1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edi Rama në Beograd – vizitë (jo)historike

Bahri Cani10 Nëntor 2014

Edi Rama është kryeministri i parë i Shqipërisë, pas Enver Hoxhës në vitin 1946 që viziton Serbinë. Vizita e shumëpritur zhvillohet nën hijen e incidenteve të fundit në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

https://p.dw.com/p/1Djn3
Edi Rama
Fotografi: Reuters

Vizita e Edi Ramës në Serbi nuk do të ketë karakterin historik, si qe shpresuar para incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri, më 14 tetor. Këtë e dëshmon edhe atmosfera "relativisht e ftohtë" në Serbi dhe fakti që kësaj vizite deri dje as mediat nuk i kanë kushtuar rëndësinë e një ngjarje historike.

Vetë kryeministri Aleksandar Vuciq deklaroi të shtunën se për këtë vizitë ditët e fundit nuk ka menduar shumë, sepse "këto ditë në Beograd ka pasur takime me tre kryeministra të tjerë". Eksperti Predrag Simiq pohon se kjo vizitë mund të ishte shtyrë për një periudhë më të qetë në raportet shqiptaro-serbe. Por me kërkesë të qarqeve perëndimore duhet të zhvillohet tani. Autoritetet serbe kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme sigurie, në mënyrë që vizita të kalojë pa incidente. Ndërkohë që interesimi i gazetarëve nga Serbia, Shqipëria de Kosova është bukur i madh. Nga burimet tona marrim vesh se kryeministri Rama do të ketë edhe një intervistë në televizionin shtetëror të Serbisë, RTS.

Karakteri historik

Edhe pse vizita e Ramës në Beograd ka shumë elemente të një ngjarjeje historike, ajo nuk do të ketë peshën historike. Simiq pohon se ky do të jetë hapi i parë në radhën e hapave të tjerë që duhen ndërmarrë. Ndërsa analisti dhe një nga organizatorët e aktiviteteve të Ramës në Beograd, Dushan Janjiq, tha për Deutsche Wellen se impulset e kësaj vizite duhet të shfrytëzohen për përmirësimin e raporteve mes Serbisë dhe Shqipërisë. Vizita e Ramës në Beograd është e para e këtij niveli pas asaj të Enver Hoxhës, në vitin 1946. Analistët thonë se vizita është një ngjarje e posacme, sepse pa normalizimin e plotë të raporteve shqiparo-serbe në Ballkan nuk do të ketë paqe të qëndrueshme.

Westbalkan-Konferenz Gruppenbild Angela Merkel
Simiq: Vizita mund të ishte shtyrë për një periudhë më të qetë në raportet shqiptaro-serbe, por me kërkesë të qarqeve perëndimore duhet të zhvillohet tani.Fotografi: Reuters

Fillimisht vizita e Ramës në Beograd ishte parashikuar të zhvillohej më 22 tetor, por Aleksandar Vuciq dhe Edi Rama kanë rënë dakord, pas incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri, që vizita të shtyhet për 10. Tetor.

Mos)marrëveshjet rreth agjendës

Drona me flamurin e "Shqipërisë së madhe" e ngritur në ndeshjen Serbi-Shqipëri, incidentet e rënda në ndeshje, sulmet ndaj dyqaneve të shtiparëve në Serbi dhe fjalët e rënda të njërës dhe palës tjetër, kanë bërë që cdo detaj i kësaj vizite të planifikohet mirë. Plani i vizitës është harmonizuar deri në detaje, deri të dielën. Në fund, pala serbe bëri të ditur vetëm disa pjesë të agjendës së vizitës së kryeministrit Rama në Beograd. Rama do të mbërrijë në Aeroportin e Beogradit në orën 09:30. Takimi i kryeministrave Vuciq dhe Rama fillon në 11:00. Ata të dy do të kenë një takim të ndarë kokë më kokë, që do të zgjatë 20 minuta. Më pas do të takohen delegacionit e dy vendeve, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi dhe në fund Rama dhe Vuciq do të dalin para gazetarëve. Me drekën zyrtare që shtron pala serbe, të paktën sa i përket protokolit të bërë publik nga zyra e kryeministrit serb, përfundon pjesë zyrtare e vizitës. Rama nuk do të pritet nga presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq.

Fußballspiel Belgrad Albanien Serbien Ausschreitungen Drohne
Fotografi: Reuters/Marko Djurica

Aktivitetet e tjera

Megjithatë Rama do të ketë edhe aktivitete të tjera gjatë gjithë ditës. Në orën 17 do të mbahet një panel iI organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, i Dushan Janjiq dhe Fondit për Shoqëri të hapur, me titull: "Kooperimi mes Shqipërisë dhe Serbisë". Në këtë takim, ku fjalën kryesore do të ketë kryeministri Rama, do të marrin pjesë delegacione të mëdha ekonomike (rreth 20-anëtrëshe) të Shqipërisë dhe Serbisë. Më pas Rama do të pritet edhe tek kryetari i Bashkisë së Beogradit. Me darkën e shtruar në ambasadën e Shqipërisë merr fund edhe dita e parë e vizitës së Ramës në Serbi.

Vizita në Preshevë

Në ditën e Dytë Rama dhe delegacioni nga Shqipëria do të shkojë në Luginë të Preshevës. Delegacioni do të pritet para godinës së Këshillit komunal në Preshevës. Organizatëort thonë se Rama do t'u drejtohet qytetarëve, ndërsa më pas do të ketë edhe takim me anëtarët e Këshillin Komunal të Preshevës. Përfaqësuesit politikë dhe qytetarët e Luginës së Preshevës janë duke u përgatitur që kjo vizitë të kalojë sa më mirë dhe qetë. Kryetari i Kuvendit të Preshevës, Ramiz Latifi tha se "vizita e kryeministrit Edi Rama, është dëshmi e përkrahjes dhe kujdesit të Shqipërisë për bashkëkombësit e vet."

Pas Luginës së Preshevës, diku nga mesdita, delegacioni i Shqipërisë do të kalojë në pikën kufitare të Konculit kufirin dhe do të futet në Kosovë. Në delegacionin shqiptar do të jenë edhe Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme, Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë dhe shumë këshilltarë e afaristë.