1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festivali i Bethovenit

Lindita Arapi10 Shtator 2013

Në Bonn ka hapur siparin Festivali i Bethovenit 2013, i cili është kthyer ndërkohë në njërin nga festivalet më të rëndësishëm të botës muzikore, jo vetëm në Gjermani. Motoja e festivalit 2013 është "Shndërrimi".

https://p.dw.com/p/19ezD
Monument i Ludwig van Beethoven
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Bonn, në qytetin prej nga transmenton edhe Deutsche Welle është ngritur skena për njërin nga festivalet, që nuk është i rëndësishëm vetëm në Gjermani, por gjithnjë e më shumë ka fituar famë botërore në botën e muzikës, Festivali i Bethovenit. Qyteti i Bonit, një qytet historik dhe kryeqyteti i dikurshëm gjerman është krenar për birin më të famshëm të tij, kompozitorin e famshëm, Ludvig fan Bethoven.

Franc List paguan monumentin e Bethovenit

Monumenti i Bethoven në qendër të Bonit.
Monumenti i Bethoven në qendër të Bonit.Fotografi: Fotolia/pixs:sell

Sot qyteti kujdeset shumë për ruajtur këtë trashëgimi. Shtëpia muze e Bethovenit, një monument në qendër të qytetit e që prej 166 vjetësh Festa e Bethovenit - të gjitha këto e shumë të tjera e kujtojnë kompozitorin më popullor të botës deri më sot, Ludvig fan Bethoven. Por fillimisht Boni nuk tregonte ndonjë interes të madh për kompozitorin. Kështu në 75 vjetorin e lindjes së Beethovenit, në vitin 1845, pianisti dhe kompozitori tjetër i famshëm, Franc List, një adhurues i Bethovenit i pagoi nga xhepi i tij paratë që duheshin për të paguar skulpturën në sheshin e qytetit, sot simboli i Bonit. Ceremonia e inagurimit u shoqërua me një festë muzikore tre ditore, ky eveniment konsiderohet si koha e lindjes së Festës së Bethovenit. Por pasi Franc List u largua nga Boni, ideja e festës u harrua për 25 vjet.

Në qendër veprat e Bethovenit

Musik Ludwig van Beethoven komponiert
Fotografi: picture-alliance / akg-images

Ishte vetëm rritja e interesit për muzikën e Beethovenit, që e ktheu sërish në jetë Festivalin e Bethovenit, sot një pikëtakimi e muzikantëve nga e gjithë bota, dhe mjaft i vlerësuar për nivelin e lartë muzikor që ofron. Festivali zgjat gati gjashtë javë, me një program të ngjeshur muzikor, i cili u jep mundësi solistëve, dirigjentëve dhe orkestrave sinfonike nga vende të ndryshme të botës të shfaqin veprat muzikore në 70 koncerte, në 29 salla koncertesh. Sigurisht në qendër të Festivalit janë veprat e Bethovenit. Interesante është edhe motoja, me të cilën paraqitet çdo vit ky festival: Këtë vit motoja është "Shndërrimi", që nënkupton variacionin dhe adaptimin, traditën dhe rinovimin. Por festivali nuk ofron vetëm muzikë, por edhe një sërë aktivitetesh të tjera që e shoqërojnë këtë Festival botëror! E në fund një kuriozitet: Drejtoresha e re e Festivalit të Bethovenit është Nike Wagner, stërmbesa e po ashtu njërit nga kompozitorët e famshëm botërorë, Rihard Wagner.