1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritische Stimme

9 Gusht 2011

Të paktë janë ata që mishërojnë pasojat e 11 shtatorit ndaj Afganistanit, aq sa Fahim Dashty. Ai është i njohur për angazhimin e tij kundër talebanëve dhe për lirinë e shtypit.

https://p.dw.com/p/121N4
Botuesi Dashty me gazetat e arkivit të gazetës «Kabul Weekly»
Botuesi Dashty me gazetat e arkivit të gazetës «Kabul Weekly»Fotografi: DW/Martin Gerner

Për shumë afganë data vendimtare nuk ishte 11 shtatori, por 9 shtatori i 2001. Atë ditë, terroristët e Al-Kaida-s bënë një atentat kundër njërit prej udhëheqësve më të njohur të Afganistanit, Ahmad Shah Massudit. Si koka strategjike e aleancës veriore ai mbronte atë pjesë të fundit të vendit, që ende nuk kishte rënë në dorë të talebanëve. Fahim Dashty e përjetoi nga afër atentatin: «Unë i pashë me sytë e mi ata që kishin lëndën shpërthyese», kujton 38 vjeçari. Rreth Massud-it ishin grumbulluar njerëz që e dëgjonin, ndër ta edhe Dashty e dy gazetarë. Ata ishin terroristë të kamufluar, siç do të dilte në pah disa sekonda më vonë. «Unë isha ulur prapa tyre, kur plasi nga përpara bateria me lëndë shpërthyese.»


Dita vendimtare

Dashty para një fotografie të idhullit të tij të madh Massud
Dashty para një fotografie të idhullit të tij të madh MassudFotografi: DW/Martin Gerner

Nga një aparat fotografik e ndezën eksplozivin dy «gazetarët» që vepronin me porosi të Al Kaidës. Disa vetë vdiqën menjëherë, ndër ta edhe Ahmad Shah Massud-i, udhëheqësi karizmatik i luftës kundër talebanëve dhe pushtimit rus. «Në fakt duhej të më zinte mua të parin», kujton Dashty. «Unë isha ulur vetëm një gjysmë metri larg tyre. Massud-i dhe të tjerët ishin vetëm dy-tre metra larg.» Dashty shpëton. Trupi i tij më pas është plot shenja të djegurash. Flokët janë të karbonizuar. Plagët trupore shërohen me kalimin e kohës, por vdekja e Massud-it lë një boshllëk të thellë në jetën e tij.

Dashty-n e lidh me Massud-in prejardhja. Ata të dy vijnë nga Lugina e Panjshirit, istikami legjendar i qëndresës afgane ndaj pushtuesve rusë. Ushtria ruse këtu pat luftuar me thonj e me dhëmbë. Edhe sot e kësaj dite gjen copa tankesh në brigjet e luginës. «Shtatë herë sulmoi ushtria ruse nga ajri dhe toka. Por ata nuk mundën kurrë ta merrnin luginën. Kjo ishte merita e tij», thotë Dashty për idhullin e vet.

Që kur ishte në gjimnaz ai donte të bashkohej me forcat e Massud-it. Por ai e dërgoi në Kabul. Dashty duhet të përfundonte njëherë shkollën. Kur e futi në xhep diplomën, ai i shoqëroi muxhahidinët si reporter i një ekipi të vogël televiziv, që dokumentonte veprën e Massud-it. Asokohe, në 1993, u themelua edhe «Kabul Weekly» , një gazetë e përjavshme e partisë së Massud-it. Dashty-t i vijnë ndër mend fillimet e tij si gazetar: «Veç luftë, shpërthime, njerëz që vdisnin para syve të mi. Por unë isha i ri. E kisha për detyrë të raportoja për to.»

Çmimi i lirisë së medies

Në vitin 2002 Dashty rimëkëmb «Kabul Weekly»-n. Në kohën e talebanëve revista nuk mund të botohej për shkak të luftës. Në fillim erdhën ndihma nga jashtë. Dashty që në fillim del në opozitë ndaj qeverisë së Karzait. Ai mendon se Karzai u është nënshtruar rregullave të lojës së shoqërisë afgane fisnore dhe jo atyre të demokracisë. Kritika nuk mbetet pa pasoja: «Një ditë ai më dërgoi një burrë të rëndësishëm nga qeveria për të më paralajmëruar. Ai më tha: «Ka mundësi që të të ndodhë një aksident automobilistik.» Plane të tilla për vrasjen e vet Dashty i merr shtruar e me ironi.

Pastaj vjen viti i zgjedhjeve, 2009-a. Mbi një milionë vota falsifikohen. Edhe «Kabul Weekly» e kritikon manipulimin e zgjedhjeve. Një qëndrim ky sërish me pasoja: «Disa sipërmarrje, që mbështesin fushatën e Karzai-t, kishin blerë shpallje tek ne. Por kur panë se sa kritikë që ishim, i tërhoqën porositë.» Me gjithë humbjet në biznesin e shpalljeve ai arrin ta mbajë gjallë gazetën deri në mars 2011. Pastaj detyrohet ta mbyllë. Panorama e re mediatike është plot kurthe. Dashty e ndjen veten viktimë të ekonomisë neo-liberale të tregut në Hindukush.


E ardhme e pasigurt pas tërheqjes së trupave

Fahim Dashty
Fahim Dashty me të birin dy vjeçar YusufFotografi: DW/Martin Gerner

Nga misioni i Perëndimit në Afganistan ai megjithatë mundi të përfitojë shumë gjëra të mira. «Është hera e parë në historinë 500 vjeçare, që afganët pranojnë një ushtri të huaj në territorin e tyre.» Dashty me të shoqen dhe tre fëmijë të vegjël banojnë në Mikorejan në një bllok banesash me parafabrikate të ndërtuara nga koha e sovjetikëve. Lagjja është e preferuar, sepse ndërtesat janë me ngrohje. Ai shikon disa fotografi nga Massud-i, heroi për të cilin flet plot respekt. Por një pjesë e njerëzve në Kabul mendojnë se Massud-i është përgjegjës për bombardimet me shumë të vdekur në fillim të viteve 90-të, kur grupe të ndryshme muxhahidine luftonin në kryeqytetin afgan.

Anschlag auf internationale Truppen in Kabul
Dashty paralajmëron që trupat e NATO-s të mos tërhiqen parakohe nga Afganistani (në fotografi ushtarë britanikë në Kabul)Fotografi: picture-alliance / dpa

Gjendjen aktuale Dashty e shikon me skepticizëm. Me talebanët nuk mund të negociohet, thotë ai. Edhe tërheqjen e trupave të NATO-s deri në 2014-ën ai e shikon në mënyrë kritike. «Bëjmë gabim po qe se çdo gjë e bëjmë sipas një plani të caktuar që më parë.» Paralajmërimi i tij në rast të një tërheqjeje të parakohshme ndoshta tingëllon paksa cinik: «Ne afganët nuk do të paguajmë ndonjë çmim të madh, veç ca shkolla, ca spitale e ca jetë njerëzish. Më shumë se dy milionë njerëz janë vrarë në këtë vend gjatë 30 vjetëve të fundit. Por në se kjo luftë në Afganistan nuk do të përfundojë me sukses, atëherë ju do të duhet ta vazhdoni atë nesër në Berlin, Paris, Londër, Madrid a Amerikë.»


Autor: Martin Gerner / Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora