1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Figueres: Ndryshimi i klimës sjell konflikte të pakontrollueshme

Irene Quaile23 Shtator 2014

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka ftuar krerë qeverish dhe të elitës ekonomike në një samit për klimën në Nju Jork. E ngarkuara e OKB-së për klimën, Christiana Figueres flet për pritshmëritë e saj.

https://p.dw.com/p/1DHHm
Fotografi: picture alliance/dpa/Patrick Pleul

DW: Pse ka nevojë bota për një samit të ri për klimën kur kemi një seri konferencash botërore të përvitshme për klimën?

Konferencat vjetore kanë si qëllim arritjen e marrëveshjeve të detyrueshme, që priten të nënshkruhen vitin e ardhshëm në Paris. Në Nju Jork nuk negociohet, por bëhen më shumë përpjekje për t'i dhënë krahë procesit formal, për të forcuar vullnetin politik dhe vetëdijen e shoqërisë për klimën. Kjo është një mundësi e mirë për krerët e shteteve dhe ekonominë për të paraqitur planet e tyre.

DW: Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka inkurajuar pjesëmarrësit të sjellin me vete propozime kurajoze dhe ide për aksione në mbrojtje të klimës. Çfarë prisni ju?

Shumë qeveri kanë për të raportuar se çfarë kanë inicuar, cilat janë planet për të ardhmen me qëllim të uljes së efektit të gazrave ndotës, dhe se si do të përshtatet infrastruktura e tyre për shkak të pasojavë të ndryshimit të klimës. Nga sektori privat duam të dëgjojmë se ç'kontribut do të japë ai për të ulur emetimet e veta. Ajo që na intereson më shumë, është se si do të përdoret kapitali i sektorit privat për të transferuar shërbimet e produktet tek ato me emetim të ulët të gazit karbonik, me qëllim të transformimit të ekonomisë globale në një ekonomi me gazra ndotës të reduktuar.

Christiana Figueres, e ngarkuara e OKB-së për klimën.
Christiana Figueres, e ngarkuara e OKB-së për klimën.Fotografi: UNFCCC

DW: Prisni premtime nga mikpritësit, SHBA apo nga një vend që ka rol themelor tek klima si Kina?

Po. Presim që të gjitha vendet të sjellin në tryezën e bisedimeve propozime, që vitin e ardhshëm do të përdoren formalisht për bisedime, megjithëse për këtë ato kanë kohë deri në mars të vitit të ardhshëm. Ne dimë se shumë vende tani kanë filluar të reagojnë, ato llogarisin që tani se çfarë mund të realizojnë në aspektin teknik, financiar, ekonomik e politik.

DW: Fakti që samiti zhvillohet në Shtetet e Bashkuara a mund të ketë ndikim tek mendësia e amerikanëve për politikën e klimës?

Presidenti Obama në mandatin e dytë ka kërkuar një angazhim të përshpejtuar në çështjet e klimës. Projekti më ambicioz është plani për modifikimin e centraleve të energjisë, një plan ky që i është paraqitur Agjencisë Amerikane të Mjedisit, EPA. Ne presim që presidenti Obama të thotë se si do të vazhdojë në të ardhmen. Por është e rëndësishmë që jo vetëm qeveritë e koncernet të bëjnë diçka, por edhe shoqëria civile. Ajo duhet të sensibilizojë më shumë vetëdijën e njeriut për klimën, të paraqesë shqetësimet e saj dhe të ndikojë tek firmat e vende të ndryshme për të çuar përpara ekonominë me gazra të reduktuar ndotës.

DW: Sa e vështirë është të zgjosh interesin publik për klimën, në kohën e konflikteve si në Lindjen e Mesme, në Ukrainë?

Përkundrazi. Besoj se këtë javë në Nju Jork do të kemi vëmendjen e duhur të mediave. Jo vetëm sepse kanë për të demonstruar me mijëra nëpër rrugë. Jo vetëm sepse kemi të ftuar krerë qeverish dhe krerë të ekonomisë botërore. Por sepse ata janë aty për një arsye shumë të fortë. Ndryshimi i klimës është kthyer në sfidën më të madhe të njerëzimit, së paku për këtë shekull. Tjetra se po rritet vetëdija për klimën. Ka shumë konflike në botë, të cilat kanë të bëjnë me mungesën e ujit, me migracionin për shkak të mungesës së ushqimit. Ndryshimi i klimës do të shtojë edhe më shumë këto konflikte. Kjo do të thotë, po qe se duam të mos kemi konflikte që dalin jashtë kontrolli, duhet të veprojmë sa më shpejt kundër ndryshimit të klimës.

Ban Ki-Moon i angazhuar në mbrojtje të klilmës
Ban Ki-Moon i angazhuar në mbrojtje të klilmësFotografi: picture alliance/AA

DW: Shifrat e fundit veçse tregojnë se rritja e gazrave ndotës nuk ka të ndalur. Çfarë duhet të ndodhë me qëllim që të pengojmë një ndryshim të klimës me përmasa katastrofike?

Shkenca e ka bërë të qartë - se ka vetëm një rrugë, kufizimin e rritjes së temperaturës globale vetëm me dy gradë. Ky samit, si edhe debatet në Peru në fund të vitit, apo në Francë vitin e ardhshëm do të japin mesazhin e qartë për qeveritë e botës dhe koncernet liderë - koha po ikën. Ende mund t'ia dalim, por për të shmangur ndikimet më katastrofike të klimës, duhet që deri në fund të vitit 2015 të arrijmë të kemi një marrëveshje globale për mbrojtjes e saj.