1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Elmar Brok: "E gjithë Marrëveshja e Asociimit me Ukrainën hyn në fuqi"

Natalia Sokolovska16 Shtator 2014

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, Elmar Brok, në intervistë për DW, shpjegon se si do të zbatohet Marrëveshja e Asociimit mes BE-së dhe Ukrainës.

https://p.dw.com/p/1DDK4
Elmar Brok / EU-Parlament / CDU / EVP
Fotografi: dapd

DW: Pjesa politike e Marrëveshjes së Asociimit mes Ukrainës dhe BE-së pritet të hyjë në fuqi në nëntor të këtij viti pas ratifikimit të saj nga Parlamenti Europian dhe Parlamenti i Ukrainës të martën (16.09). Ndërsa pjesa ekonomike e kësaj marrëveshjeje - marrëveshja për tregtinë e lirë - është shtyrë për në fund të vitit 2015. Çfarë do të thotë kjo për Ukrainën?

Elmar Brok: Kjo marrëveshje nuk është shtyrë. Një marrëveshje vendoset, zbatimi i saj pason në pjesë të caktuara teknike në mënyrë asimetrike. P.sh. produktet doganore në BE do të vazhdojnë të jenë pa doganë, ashtu siç ndodh në rastin e zbatimit provizor të marrëveshjes. Por Ukraina mund të vazhdojë të vendosë doganë për produkte të caktuara. Zbatimi realizohet hap pas hapi, ndërsa i gjithë procesi hyn në fuqi - pra pa kufizime dhe dallime.

Për shumë ukrainas një vendim i tillë ishte surprizë. Përse u vendos kjo pikërisht tani?

Për këtë është folur në Newport (gjatë samitit të NATO-s më 4 - 5 shtator - shën. i red.). Për këtë janë zhvilluar bisedime. Ne edhe në samitin e BE-së në qershor nisëm të shqyrtojmë mundësitë. Me një zbatim të plotë të menjëhershëm p.sh. fuqia ekonomike e sipërmarrjeve europiane mund të shkaktojë dëme për ekonominë ukrainase. Ndaj sipërmarrjet ukrainase në kuadër të procesit te transformimit kanë kohë që të përgatiten në sektorë të caktuar, për të forcuar aftësinë konkurruese.

Çfarë duhet të ndodhë në këto 15 muaj në Ukrainë deri në zbatimin e plotë të marrëveshjes së tregtisë ?

Ukrainasit duhet t'i përmbahen procesit të tranformimit - p.sh. të përshtasin ligjet e tyre fiskale dhe doganore. Edhe ne kontribuojmë, që procesi i transformimit të mos ngadalësohet. Por njëkohësisht nga ana jonë është një ndihmë edhe se ne nuk këmbëngulim, që të gjitha këto të bëhen menjëherë.

Dua ta sqaroj këtë me një shembull nga e kaluara: Përderisa në vitin 1991 u shpërbë Bashkimi Sovjetik, planet e ekonomisë gjermano-lindore deri në vitet 1994-1995 për furnizimin e mallrave të caktuara në Bashkimin Sovjetik, nuk qëndronin më, kësisoj ekonomia gjermano-lindore nuk ishte në gjendje t'i bënte ballë konkurrencës dhe u shkatërrua. Një gjë e tillë përmes këtij procesi nuk mund të ndodhë sot me Ukrainën.

Pra zbatimi i marrëveshjes hap pas hapi është në favor të Ukrainës?

Po.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet për BE-në?

Ne për arsye të situatës në Ukrainë - luftë dhe influencë ruse - kemi hequr dorë prej avantazheve, që do të kishim duke e lënë që kjo të hyjë në fuqi më vonë. Ukrainasit mund të vazhdojnë të kërkojnë doganë në mbrojtje të ekonomisë së tyre, ndërsa ne nuk do të mund të vendosim doganë.

Rusia mund të shprehë rezerva të tjera kundër Marrëveshjes së Asociimit. A mund ta rrëzikojnë ato marrëveshjen?

Jo, ky proces është i mbyllur. Dhe rusët e kanë pranuar këtë. Ata kanë qenë të pranishëm në bisedime. Marrëveshja hyn në fuqi. Ajo do të zbatohet hap pas hapi, ashtu siç ndodh me shumë marrëveshje të tjera. Parë në aspektin ligjor marrëveshja e plotë me të gjitha detajet hyn në fuqi. Por shpesh ka rregulla të përkohshme. Kjo është pjesë e zakonshme e punës.

Politikani kristiandemokrat (CDU)gjerman Elmar Brok është që nga viti 2012 kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian.