1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Era e ndryshimeve i dha impuls të ri bashkëpunimit

30 Janar 2012

Flet ambasadori i RFGJ-së Bernd Borchardt - 20 vjet bashkëpunim dhe kontributi gjerman që pas 2 korrikut

https://p.dw.com/p/O7aY
Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ flet për kontributin gjerman për Shqipërinë
Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ flet për kontributin gjerman për ShqipërinëFotografi: DW

Ambasadori Borchardt duke iu kthyer zhvillimeve të 20 viteve më parë në Shqipëri, i përshkruan ato si „ngjarje dramatike“ në periudhën nga 2 korriku deri në mesnatën nga 12 deri në 13 korrik 1990.

„Në fund, mbi 3000 njerëz kërkuan strehim në ambasadën tonë duke dashur kështu të arrinin largimin nga Shqipëria. Ngjarjet u shoqëruan jo vetëm me shkelje nga më masivet të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist kundër atyre që donin të udhëtonin jashtë vendit, por edhe me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare ndaj ambasadës: të shtëna në territorin e ambasadës, hyrje me forcë e policëve në ambasadën tonë, ndërprerja e furnizimit të ambasadës, madje as posta diplomatike nuk u lejua të vinte te ne. Disa ndoshta ende do të kenë në kujtesë, se çfarë kushtesh katastrofale, higjienike dhe mjekësore solli e gjithë kjo në territorin e ambasadës“.

Ngjarjet e ambasadave shkaktuan një hap të madh mbrapa në marrëdhëniet gjermano shqiptare

Kryediplomati gjerman në Shqipëri vë theksin tek acarimi në kulm i marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat arritën deri në ndërprerjen e tyre pas ngjarjeve të ambasadave, duke mbajtur vetëm disa aspekte nga fusha e kulturës dhe nga arsimi.

„Sigurisht, që për ne kjo shkaktoi një hap të madh mbrapa në marrëdhëniet dypalëshe. Ndryshe nga shumica e partnerëve të tjerë perëndimorë të Shqipërisë, ne kishim nisur që në kohën e komunizmit bashkëpunimin për zhvillim me Shqipërinë. Këtë bashkëpunim ne e ndërpremë pas ngjarjeve të korrikut 1990 duke vazhduar vetëm bashkëpunimin kulturor, si dhënien e bursave. E kishim nisur bashkëpunimin për zhvillimim duke besuar në premtimet për reforma të regjimit komunist në Shqipëri dhe e pamë të konfirmuar qëndrimin tonë në reformat e para ekonomike dhe disa përmirësime në maj 1990. Por brutaliteti dhe sulmet gjatë dyndjeve në ambasadën tonë, por edhe në të tjerat prekën themelet e këtij bashkëpunimi“.

Era e ndryshimeve ndikoi në gjallërimin e bashkëpunimit dypalësh

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt thotë për DW –në se situata ndryshoi pas protestave të studentëve të 8 e 9 dhjetorit të vitit 1990, të cilat sipas tij, dhanë një kontribut kyç për drejtimin e duhur zhvillimeve të brendshme politike në Shqipëri. Më pas qeveria, kujton ai, lejoi krijimin e organizatave politike të pavarura, u themelua Partia Demokratike, për herë të parë u lejuan shërbesa fetare katolike, publike, u shpallën zgjedhjet për 10 shkurt 1991.

Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në intervistë me Arben Mukën, DW
Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në intervistë me Arben Mukën, DWFotografi: DW

„Megjithatë kjo ende mbetej larg asaj që ne kuptojmë me demokraci. Por në atmosferën e veçantë të vitit 1989 deri 1991 ne arritëm të dallonim që Shqipëria nuk donte të mbetej jashtë lëvizjes reformuese në gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, asokohe komuniste, si dhe që, edhe pse ngadalë, nisi të lëvizte në drejtimin e duhur. Nisur nga kjo, ne vendosëm të ndërmarrim përgatitjet teknike, për të rihapur pas zgjedhjeve ambasadën tonë të mbyllur pas tensioneve, të rinisnim bashkëpunimin tonë për zhvillim dhe të merreshim me përgatitjen e projekteve të mëdha kulturore“.

Sipas ambasadorit Bernd Borchardt disa nga projektet e rëndësishme që vijuan në atë periudhë ishin mbështetja e Universitetit Bujqësor të Tiranës, nxitja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe masat për nxitjen e arsimit profesional, sjellja e makinerive bujqësore, projektet e para në fushën e furnizimit me ujë të pijshëm si dhe investimet, p.sh. në Aeroportin e Rinasit.

Nga viti 1998 e deri më sot mbështetja gjermane 1 miliardë Euro

„Që nga vendosja e bashkëpunimit për zhvillim me Shqipërinë në vitin 1988, Gjermania ka vënë në dispozicion rreth 1 miliardë euro në kuadër të këtij bahkëpunimi. Dhe këtu përfshihen vetëm fondet nga bashkëpunimi ynë dypalësh për zhvillim dhe kontributi ynë në fondet që ka vënë në dispozicion Bashkimi Europian për Shqipërinë. Të tjera forma të mbështetjes si bursat, bashkëpunimi në fushën ushtarake, apo kontributi ynë në Bankën Botërore, UNDP, BERZH etj. nuk janë përfshirë këtu“.

Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në intervistë me DW
Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në intervistë me DWFotografi: DW / Arben Muka

Arësyet e kësaj mbështetjeje, sipas ambasadorit, janë të ndryshme. Në fillim, sipas tij, kjo mbështetje duhet të paraqiste një nxitje për reforma për regjimin komunist.

„Më pas bëhej fjalë për rindërtimin e vendit tuaj ekonomikisht të shkatërruar. Nëse shikoni, se ne vetëm prej vitit 2008, në planin dypalësh, pa marrë këtu parasysh kontributin në kuadër të asistencës së BE-së, kemi vënë në dispozicion të Shqipërisë mbi 200 milionë euro, mund të vëreni një rritje shumë të madhe të angazhimit tonë në vend. Ndërsa sot, e rëndësishme është ta bëjmë Shqipërinë sa më shpejt të gatshme për aderimin në BE. Ne e japim kontributin tonë në fushat e furnizimit me ujë të pijshëm dhe menaxhimit të ujërave të zeza, furnizimit me energji elektrike si dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë“.

Duke u ndalur në rezultatet e bisedimeve zyrtare të pak javëve më parë që u mbajtën në Tiranë ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, ambasadori Borchardt përmend rikonfirmimin e mbështetjes për projektet për zhvillim, të cilat për dy vitet 2010 dhe 2011 kapin një vlerë totale prej 78,2 milion eurosh. Sipas tij, fondet do të vijojnë të shkojnë kryesisht në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm social të ekonomisë, eficiencës së energjisë, menaxhimit të ujit të pijshëm, menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve inerte.

„Me fonde tashmë të miratuara më parë do të vijohen projekte të rëndësishme: Ndërtimi i një linje transmetimi Tiranë - Podgoricë, rehabilitimi i linjës unazore të transmetimit në Shqipërinë e Jugut, ndërtimi i një linje transmetimi Shqipëri-Kosovë, rehabilitimi i kaskadës qëndrore Mat-Drin për prodhimin e energjisë elektrike për Shqipërinë, si dhe furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i ujërave të zeza në disa qytete të vendit“.

Një shans të rinjve që në të ardhmen të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe

Një nga fushat e mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë është arsimi dhe kualifikimi shkencor. Numri i bursave të qëndrimit që akordohen për nxënësit, studentët, mesuesit, studiuesit, apo specialistë e ekspertë shqiptarë të fushave të ndryshme për në Gjermani është i konsiderueshëm. Ambasadori Borchardt thotë se për këtë vit janë rreth 100 të tilla, po kaq ishin dhe vitin e kaluar.

Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në intervistë me DW
Bernd Borchardt, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në intervistë me DWFotografi: DW /Muka

„Spektri shtrihet nga bursat për gjuhën, deri në studime të plota në Gjermani, në të cilat ftohen të marrin pjesë të rinj dhe të reja nga Shqipëria. Për mua ishte një kënaqësi që arritëm ta rrisim numrin e bursave nga 50 për vitin 2008 në rreth 100 për vitin 2009 dhe 2010. Krahas bursave, janë dhe një sërë profesorësh gjermanë të cilët japin mësim në universitetet shqiptare. Angazhimi përqëndrohet në fushën e gjuhës dhe në mbështetjen e fakultetit Ekonomik të Univeristetit të Tiranës ku gjithashtu jep mësim një docent gjerman. Aktualisht janë gjithsej shtatë docentë gjermanë që japin mësim në universitetet tuaja, të cilët mbështeten dhe nga pedagogë me kohë të pjesshme“.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Bernd Borchardt, në intervistën për DW përmend dhe një shtyllë tjetër të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Nga viti 2008 është ngritur një seksion dygjuhësh në gjimnazin „Sami Frashëri“, në Tiranë. Veç kësaj mbështeten dhe shkollat e mesme të gjuhëve të huaja.

„Në terma afatmesme gjimnazi „Sami Frashëri“ do të ofrojë dhe një maturë të përbashkët, e cila do të njihet si në Gjermani dhe në Shqipëri. Për ta bërë të mundur këtë kemi punuar me një angazhim të veçantë. Gjatë vitit 2007 kishim vetëm dy mësues gjermanë në Shqipëri, ndërsa sot janë shtatë të tillë. Besoj, se përmes këtij angazhimi ne u japim një shans të rinjve, që në të ardhmen të japin një kontribut të konsiderueshëm në zhvillimin e mëtejshmëm të marrëdhënieve dypalëshe gjeramano-shqiptare, në një Europë gjithmonë e më të bashkuar“ - thotë ambasadori Bernd Borchardt.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Auron Dodi