1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë evropiane shkrimtarësh

Aya Bach / exh11 Maj 2014

Kush ose çfarë është Evropa? A mund të krijojë letërsia një Evropë e cila është më shumë se territor? Dhe çfarë mund të jetë kjo Evropë? Në Berlin shkrimtarë diskutojnë për identitetin dhe historitë.

https://p.dw.com/p/1Bxdn
Fotografi: picture alliance/Romain Fellens

Ah, Evropa! Sa më shumë përpiqesh ta vësh në fokus, aq më të të turbullta bëhen konturet. Evropa - kontinent, produkt i imagjinatës, utopi? Kala postkoloniale apo ruajtëse e gralit të lirisë, hapësirë kulturore apo thjesht një ëndërr? 30 shkrimtarë nga 24 vende takohen në Berlin për të vënë nën lupë Evropën në diskutime. Asgjë e jashtëzakonshme, mund të mendosh, në një kohë kur autorët dërgohen në gjithë botën në aktivitetin intensiv të kulturës. Ashtu si autorja gjermane Antje Ravic Rubel, një nga nismëtaret e takimit. Por „gjatë organizimit të konferencës dallova se sa pak di për disa vende evropiane dhe për letërsine e tyre. Ja që ne lexojmë shumë autorët amerikanë dhe anglofonë. Ka shumë rajone për të cilat nuk ia kam idenë. Konferenca bën që ne të njihemi me këta autorë.“

Kuartet harqesh dhe kamp përqendrimi

Qysh në fillim të takimit hapet një horizont nga Bjellorusia deri në Francë, nga Suedia deri në Slloveni. Shpejt dalin në pah keqkuptime. Për shembull moderjatorja pyet autoren urkainase Oksana Sabushko nëse ajo ndihet ndopak evropiane. „Unë jam ndjerë gjithmonë si ukrainase“, përgjigjet ajo me thumb, „prandaj jam ndjerë gjithmonë evropiane!“

Pak më vonë autori slloven Goran Vojnović pranon: "Fillimisht na u desh ta kërkonim Ukrainën në hartë“, "askush nuk e ka ditur që atje jetojnë edhe rusë". Kjo megjithëse ai vetë ka rrënjë familjare në Ukrainë: Atje u lind stërgjyshi i tij, stërgjyshja ishte nga Polonia dhe së bashku ata u zhvendosën në Bonjën e sotme. "Disa vite më vonë ", rrëfen Vojnović, "stërgjyshi im u dërgua në Slloveninë e sotme për të luftuar për Austrinë kundër Italisë dhe për të vdekur në Jugosllavi."

Antje Rávic Strubel
Antje Rávic StrubelFotografi: dtv / Zaia Alexander

Çfarë i bashkon atëherë evropianët kur edhe autorë me identitet krejtësisht evropian janë të pasigurtë në këtë pyetje? Po t'i besosh suedezit Richard Swartz nuk janë shumë gjëra që i bashkojnë. Ai numëron vetëm katër pikë: Kuarteti i harqeve, një shishe verë e kuqe e mirë franceze, kampet e përqendrimit dhe mëllenja që këndon kryesisht në Evropë. Menjëherë ka kundërshtime: Ku mbetet iluminizmi dhe renesansa evropiane, Revolucioni Francez? A nuk është Evropa një histori suksesi e paqes pas qindra vitesh luftërash dhe armiqësish të vjetra?

Evropa histori suksesi?

Së paku shumëzërashe është kjo strukturë gjeografiko-politiko-filozofike. Ky fakt mund të përbëjë një vlerë në vetvete. Sidoqoftë autori Tilman Spengler, njëri nga nismëtarët e takimit, është i bindur që Evropa "u ka sjellë fat shumë njerëzve". Megjithatë, bëhet fjalë për një fat të rrezikuar. Në Bavari, atje ku peisazhin politik e dominon Partia Kristiansociale (tejet konservatore), ai ka dëgjuar "një ton jo të mirë" dhe "ksenofobi latente", ka përjetuar armiqësi ndaj të huajve dhe ndaj Evropës.

Fakti që Evropa është një histori suksesi bëhet i qartë po të kemi parasysh vitin 1988. Më atë vit u mbajt në Berlinin perëndimor e para (dhe deri më sot e vetmja) konferencë evropiane e shkrimtarëve. Se ç'aventurë ishte të mbërrije në Perëndim kur jetoje pas Perdes së Hekurt, këtë e kujton hungarezi György Dalos. Ai kishte një leje qëndrimi të autoriteteve hungareze për të kaluar një vit në Vjenë: "si punëmarrës, i cili një pjesë të pages në valutë perëndimore duhet ta dërgonte në Hungari ". Nga ana tjetër për autoritetet austriake "unë isha një turist i pasiguruar dhe kisha detyrimin për të kërkuar rregullisht në policinë për të huajt zgjatje të së drejtës së qëndrimit".

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter SteinmeierFotografi: Dirk Bleicker

Diagnostikimi i sëmundjeve të fshehta

Ndërkohë duket e vetëkuptueshme që të udhëtosh nga Hungaria në Austri dhe në Gjermani e anasjelltas. Por a është për këtë arsye Evropa e shëndetshme? Mbi konferencën e vitit 2014 qendron pezull kërcënimi më i madh i fatit evropian në këto ditë - konflikti i Ukrainës. Një tragjedi, thotë Oksana Sabushko nga Kievi, e cila gjykon ashpër jo vetëm qeveritarët, po edhe shkrimtarët: "Këtë tragjedi e mbulon, e shtrembëron dhe e maskon një koracë e përbërë nga fjalë, tërheq vërejtjen ajo. "Prej kësaj prodhohen histori që përtypen e ripërtypen në medie, ndërkohë që vazhdon të derdhet gjak." Megjithatë ajo sheh një shans te krijimtaria letrare: "Letërsia bashkëkohore evropiane përpiqet sot të diagnostikojë sëmundje të fshehura të civilizimit evropian".

Oksana Sabruschko
Oksana SabruschkoFotografi: Dirk Bleicker

"Puth një evropian!"

Por jemi ende larg një tregimi të madh, i cili do të mund ta bashkonte Evropën. "Evropa nuk ka për të pasur kurrë narrativin me vlefshmëri përfundimtare", pranoi edhe Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili bën pjesë tek nismëtarët e konferencës dhe e hapi atë. "Evropa nuk ka për të pasur kurrë vetëm një identitet të përbashkët", e po aq pak ka për të folur "me një gjuhë të përbashkët". Mirëpo për të ajo as nuk ka nevojë. Asaj i duhen "mekanizma, instrumente dhe marrëveshje, të cilat prej morisë së zërave të saj prodhojnë veprime të unifikuara".

E kësisoj në fund të një dite të gjatë pati një manifest të autorëve, ku Evropa paraqitet herë si ëndërr e herë si traumë. Herë politikisht, herë poetikisht – si tek danezja Janne Teller: "E dashur botë, / puth një evropian; / Ata kanë nevojë për këtë. / E dashur Evropë, / puthe botën; / Ti ke nevojë për këtë puthje."