1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspertët e klimës japin alarmin

Marcel Fürstenau/ Auron Dodi14 Prill 2014

Nxjerrja e gazeve të efektit serë është shtuar dhe me të edhe rreziku për katastrofa globale. Ky është lajmi i keq në raportin e ri të Këshillit Botëror të Klimës. Lajmi i mirë: ka ende shpresë për një kohë të shkurtër.

https://p.dw.com/p/1BhKH
Foto simbol CO2
Fotografi: picture-alliance/dpa

Megjithë përpjekjet, bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur që t'i reduktojë emisionet e dëshmshme për klimën CO². Përkundrazi, nxjerrja e gazrave të efektit serë është shtuar në periudhën 2000 deri 2010 më fort se në çdo dekadë që prej 1970. Në këtë përfundim arrijnë ekspertët e Këshillit Botëror të Klimës, në raportin e tyre të fundit, i cili u prezantua në Berlin. Megjithë perspektivat e errëta, titulli i raportit të paraqitur në anglisht është "Zbutje e ndryshimit të klimës" ("Mitigation of Climate Change"). Me këtë, autorët rreth shkencëtarit gjerman, Ottmar Edenhofer duan të theksojnë se ende ka mundësi për të ndërmarrë një kthesë.

Për të kufizuar rritjen e ngrohjes së tokës në maksimum 2 gradë Celsius, sipas ekipit ndërkombëtar të autorëve nevojitet një kombinim i masave politike dhe teknike. Vetëm po të mos kalohet kufiri i dy gradëve, mund të kufizohen sipas ekspertëve katastrofat gjithnjë e më të ndieshme natyrore si përmbytjet dhe thatësitë. "Mesazhi shkencor është i qartë: për të shmangur disekuilibre të rrezikshme të sistemit klimatik, ne nuk mund të veprojmë si deri tani", thotë eksperti i klimës Edenhofer.

Sipas skenarëve të shkencëtarëve, në fund të shekullit të 21-të nuk duhet të ketë më thuajse fare gazra të efektit serë, nëse do të ketë një shans për një jetë cilësore për njerëzit dhe ambjentin. Treshja e autorëve nuk lë asnjë dyshim se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë shpejt dhe të ndërmarrë një sërë masash, nëse synon fillimisht ta stabilizojë, pra të frenojë rritjen e nxjerrjes së gazrave të efektit serë.

Ottmar Edenhofer kryeson grupin e hartuesve të raportit për klimën
Ottmar Edenhofer kryeson grupin e hartuesve të raportit për klimënFotografi: picture-alliance/ZB

Çelësi i suksesit: bashkëpunimi ndërkombëtar

Potencial të madh shkencëtarët shohin në fushat e efikasitetit energjetik dhe të pyllëzimit. Teknologji me nxjerrje të ulët të CO² mund të jenë pozitive për shpenzimet, të cilat duhet të përdoren për dobësimin e ndryshimit klimatik, deklarojnë shkencëtarët. Trajtimi me kriter i hapësirave të tokës është një komponent tjetër kyç. Më pak shpyllëzime dhe mbjellja e njëkohshme e pemëve të reja, sipas shkencëtarëve mund ta frenojnë rritjen e nxjerrjes së emisioneve të CO², ose madje të shënojnë kthesë në këtë drejtim. Pyllëzimi i qëllimshëm, sipas raportit, mund t'ia pakësojë gazin e efektit serë tokës.

Se çfarë mendon qeveria gjermane për këto rekomandime, këtë do ta sqarojë të hënën në një aktivitet në Berlin ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel. I ftuar është edhe eksperti gjerman i klimës, Edenhofer.