1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Historia e një të mbjetuare të ebolas

Richard Walker12 Tetor 2014

Nancy Writebol mbjetoi pasi u dërgua me avion në SHBA dhe iu nënshtrua atje një trajtimit të veçantë me medikamentin eksperimental ZMapp. Ajo i tregoi DW historinë e saj.

https://p.dw.com/p/1DTj1
Fotografi: D. Writebol

DW: Ju lutem na përshkruani momentin kur u ndjetë për herë të parë keq në Liberi

Nancy Writebol: Në fillim dukej sikur ishte malarje. Kisha vetëm temperaturë të lartë. Kisha edhe dhimbje koke por ajo është shumë normale për malarjen. Kështu shkova të bëja testin e malarjes, doktori ynë e bëri testin. Dhe ai rezultoi pozitiv për malarje. Atëherë shkova në shtëpi dhe mora mjekimin për malarje dhe për katër ditë qendrova në shtëpi, pushova dhe mora medikamentet. Të shtunën ende nuk po ndjeja përmirësim. Atëherë doktori ynë tha: "Nancy dua të bëj një test të ebolas. Nuk mendoj se është ebola pasi nuk ke simptoma të tjera, por kështu do të qetësohemi." Bëmë testin e ebolas dhe atë mbrëmje morëm rezultatin dhe ai ishte pozitiv.

Gjendja juaj u bë shumë serioze. Ishit e vetëdijshme pjesën më të madhe të kohës?

E humbja dhe e fitoja vetëdijen. Im shoq, David, tha se kishte ditë kur ulesha dhe flisja me të dhe madje arrija të haja pak. Më kujtohet diçka prej kësaj por shumica jo. Më kujtohet që flija shumë dhe më kujtohet se ditët ishin shumë të mërzitshme dhe me shi. Dhe unë isha shumë shumë e dobët. Nuk ngrihesha dot me forcat e mia dhe doktori dhe infermieret duhej të më ndihmonin. Çdo ditë bëhesha më e dobët. Ishte shumë e vështirë.

Si pjesë e trajtimit ju morët edhe medikamentin eksperimental ZMapp. Ju ishit një nga vetëm gjashtë njerëzit që e kanë marrë. Kishit probleme me këtë?

Jo shumë. M.q.s. ishte një medikament eksperimental, pyetja në mendjet tona ishte: a dua vërtet të marr një të tillë? Në një moment i telefonova Dr. Kent Brantly (një koleg, i cili ishte infektuar gjithashtu me ebola) dhe folëm për këtë pasi ai e kishte studiuar medikamentin. E pyeta nëse ai do ta merrte medikamentin dhe ai më tha se nuk ishte i sigurt. Atëherë unë i thashë: Nëse nuk e merrlr, askush nuk e ka testuar. Cili do të jetë rezultati? Por dikur arriti momenti kur ndjeva se po ta merrja do të ishte shumë mirë. Dhe nëse do e merrja dhe nuk do të mbijetoja edhe kjo do të ishte në rregull pasi pa medikamentin gjithashtu mund të mos mbijetoja. Mendja ishte në dilema të ndryshme për ato çfarë po ndodhnin.

Në fillim të gushtit ju u dërguat me avion privat në SHBA në spitalin Emory në Atlanta. Çfarë ju kujtohet nga ai udhëtim?

Kur më hipën në avion dhe i thashë mirëupafshim Davidit pyeta veten nëse do ta shihja sërish. Isha shumë, shumë sëmurë dhe nuk jam e sigurt nëse mjekët mendonin se do ta mbijetoja fluturimin. Më kujtohet doktori apo infermieri që u kujdes për mua dhe më hipi në avion. Mëshira e tij dhe kujdesi për mua ishin vërtet shumë të përzemërta. Përpara se të më vinte rripin e sigurisë ma mori fytyrën në duart e tij dhe tha: "Nancy, po të dërgojmë në shtëpi. Do të kujdesemi si duhet për ty." Gjatë fluturimit më kujtohet se isha shumë shumë e etur. Isha shumë e dehidratuar. Pastaj më kujtohen vetëm vendet ku u ulëm. Ata vinin dhe më tregonin: tani do të ulemi. Ndalonim për disa minuta dhe pastaj avioni ngrihej përsëri. Nuk më kujtohet kur më thanë se po uleshim në Atlanta. Më kujtohet kur arritëm në Main dhe më thanë: "Nuk jemi shumë larg Atlantës. Do të zgjasë edhe pak."

USA Ebola-Überlebender Nancy Writebol
E mbijetuara pas infektimit me ebola Nancy WritebolFotografi: DW/R. Walker

Më pas ju filluat ta merrnit veten...

Më kujtohet dita kur doktori erdhi dhe tha: Nancy, kemi marrë kthesën! Dhe më tha që do të mbijetoja. Më kujtohet që tha se një pjesë e testit nuk ishte më pozitiv për ebola. Dhe unë thashë vetëm "Lëvduar qoftë Zoti!". Ishte një moment shumë ngazëllyes, më kujtohet që mendoja: "Do të mund të mbaj në krahë nipin tim të ri!" Ishte shumë e gëzueshme të mësoja se do të mbijetoja dhe do të mund të shihja përsëri fëmijët dhe Davidin. Kjo e ndryshon krejtësisht mënyrën si mendon për gjërat dhe për njerëzit dhe për atë çfarë bën në jetë. Unë isha shumë mirënjohëse. E dija se vërtet kishte qenë ZMapp por edhe mbështetja dhe kujdesi, transfuzioni i gjakut. Gjithë këto mjete që Zoti përdori për të më shpëtuar jetën. Dhe jam shumë mirënjohëse për këtë.

Si e mbijetuar e ebolas ju keni një lloj imuniteti ndaj virusit. Mendoni se do të ktheheni në Liberia për të ndihmuar përsëri?

Mund të kthehem përsëri por doktorët më kanë thënë se nëse kthehem duhet të marr mbrojtje personale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ata nuk e dinë se sa kohë zgjat imuniteti apo sa i fortë do të jetë ai. Mendoj se kthimi ka rëndësi. Por nga ana tjetër është e rëndësishme edhe të jesh pjesë e platformës. Të jesh e aftë të flasësh dhe të ngresh nielin e sensibilizimit për atë që po ndodh në Afrikën Perëndimore, në mënyrë që të prodhohen vaksina, medikamente që kur ebola të godasë përsëri të ketë ndihmë për Afrikën.

Intervista u zhvillua nga korrespondenti i DW Richard Walker, Charlotte, North Carolina.