1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane ul vrullin

Rolf Wenkel/Auron Dodi15 Gusht 2014

Ekonomia gjermane shënoi në pranverë rënie për herë të parë pas një viti. Midis prillit dhe qershorit rendimenti ekonomik ra 0,2 përqind në krahasim me tremujorin e kaluar. Sipas ekspertëve kjo është një rënie relative.

https://p.dw.com/p/1CvLx
Fotografi: picture-alliance/dpa

A po e zë gripi i verës ekonominë gjermane? Kriza e Ukrainës, bojkoti i Rusisë, shumë vatra të mundshme konfliktesh në Lindjen e Afërt, vështirësi në furnizimin me naftë dhe gaz, një euro e fortë, që i bën mallrat gjermane më të shtrenjta në tregun botëror - të gjitha këto nuk u shijojnë sipërmarrjeve në Gjermani. Nuk është për t'u çuditur që po çalon pikërisht tregtia me jashtë dhe që shefat e firmave, përballë pasigurive ndërkombëtare rezervohen me investimet.

Me pasoja për produktin e brendshëm bruto: për shkak të dobësisë në tregtinë e jashtme dhe të rënies së investimeve, produkti i ekonomisë gjermane midis prillit dhe qershorit ra papritur me 0,2 përqind në krahasim me një tremujor më parë. Këtë e bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden. Kjo është shifër më e madhe se ajo, që patën pritur shumica e ekspertëve, sepse shumë prej tyre kishin pritur në rastin më të keq stanjacion.

Megjithatë "Kjo është vetëm një xhungë", qetëson kryeekonomisti i Commerzbank-ës, Jërg Krämer. "Unë nuk shoh rrezik për recesion". Ndërsa Instituti Gjerman për Kërkimet Ekonomike (DIW) në Berlin tërheq vëmendjen për një efekt statistik: "Zhvillimi i dobët i dedikohet në një pjesë të madhe tremujorit të fortë të mëparshëm, në të cilin para së gjithash industria e ndërtimit shënoi rritje të dukshme për shkak të dimrit të butë", thotë Ferdinand Fichtner nga DIW.

Krizat gjeopolitike

Por eksperti për Gjermaninë në DIW, Simon Junker, tërheq vëmendjen edhe se rënia e investimeve "flet për gjurmët e para të frenimit për shkak të krizave gjeopolitike". "Ndoshta edhe më e rëndësishme është vazhdimi i dobësisë ekonomike në vende të rëndësishme partnere të Gjermanisë, si Franca dhe Italia", thotë Holger Sandte nga Nordea Bank. Sepse te partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë, te Franca, në pranverë ekonomia ishte në stanjacion. Prandaj qeveria e Parisit e përgjysmoi parashikimin për rritjen ekonomike në vitin 2014 dhe llogarit rritje të borxhit të vendit.

Në Gjermani firmat e treguan të rezervuara edhe në shpenzime për makineri dhe pajisje. Meqenëse eksportet u rritën më pak se importet, tregtia e jashtme i dha një goditje shtesë konjukturës. Impulse sollën nga ana tjetër konsumatorët privatë dhe ekonomitë publike, të cilët i rritën lehtas shpenzimet e tyre.

Qeveria gjermane pret për vitin 2014 një rritje ekonomike prej 1,8 përqind dhe në vitin 2015 një rritje prej 2,0 përqind. Disa ekonomistë e ulën parashikimin për 2015-ën në 1,7 përqind, për shkak të krizës në Ukrainë dhe pasigurive në rritje. Por kryekonomisti i Commerzbank-ës Krämer megjithatë kujton: "për një rritje të tillë ekonomike neve na kanë zili shumica e vendeve të eurozonës."