1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filmi "Population Boom" - Cili prej nesh është i tepërt?

Annabelle Steffes / Vilma Filaj-Ballvora27 Mars 2014

7 miliardë njerëz në botë. Burime në zhdukje, male me mbeturina toksike, uri, varfëri. Të gjitha pasojë e mbipopullimit? Kjo tezë zhvleftësohet si një pretekst në filmin "Population Boom" të dokumentaristit Werner Boote.

https://p.dw.com/p/1BWmW
Skenë nga dokumentari "Population Boom"
Fotografi: Mindjazz pictures

Qysh në filmin e tij të parë "Plastic Planet" regjisori austriak Werner Boote shtronte pyetje jo komode dhe paralajmëronte nga pasojat e konsumit të pakontrolluar të plastikës. Si reagim ndaj këtij filmi shumë spektatorë i thanë atij, se kjo ndodh pasi ka shumë njerëz e si pasojë edhe shumë mbeturina. Por Boote të gjitha këto i konsideron si pretekst. A jemi ne vërtetë kaq shumë? E nëse është kështu, atëherë cili prej nesh është i tepërt? "Unë nuk gjeta askënd, që të përgjigjej seriozisht dhe pa përçmim ndaj njerëzve, lidhur me këto pyetje", thotë Boote në intervistë për DW. Për të shtrohet një çështje krejt tjetër: Kush dhe çfarë po e nxit një skenar të tillë katastrofal?

Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, Boote ka udhëtuar nëpër qendrat perëndimore të pushtetit dhe të financave, nëpër slum-et gjigante dhe në hapësirat pafund të zbrazura prej njerëzve të Afrikës. Në fazën e parë të këtij udhëtimi ai vizitoi Nju Jorkun.

Skenë nga dokumentari "Population Boom"
Skenë nga dokumentari "Population Boom"Fotografi: Mindjazz pictures

Është 31.10.2011 – Halloween, festa në të cilën përkujtohen të vdekurit. Pikërisht këtë ditë kishte zgjedhur OKB-ja për të komunikuar lindjen e banorit të shtatëmilardtë të botës - E kjo u bë duke tërhequr njëkohësisht vëmendjen për luftën kundër ndryshimit të klimës, emergjencën nga uria, thjeshtë pra ndaj "problemit të mbipopullimit". Lindja e një qytetari tjetër të uritur - thjesht si një gozhdë më shumë për varrin e planetit tonë?

Rritja e popullsisë botërore ka arritur në zenitin e vet

"Mendimi për mbipopullim është një botëkuptim i mbetur në vendnumëro, i cili është ngulitur tashmë në kokat tona qysh në vitet 1970", shpjegon Boote. Në 1974 OKB-ja prezantoi një agjendë kundër mbipopullimit, iniciuar nga SHBA-ja. Shteteve me rritje të lartë popullsie, si Kina, Meksika apo India iu imponua që t'i kufizojnë kuotat e lindshmërisë. Nga njëra anë këto norma u zbatuan përmes masave detyruese si sterilizimet apo ndjekjet penalisht, dhe nga ana tjetër edhe përmes joshjeve si aksesi në shërbimet publike apo mundësitë për arsimim. Edhe sot e kësaj dite ende përdoren këto forma - si p.sh. në shtetin federal indian Rajasthan, ku grave, që pranojnë të sterilizohen u dhurohet një pajisje kuzhine, mikser. 37% e të gjitha sterizilimeve në botë kryehen në Indi.

Skenë nga dokumentari "Population Boom"
Skenë nga dokumentari "Population Boom"Fotografi: Mindjazz pictures

Sipas Boote frika nga mbipopullimi në vitet 1970 ishte më e kuptueshme se sa sot: "Asokohe nuk dihej, që rritja e popullsisë do të kishte një fund." Studiuesit vlerësojnë, se popullsia në mes të këtij shekulli arrin kulmin e saj me 9,6 miliardë. Pas kësaj ajo sërish do të jetë në rënie. "Është interesante, që kjo tashmë dihet prej disa vjetësh por në media ky fakt nuk përmendet, ose vihet shumë rrallë në dukje."

Problemi është gjithmonë tek tjetri

Filmi i Bootes bazohet mbi një punë hulumtimesh dhe xhirimesh voluminoze për rreth dy vjet. Ai vetë e pranon, se nëse do t'i duhej të punonte nën presion kohe ndoshta edhe mund të kishte ripërsëritur ndonjë nga frazat, që propagandohen rëndom kryesisht prej OKB-së dhe Bankës Botërore. Kjo nisur nga fakti, se është më e thjeshtë që ta përdorësh si pretekst tezën e mbipopullit, se sa të të duhet ty vetë të bësh diçka: pra, jo unë, por të tjerët janë shumë dhe ata krijojnë probleme.

"Thelbi i çështjes është frika prej ndarjes", thotë Boote. "Nuk është mungesa e burimeve arsyeja për urinë dhe varfërinë, por ndarja e padrejtë dhe mungesa e drejtësisë sociale." Gjatë filmit të forcohet gjithnjë e më shumë kjo bindje. Në këtë film mëson, se si vetëm Pentagoni konsumon çdo ditë më shumë naftë se e gjithë Suedia - vendet e varfëra me kuota të larta lindshmërie përkundrazi konsumojnë sasinë më të vogël të lëndëve djegëse fosile - ose që vetëm Sudani, ka potencialin që të ushqejë një miliardë njerëz. E këta janë pikërisht po aq shumë njerëz, sa ç'është edhe numri i atyre që vuajnë sot nga uria. Por vlen të shtohet edhe fakti, që 1,5 miliardë njerëz vuajnë nga mbipesha. Gjithashtu në botë ka mjaft vend, siç tregon përllogaritja e Bootes: "Nëse ne të gjithë njerëzit e botës, do t'i sillnim në Austrinë e vogël, atëherë secili prej nesh do të kishte në dispozicion një sipërfaqe prej 11 metrash katrorë. Pra më shumë, se sa kur je i izoluar në burgim të përjetshëm, ku ke hapësirë vetëm 9 metra katrorë."

Një apel për më shumë humanizëm

Werner Boote në Japoni -dokumentari "Population Boom"
Werner Boote në Japoni -dokumentari "Population Boom"Fotografi: Mindjazz pictures

Filmi përfundon me një skenë emocionale. Në Tongi, në Bangladesh pesë milionë myslimanë pas përfundimit të takimit vjetor Biswa-Ijtema, shpërndahen duke iu drejtuar mjeteve të qarkullimit urban për të shkuar në shtëpi. Një skenë kjo, që gazetarët në mbarë botën e preferojnë për të ilustruar problemin e "mbipopullimit". Boote futet vetë mes kësaj mase dhe udhëton në mes të turmës së njerëzve mbi çatinë e një treni të tejmbushur. "Fillimisht pata një panik të tmerrshëm, se do të rrëzoheshim e të do të vdisnim të gjithë", thotë regjisori. Por në fakt ai përjetoi diçka, që ia bëri atij këtë udhëtim si një ndër çastet më fatlume – që askush të mos dëmtohej në mënyrë të vetëkuptueshme njerëzit e mbanin fort njëri-tjetrin. "Unë kuptova, se pavarësisht, se sa njerëz jemi ne, e rëndësishme është se si sillemi ne me njëri-tjetrin."

Kësisoj "Population Boom" është jo vetëm një apel për më shumë drejtësi sociale, por edhe për më shumë humanizëm. E rëndësishme është t'i vemë gishtin kokës për të kuptuar drejtimin në të cilin ne po zhvillohemi. Gjithashtu ky është një apel për të qenë aktiv, "sepse bum do të thotë tek e fundit zhvillim."