1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështoi ndeshja Shqipëri-Serbi në Beograd

la (dpa, spiegel)15 Tetor 2014

Pas trazirave në stadiumin e Beogradit, arbitri e ndërpreu ndeshjen në minutën e 42. Shqipëria hedh poshtë lajmin e publikuar në media se ishte vëllai i kryeministrit Rama, ai qe telekomandoi flamurin në fushë.

https://p.dw.com/p/1DVo4
Fotografi: Reuters/Marko Djurica

Ndeshja e ndërprerë mes serbëve dhe shqiptarëve konsiderohej që më parë një ndeshje me rrezik të lartë sigurie. Pas shfaqjes së një flamuri të telekomanduar me simbole të "Shqipërisë së madhe" ndeshja e ndërpre në minutën e 42-të nga arbitri për shkak të përleshjeve dhe trazirave të shkaktuara në fushë. Trazira filloi kur pas shfaqjes së flamurit, Stefan Mitrovic, një lojtar serb që luan për skuadrën gjermane të Freiburg-ut e tërhoqi flamurin tek vetja, gjë që u bë shkak që lojtarët e kombëtares shqiptare të suleshin drejt tij. Më pas spektatorë serbë të ndezur sulmuan lojtarët shqiptarë.

Fußballspiel Belgrad Albanien Serbien Ausschreitungen Drohne
Fotografi: Reuters/Marko Djurica

Ndërkohë ministria e Brendshme e Shqipërisë e hedh poshtë lajmin për arrestimin e vëllait të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Mediat gjermane si agjencia e lajmeve dpa apo revista "Spiegel" shkruajnë se Olsi Rama është mbajtur në arrest për një kohë të shkurtër. Agjencitë gjermane i referohen mediave serbe si televizionit RTS. Por ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri u shpreh për mediat në Shqipëri, se ky lajm është një spekulim dhe se Olsi Rama është larguar nga stadiumi për në aeroport.

Pas ndërprerjes së ndeshjes lojtarët serbë u kthyen përkohësisht në fushë, por sipas mediave serbe, lojtarët shqiptarë nuk donin më të luanin, duke vënë si kusht largimin e të gjithë lojtarëve nga fusha. Me rekomandimin e UEFA-s nuk u lejuan tifozat shqiptarë të shkonin në Serbi për të ndjekur ndeshjen. Ndërprerja e ndeshjes Shqipëri-Serbi bëhet një javë para vizitës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Beograd.