e protestave të dhunshme studentore në vitet 60-të. Habermasi e mbështeti këtë angazhim politik përmes mosbindjes civile. Ai distancohet megjithatë nga grupet ekstremiste të liderit të studentëve, Rudi Dutschke, të cilët ai i akuzon për fashizëm majtist. Me këtë ai fiton antipatinë e të majtëve në Gjermani. Më vonë Habermas largohet në Mynih si bashkëdrejtor i Institutit të Starnbergut, Max Planck. Në këtë periudhë Habermas shkruan veprën e tij më të rëndësishmë "Teori e marrëdhënieve të komunikimit". Në vitin 1983 Habermas kthehet në Frankfurt sërish, ku deri në vitin 1994 ai punoi si profesor filozofie. Edhe më vonë Habermas nuk ka vonuar të ngrejë zërin në diskursin publik në Gjermani.

Filozofi Jürgen Habermas nderohet me çmimin Heine 2012
Filozofi Jürgen Habermas nderohet me çmimin Heine 2012Fotografi: picture-alliance/dpa

Kështu në vitin 1999 ai mbështeti misionin aq të diskutuar të NATO-s në Kosovë. "Kur nuk ka rrugë tjetër, atëherë fqinjët demokratë duhet të përdorin mjete urgjente të legjitimuara në të drejtën ndërkombëtare", tha Habermas atëherë. Ndërsa sot si përkrahës i integrimit europian ai kritikon defektet demokratike të këtij procesi. Në krizën e euros Habermas doli kundër një kursi të ashpër kursimesh. Për angazhimin e tij shoqëror Habermas ka marrë një sërë çmimesh, ndër të tjera edhe Çmimin e Landit të Hesenit për Kulturën dhe Çmimin e Paqes të Tregut Gjerman të Librit.