1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE

Arben Muka30 Qershor 2014

Jose Manuel Barroso theksoi në Tiranë nevojën e intensifikimit të reformave duke fokusuar si priorite kyçe sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformën në gjyqësor.

https://p.dw.com/p/1CSvs
Fotografi: DW/A.Muka

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, theksoi gjatë qëndrimit disa orësh në Tiranë faktin se akordimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, vetëm disa ditë më parë, veçse një lajm i mirë dhe sukses i madh për Shqipërinë, është në të njëjtën kohë dhe me impakt pozitiv për të gjithë rajonin. Sipas tij kjo është treguesi konkret se procesi i zgjerimit të BE është i besueshëm dhe dinamik. “Po ashtu që, BE i mban angazhimet e veta strategjike. Ne ecim përpara kur vendet tona partnere japin rezultate”.-deklaroi presidenti i KE-së.

Suksesi i integrimi europian permes një procesi gjithëpërfshirës

Refreni i tij gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë në Shqipëri, përfshi dhe shefin e opozitës është nevoja që ka Shqipëria e “pas-statusit” për të vazhduar intensifikimin e qasjes sistematike për reformat, duke u fokusuar tek prioritet kyçe, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në gjyqësor etj. Gjithashtu Barroso theksoi dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të klasës politike në përmbushjen e detyrave themelore, sepse siç tha ai “për të pasur sukses integrimi europian, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, ku të gjithë në shoqëri të luajnë rolin e tyre. Unë e di që shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë e shikojnë të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian, ndaj unë inkurajoj si qeverinë ashtu dhe opozitën për të punuar më tej mbi atë frymë pozitive të statusit kandidat dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, pikërisht për ato që priten nga populli, që të arrihen. E ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE dhe unë vërtetë besoj që kjo do të ndodhë”.

Jose Manuel Barroso
Fotografi: /AFP/Getty Images

Nuk mund të kuptohet pa Ballkanin si pjesë e BE

Kryeministri Edi Rama ka prekur gjatë bisedimeve me Presidentin e KE-së bashkëpunimin rajonal, ku ka dhënë dhe detaje për një vizitë në Beograd, që sipas tij synon “për të shkuar të gjithë së bashku në këtë rajon, të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ndërkohë që unë i bëra me dije Presidentit vullnetin tonë për të marrë një rol të ri në rajon dhe për të bashkëpunuar me të gjithë vendet e tjera të rajonit, që BE të bëhet gjithmonë e më i vetëdijshëm se Ballkani ka nevojë për BE, por aq sa BE-ja ka nevojë për Ballkanin. Dhe e ardhmja e Ballkanit është në BE, por nga ana tjetër e ardhmja e BE, nuk mund të kuptohet pa Ballkanin si pjesë e BE”.

Simbolika e vizitës së Barrosos në Tiranë ka qenë e dukshme, kur ai kishte përfshirë në agjendë një takim në mjediset e Gjykatës së Krimeve të Rënda, një institucion që është lokalizuar në një godinë që është mbështetur totalisht nga fondet e BE-së. Pas kritikave që sistemi gjyqësor nga marrë në mënyrë sistematike nga opinion i brendshëm dhe ai ndërkombëtar , Presidenti Barroso kërkoi të tërheqë vëmendjen për këtë sektor jetik, që ndihmon drejtëpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, për të rritur besimin e qytetarëve te drejtësia.

Drejtësia, kusht i panegociueshëm për BE-në

Analisti Enton Abilekaj e vlerësoi vizitën e Presidentit Barroso më shumë si një mision këshillimi, tani që vendi sapo ka tejkaluar një fazë të rëndësishme në procesin drejt integrimit europian. Çfarë duhet bërë për të mos mbetur në vendnumëro, kësaj pyetjeje iu pwrgjigj Barroso për herë të parë kaq hapur, shprehet për DW, Abilekaj.

“Konsensus minimal për reformat që kërkon integrimi, traditë konsensusi për reformat dhe për krijimin e një shteti europian. Euopianizimi i vendit, ishte edhe tezë e Ramës, i cili u angazhua edhe një herë që reformat t'i bëjë në bashkëpunim me opozitën. Shtyrja e votimit të reformës territorriale -administrative më duket si një shenjë konkrete në drejtimin e duhur. Por, nëse deri më tani, reformat nuk kanë qenë fare pranë konsensusit, kur të vijë radha e reformës në Drejtwsi, mendoj se palët do jenë në llogoret e luftës sw ashpër politike. Një betejë ku nuk do të mungojë as Presidenti i Republikës. Ajo që ndodh në KLD është një maket i qartë. Prandaj dhe mesazhi i reformës në drejtësi është më i forti që vjen nga Presidenti i KE-së Barroso”.

Për analistin Fatos Hakorja thelbi i mesazheve të Barrosos është se Shqipëria e ka problemin tek sundimi i ligjit, gjyqësori, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Është ky në thelb mesazhi që ai ka lënë këtë herë në Tiranë, thotë Hakorja për DW.

“Të paktën tre herë u ndal tek këto çështje Presidenti Barroso në konferencën për shtyp me kryeministin Rama. E theksoi edhe në Kuvend se ‘vetëm një gjyqësor më efikas do të ketë ndikim pozitiv tek shqiptarët'. E vlerësoi ndërhyrjen në Lazarat, por e shprehu hapur se ky aksion, pa sekuestrimin e pasurive të trafikantëve, nuk mund të konsiderohet sukses. Presidenti i KE është i pari zyrtar i lartë i Brukselit që përfshin në agjendë edhe një vizitë dhe konferencë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, një gjykatë speciale për të trajtuar rastet e korrupsionit tek zyrtarët e lartë dhe ato të krimit të organizuar. Ndaj nuk duhet shumë për të kuptuar se çfarë kërkon tashmë Europa nga Shqipëri; që vullneti politik, i shprehur në deklarata publike apo i zyrtarizuar në letër, është tërësisht i pamjaftueshëm për të përmbushur këtë kusht të panegociueshëm për Europën, siç është sundimi i ligjit përmes një drejtësie të reformuar e të pavarur”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka akorduar Presidentit të Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, Dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar”, për rolin dhe kontributin e tij në procesin e integrimit europian dhe demokratizmit të institucioneve në Shqipëri.