1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eduard Kukan: Integrimi i Shqipërisë në BE pas 8 - 10 vitesh

Ani Ruci18 Dhjetor 2013

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan flet për DW. Kukan politikanëve shqiptarë: vazhdoni atmosferën pozitive pas zgjedhjeve të 23 qershorit, integrimi bëhet për shqiptarët.

https://p.dw.com/p/1AcAf
Eduard Kukan
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Z. Kukan, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, që përbëjnë Këshillin Europian, arritën dje një kompromis mes pesë vendeve anëtare të fuqishme të BE-së që nuk dhanë votën pro dhënies për Shqipërinë të statusit të vendit kadidat për anëtarësim dhe shumicës tjetër prej 22 vendesh që ishin pro: ata vendosën shtyrjen e vendimit për Shqipërinë deri në qershor 2014. Ndërkohë edhe Parlamenti Europian pati dhënë ditë më parë votën e tij pro. A ishte e papritur kjo shtyrje për Ju si europarlamentar dhe kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Europën Jug-Lindore?

Eduard Kukan: Nuk ishte krejt e papritur për mua. Nuk është sekret që disa vende anëtare të BE-së deklaruan rezervat e tyre lidhur me dhënien e statusit kandidat Shqipërisë. Mendoj që kjo ishte e ditur edhe nga politikanët e Shqipërisë. Megjithatë, ne të gjithë shpresuam që vendimi që do të merrej do të ishte pozitiv. Por për fat të keq kjo nuk ndodhi. Mendoj se ky vendim, shtyrja e statusit për Shqipërinë, nuk është një vendim i drejtë. Nisur nga natyra e një hapi të tillë në procesin e anëtarësimit – ai do të thotë thjesht inkurajim për forcat politike në vend pa asnjë implikim të mëtejshëm konkret në procesin e integrimit.

DW: Në fund të fundit a e gjeni realist skepticizmin e pesë vendeve të rëndësishme të BE-së: Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Holandës dhe Danimarkës, skepticizëm që u bë shkak që Shqipëria edhe këtë herë të mos e marrë statusin e vendit kandidat, për të cilin ka aplikuar që në vitin 2009?

Eduard Kukan: Me aq sa di këto pesë vende dëshirojnë prova më të rëndësishme se sa atmosfera e re dhe pozitive politike në vend, por ajo duhet të jetë e qëndrueshme, e sidomos lufta kundër korrupsionit duhet të ketë efektive me rezultate konkrete. Këto vende dëshirojnë një lloj historiku të dokumentuar që do të vërtetojë qëndrueshmërinë dhe rezultatet konkrete.

DW: A mendoni se në skepticizmin këtyre pesë vendeve ndaj Shqipërisë, mund të ketë ndikuar edhe përvoja jo pozitive nga vala e fundit e zgjerimit të BE-së, kam këtu parasysh anëtarësimin e vendeve të tilla si Rumania apo Bullgaria, që u provuan të jenë të parakohshme për nga arritja e standardeve që duhet të ketë një vend që anëtarësohet?

Eduard Kukan: Mësimet e nxjerra nga anëtarësimi në BE i Rumanisë dhe Bullgarisë luajnë rolin e tyre në përqasjen e vendeve anëtare të BE-së lidhur me anëtarësimin e gjithë shteteve të reja, që janë në procesin e hyrjes në BE. Kjo do të thotë që kriteret që duhen plotësuar plotësisht duhet të ndiqen deri në një periudhë të caktuar, gjatë së cilës duhet të realizohen reformat.

DW: Cilat mendoni se janë pritshmëritë konkrete të pesë vendeve, të cilat Shqipëria duhet t'i realizojë brenda gjashtë muajve, deri në qershor 2014? A mund të konsiderrohen arritjet në këtë hark kohor të qëndrueshme?

Eduard Kukan: Ashtu si e theksova, tanimë, pritshmëritë janë që Shqipëria gjatë këtyre gjashtë muajve duhet të provojë që kjo atmosferë e re politike, bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, është e qëndrueshme dhe do të sjellë rezultate në përparimin e axhendës europiane. Provat konkrete janë të nevojshme dhe duhet të ketë shumë të tilla në mënyrë që trendi, prirja të jetë qartësisht e dukshme. Besoj se është jo realiste të presësh nga Shqipëria që të arrijë gjithçka në gjashtë muaj. Dëshiroj t'ju sjell ndërmend këtyre pesë vendeve, se po flasim për status kandidat për Shqipërinë, jo për datën e fillimit të negociatave të pranimit, jo për pranimin e Shqipërisë në BE që do të kërkojë 8 - 10 vjet të tjera. Kjo nuk duhet harruar. Më duket se kërkesat e disa vendeve anëtare të BE-së nuk janë të qarta dhe po ngatërrojnë këto dy faza të procesit. Mendoj se ato duhet të jenë më objektivë dhe realistë.

DW: Çfarë do t'i këshillonit apo sugjeronit Shqipërisë, të dy palëve, maxhorancës qeverisëse dhe opozitës, që në qershor 2014 të mos ketë një shtyrje tjetë? A ka diçka që do t'i jepnit rëndesi të posaçme për t'u arritur në këtë kuadër që ju përshkruat?

Eduard Kukan: Mund të përsëris vetëm atë që e theksova gjatë diskutimeve në seancën plenare të Parlamentit Europian dhe në Këshillin e Marrdhënieve me Jashtë: që të dyja palët, qeveria dhe opozita duhet të vazhdojnë në trendin pozitiv, që filloi në vend pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Të dyja palët duhet të tregojnë me rezultate konkrete, se integrimi i Shqipërisë në BE është në interesin e tyre të përbashkët dhe përderisa kemi të bëjmë me një proces të gjatë në kohë, përtej mandatit të një qeverie, është e rëndësishme të provojnë që këtë e pranojnë të dyja palët para gjithkujt. Ato duhet të kenë vazhdimisht në mendjen e tyre, se integrimin po e bëjnë për shqiptarët.