1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Entertainer of the century" - Diana Ross në jubileun e 70 vjetorit

Susanne Cords / Angjelina Verbica25 Mars 2014

Ajo njihet në mbarë botën. Në karrierën 50 vjeçare Diana Ross s' ka lënë çmim pa marrë dhe një revistë e muzikës pop e ka cilësuar atë "Entertainer of the century". Më 26 mars ikona e muzikës soul dhe pop mbush 70 vjeç.

https://p.dw.com/p/1BVba
Sängerin Diana Ross
Fotografi: picture-alliance / Mary Evans Picture Library

E gjitha ka filluar në Detroit në geton Black-Bottom mes një studioje boksi dhe portave të fabrikës të automobilëve Ford. Këtu e kishte ende selinë e saj firma e disqeve Motown dhe këtu aplikoi e reja Diana Ernestine Ross për një vend pune si këngëtare. Në vend të kësaj shefi i markës Berry Gordy e punësoi atë si sekretare.

Krijohet grupi Supremes

Megjithatë mundësia për të kënduar iu ofrua asaj së bashku me sekretaret e tjera. Në vitin 1961 Diana së bashku me dy shoqet e saj të shkollës Florence Ballard dhe Mary Wildon bën një bisedë prezanuese te shefi i saj. Berry Gordy ia ndryshoi emrin treshes së muzikës soul nga "primettes" në "supremes" dhe lidhi me të tria një kontratë.

Diana Ross and the Supremes
Diana Ross dhe SupremesFotografi: Getty Images

"Where did our love go" u bë në vitin 1964 hiti i parë i Surpremes, pas tetë këngëve të pasuksesshme. Ai do të ishte një nga të shumtët. Soul-ladies shitën në karrierën e tyre nëntëvjeçare rreth 25 milionë disqe, në vitin 1988 ato zunë vend edhe në Hall of Fame. Vështirë të besohet, pra, që punonjësit e Mowtown talleshin dikur me trion si "No-Hit Supremes" për shkak të dështimeve të fillimit.

Rruga e saj si soliste

Që Diana dilte gjithnjë e më shumë në plan të parë, nuk u pëlqeu aspak shoqeve të saj dhe kështu 26 vjeçarja nisi karrierën e saj solo në vitin 1970. Prerja e thjeshtë e flokëve u zevëndësua me flokët e dredhura, rrobat u bënë më ngushta dhe bizhuteritë më të ndritshme. Diana zhvilloi stilin e të vet tërheqës dhe një gjysmë viti më vonë e gjeti veten sërish në krye të listave me këngën "Ain't No Mountain High Enough".

Sängerin Diana Ross
Diana Ross, fotografi e vitit 1970Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Në vitet në vijim Diana Ross u bë një yall verbues me karrierën e saj si këngëtare dhe aktore. Zëri i saj përfaqësonte një epokë të tërë dhe bashkonte në vetvete pasionin për muzikën soul, funk-power, pop dhe kulturën e diskotekës. 1972 Diana debutoi si aktore në biografinë hollivudiane "The lady sings the Blues" në rolin Billie Holiday, për të cilin u nderua me golden globe. Tre vjet më vonë pasoi filmi "Mahogany", në të cilin ajo këndonte edhe këngën "Do You Know Where You're Going To", që zuri vendin e parë të listave. Ajo shkëlqeu në Broadway, drejtoi një show të vetën dhe punoi ngushtë me yje si Lionel Richie dhe Michael Jackson, me cilin e lidhte një miqësi shumë e ngushtë. Hiti i saj "Muscles" është vetëm një nga të shumtët, që ai shkroi për Diana Ross.

Trillet e divës dhe dashuria


Një nga momentet më legjendare të karrierës së saj ishte koncerti në natyrë në Central Park në New York në vitin 1983 para 750.000 spektatorëve. Diana Ross këndoi me zërin e mrekullueshëm në shi të dendur. Në momente të tilla admiruesve të saj u binin në sy trillet e starit, për të cilat përflitej diva kapriçioze.

Diana Ross, Grammy 2012
Diana Ross në Grammy Awards 2012Fotografi: Reuters

Në vitet 1990 Diana Ross u bë më e qetë. Disqet e saj në SHBA nuk arrinin dot më as ndër 100 të parat. Por këngëtarja nuk u demoralizua dhe tregoi talentin e saj si biznesmene. Ajo bleu një pjesë të markës "Motown", ku kishte filluar karrierën shumë vite më parë. Më vonë themeloi markën e saj "Ross Records". Në vitin 1996 ajo u nderua në Monte Carlo me "World Music Award" për veprën e jetës së saj.

Me mjaft modesti e përshkruante një herë Diana Ross karrierën e saj: "Nëse duhet ta përmbledh jetën dhe karrierën time në një fjalë, atëherë do të ishte: Dashuri. Për atë unë këndoj. Dashuria është më e rëndësishmja për mua. Qëllimi nuk është suksesi dhe nderimet. Jeta është vetë e mrekullueshme."