1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Rezistencë nga kundërshtarët e energjisë atomike për centralet atomike

Kancelarja Angela Merkel është pro zgjatjes së kohës së punës së centraleve atomike. Kjo kritikohet ashpër jo vetëm prej kundërshtarëve të energjisë atomike nga radhët e ekologjikëve, por edhe nga partia e saj

Pllakat me kërkesa për mbylljen e centraleve atomike

Pllakat me kërkesa për mbylljen e centraleve atomike

Nën flamurin e mbrojtes së klimës, energjia atomike po përjeton vitet e fundit një rilindje në vende të ndryshme të Evropës. E megjithatë Gjermania, Spanja, Austria dhe Belgjika vazhdojnë të këmbëngulin për heqjen dorë prej kësaj energjie. Pas një vizite në një sërë koncernesh energjetike në Gjermani, kancelarja dhe qeveria e saj duan që ta zgjasin me 10-15 vjet kohën e punës së centralëve atomikë. Qeveria deklaroi se ekspertët janë të mendimit se shfrytëzimi i energjisë atomike i shërben mbrojtjes së klimës si dhe garanton siguri në drejtim të furnizimit me energji elektrike.

Opozita kërcënon se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

"Nga këndvështrimi shkencor unë do të thoja se zgjatja prej 10-15 vjetësh është e arsyeshme. Si drejtuese e qeverisë duhet të kem edhe kujdes sa i përket sigurisë së centralëve atomike, që ka prioritetin më të lartë. Por për shkak se ne nuk kemi shumicën në Këshillin e Federatës duhet të kemi kujdes që e gjithë kjo ide të ketë mbështetjen ligjore."

Të gjitha partitë opozitare që nga ekologjistët, socialdemokratët e deri tek E Majta, bënë të qartë se në rast nevoje do t'i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Para dhjetë vjetësh, qeveria e përbërë nga socialdemokratët dhe ekologjistët nën drejtimin e Gerhard Shrëderit kishte rënë dakord me koncernet energjetike që ato të prodhonin vetëm një sasi të caktuar energjie elektrike. Në fund të qershorit 2010 ishte konsumuar 62% e kësaj sasie. Sipas përllogaritjeve pritej që centralet atomike të nxireshin nga përdorimi në vitin 2025. Sipas planeve të tanishme të Merkelit kjo gjë mund të zgjasë deri në vitin 2040.

Kritikët shohin vetëm pak përparësi të energjisë atomike

Opozita dhe lëvizja antiatomike paralajmëruan një "vjeshtë të nxehtë" protestash. Kryetari i ekologjistëve, Cem Özdemir tha se e vetmja që përfiton prej zgjatjes së kohës së punës së centralëve atomikë është industria e energjisë atomike:

"Zgjatja e kohës së punës së centralëve atomikë nuk sjell ndonjë përparësi, as në lidhje me emisionet e CO2, as me çmimin e rrymës elektrike. Ajo u sjell vetëm para koncerneve të energjisë atomike dhe ky është shkaku për zgjajtjen e kohës së punës së centraleve atomike."

Aleanca 90/Të Gjelbrit janë kundërshtarët kryesorë të energjisë atomike

Aleanca 90/Të Gjelbrit janë kundërshtarët kryesorë të energjisë atomike

Edhe vetë ministri i Ambientit në qeverinë Merkel, Norbert Röttgen, mendon se përparësitë e energjisë atomike janë si për çmimet e energjisë edhe për ambientin vetëm "margjinale", por ai është i vetëm me mendimin e tij në radhët e qeverisë. Të shumtë janë përkrahësit e zgjatjes së kohës së punës së centraleve atomike edhe në Parlament. Gjithsesi në Këshillin e Federatës do të ketë rezistencë.

Brenda katër javësh Angela Merkel do të prezantojë konceptin e saj të ri për energjinë dhe pas kësaj edhe ligjet përkatëse. Por pas gjithë gjasave edhe në këtë rast, si dhe në shumë të tjera, fjalën e fundit pritet ta ketë Gjykata Kushtetuese.

Autor: Bernd Gräßler/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

Më shumë nga rubrika