1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia e Rusisë vuan, por edhe sipërmarrjet gjermane

Sabine Kinkartz/ Auron Dodi11 Shtator 2014

A do t'i ashpërsojë me të vërtetë BE sanksionet ekonomike kundër Rusisë? Sipërmarrjet gjermane që bëjnë biznes me Rusinë dyshojnë që tani për efektin e masave ndëshkimore. Megjithatë ato duhet t'i përballojnë pasojat.

https://p.dw.com/p/1DA4V
Flamuri gjerman dhe ai rus
Fotografi: picture-alliance/dpa/K.-D.Gabbert

Çfarë efekti kanë sanksionet ekonomike në klimën e biznesit me Rusinë? Këtë pyetje ua shtroi Dhoma e Tregtisë së Jashtme gjermano-ruse sipërmarrjeve anëtare të saj. Vetëm 38 përqind e sipërmarrjeve u përgjigj se preken direkt nga sanksionet ekonomike. Por më shumë se gjysma e firmave, pra 58 përqind thanë se konflikti me Ukrainën ka efekt direkt në bizneset e tyre. Për Volker Treier, nga Shoqata Gjermane e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë ky është një rezultat i qartë: "Sanksionet do ta shpalosin vetëm me kalimin e kohës efektin e tyre, kështu që kjo shifër nuk do të mbetet 58%. Kjo shifër më duket e lartë, sepse sanksionet nisën vetëm në 1 gusht, dhe u bënë përpjekje që të synohen sektorë të caktuar."

Sipas Dhomës së Tregtisë së Jashtme vecanërisht fort janë të prekura sipërmarrjet e mesme të ndërtimit të makinave dhe pajisjeve. Ato janë të prekura më fort nga përdorimi me sa duket jo i formuluar shumë saktë i përcaktimeve për eksportin. Ka një pasiguri të madhe për mallrat që duhet të aprovohen dhe që nuk duhet të aprovohen nga Zyra Federale për Ekonominë dhe Kontrollin e Eksporteve (BAFA).

"Në fakt synimi ishte që të prekeshin me sanksione produkte të caktuara në nxjerrjen e naftës. Por pastaj u vendos i gjithë grupi i mallrave nën sanksione. Kjo ka bërë që të gjithë prodhuesit e pompave ose të automobilëve, të cilët duan t'i cojnë në Rusi produktet e tyre dhe i kanë këto pompa në produkt, të vrapojnë tek BAFA, megjithëse këto pompa nuk kanë të bëjnë fare me nxjerrjen e naftës."

Në parim, ekonomia ka madje mirëkuptim për masat ndëshkimore politike. Kjo edhe kur një pjesë e madhe i konsideron masat jo vetëm që dëmtojnë biznesin, por edhe të papërshtatshme. Vetëm një e pesta e të anketuarve beson që Rusia do të ndryshojë qendrimin politik për shkak të sanksioneve. 78 përqind nuk e besojnë këtë dhe presin që Rusia t'i kthejë kurrizin Evropës dhe të përqendrohet edhe ekonomikisht më fort te Kina, Koreja dhe Japonia. Shumë porosi që tani ose u jepen me ngurrim firmave gjermane, ose u jepen konkurentëve në Azi, vërejnë biznesmenët gjermanë.

Kjo është e hidhur për sipërmarrjet gjermane, sepse deri tani Gjermania ka qenë në sektorin industrial partneri më i rëndësishëm tregtar i Rusisë në Evropë. Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë llogarit që eksportet me Rusinë këtë vit të bien me 20 përqind. E llogaritur për Rusinë vetëm humbja llogaritet në shtatë miliardë euro. Po t'i shtohet kësaj edhe rënia e biznesit me Ukrainën, humbjet për industrinë e eksportit arrijnë në 10 miliardë euro e do t'i kushtojnë kësaj industrie një përqind rritje ekonomike.