1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E drejta e votës është një gjë pozitive, po ajo nuk i zgjidh problemet e të mëdha të emigrantëve

Hans-Günter Kellner5 Gusht 2008

Qeveria spanjolle synon t'u lejojë të huajve të drejtën pasive dhe aktive të pjesëmarrjes në zgjedhjet për organet e qeverisjes lokale për të përmirësuar integrimin e të huajve në Spanjë.

https://p.dw.com/p/Er08
Shumica e të huajve nuk interesohen për politikën
Shumica e të huajve nuk interesohen për politikënFotografi: AP

Me integrimin politik të të huajve qeveria spanjolle synon jo vetëm të pengojë krijimin e shoqërive paralele, por edhe të mundësojë krijimin e një ndjenje të vërtetë komuniteti. Për këtë qeveria e Zapateros synon t'u lejojë të huajve të drejtën pasive dhe aktive të pjesëmarrjes në zgjedhjet për organet e qeverisjes lokale, ide kjo që po ndesh në shumë vështirësi.

Në stacionin e trenit Atocha në Madrid takojmë Narcisa Pijal që po shkon në shtëpi. Ajo punon në një azil pleqsh. Para se të marrë trenin ekuadorjania pi një kafe të ftohtë në një nga kioskat e stacionit. Sipas planeve të qeverisë spanjolle emigrantëve duhet t'u mundësohet pjesëmarrja aktive dhe pasive në zgjedhjet lokale, gjë që do të thotë se ata mund të zgjidhen edhe anëtarë të këshillave bashkiake apo madje edhe kryetarë bashkish. Por 44-vjeçarja Pijal është skeptike: "Për integrimin do të ishte mirë që edhe ne të kemi të drejtën e votës, por në këtë mes ka një problem me reciprocitetin. Spanjollët duhet të kenë të njëjtën të drejtë në vendet nga vijmë ne emigrantët. Pra do të zgjasë gjatë deri sa të nënshkruhen marrëveshje të tilla dhe ne emigrantët të kemi të drejtën e votës."

Klauzola e reciprocitetit pengesë

Kjo pasiguri është e justifikuar, sepse pengesat që krijon kushtetuta spanjolle me klauzolën e reciprocitetit janë edhe më të mëdha se sa mendon ekuadorjania, sqaron juristi, Juan Carlos Rois: "Për një gjë të tillë në disa vende latino-amerikane do të ishte i nevojshme ndryshimi i kushtetutës. Në Ekuador të drejtën e votës e kanë vetëm ekuadorianët. Kolumbia mund t'i lejojë spanjollët të marrin pjesë në votime, por jo edhe që të kandidojnë. Në Argjentinë kjo gjë ndryshon nga një rajon te tjetri. Pra e drejta e votës për emigrantët mund të dështojë edhe prej vullnetit politik të vendeve të tyre të origjinës."

Të huaj me të drejta të pabarabarta

Qeveria spanjolle dëshiron të emërojë ambasadorë të posaçëm për të ndërmjetësuar me qeveritë e vendeve nga vijnë emigrantët. Sindikatat kërkojnë që për shkak të vështirësive të këtyre bisedimeve Spanja të heqë dorë vetë prej klauzolës së reciprocitetit duke ndryshuar kushtetutën e saj. Në të kundërt do të krijohej një situatë ku në varësi të vendit nga vijnë disa të huaj të diskriminoheshin disa të tjerë jo.

Qeveria e Zapateros synon t'u lejojë të huajve të drejtën pasive dhe aktive të pjesëmarrjes në zgjedhjet për organet e qeverisjes lokale
Qeveria e Zapateros synon t'u lejojë të huajve të drejtën pasive dhe aktive të pjesëmarrjes në zgjedhjet lokaleFotografi: picture-alliance/ dpa

"Me disa shtete bisedimet do të ecin më shpejt me disa të tjera jo, madje me disa shtete as që do të nënshkruhet dot marrëveshje. Në fund të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të kandiduar do ta kenë vetëm ata që të huaj që vijnë nga vende të caktuara, kurse të tjerëve nuk do t'u jepej kjo e drejtë edhe nqs. ata jetojnë këtu prej 10 apo 20 vjetësh." - thotë Ana María Corral, përfaqësuese e sindikatës UGT.

Duhet më tepër punë për edukim politik dhe qytetar të të huajve

Megjithë detajet e këtij debati në Spanjë nuk është askush kundër së drejtës së të huajve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Por shoqatat e të huajve kërkojnë që të bëhet më tepër për edukim politik dhe qytetar të tyre.

"Për fat të keq bashkëatdhetarët tanë nuk interesohet fare për politikën. Në Marok ata nuk marrin pjesë në politikë. Ne kemi nevojë për edukim demokratik. Interesimi i qytetarëve për politikën rritet, kur atyre u shpjegohet rëndësia e partive, ndryshimet mes tyre e të tilla gjëra dhe e kuptojnë ç'do të thotë të mos kesh të drejtë të votosh." - mendon Miriam Bejouka, anëtare e shoqatës së marokanëve Atime.

Ide pozitive shumica por emigrantëve kanë probleme më të mëdha ekzistenciale

Po shumica e emigrantëve kanë probleme më të mëdha ekzistenciale. Ekuadorjania Narcisa pi edhe një gllënjkë kafe nga gota e saj dhe thotë: "Kriza në sektorin e ndërtimeve po ashpërsohet. Gjithnjë e më tepër njerëz po mbeten pa punë. Kësaj i shtohet edhe vendimi i BE-së, që ata që dëbohen nga vendi mund të mbahen në burg deri në një vit e gjysmë. Kjo u shkakton shumë njerëzve pasiguri. Edhe në Spanjë po diskutohet për ashpërsimin e ligjit për të huajt. E drejta për të votuar është një masë pozitive, po ajo nuk i zgjidh problemet tona më të mëdha: të gjejmë punë, të paguajmë qeranë, të paguajmë kreditë, të mbijetojmë."