1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Kalendari i aktiviteteve kulturore në Gjermani

Verës po i afrohet fundi dhe me freskimin e motit zgjohet edhe jeta kulturore në qytetet gjermane. Sidomos dashamirësit e letërsisë do të kenë rast për të shijuar në shtator..

Shumë, shumë festivale...

Ndërtesa të reja në lagjen e portit në Hamburg

Kanë kaluar gati dy vjet e gjysmë, qëkurse dy botues në Hamburg i hodhën një sy portit, anijeve, zonës së magazinave pranë portit së qytetit, që përshkohet nga kanalet, si dhe shumë turistëve, prej nga iu lindi ideja, që ky ishte në fakt vendi perfekt për një festival ndërkombëtar të letërsisë. Shumë shpejt pasoi vënia në jetë e kësaj ideje. Sivjet ata ftojnë në edicionin e dytë të "Harbour Front Literaturfestivals" nga 8 deri më 18 shtator. 114 autorë nga më shumë se 20 vende lexojnë në anije, në zonën e qytetit të përshkuar prej kanaleve si dhe në Reeperbahn. Larmisë letrare i kushtohet vëmendje edhe në Berlin, në Festivalin ndërkombëtar të Letërsisë nga 15 deri më 25 shtator. Sivjet ky festival feston jubileun e dhjetëvjetorit. Në zonën e Ruhrit janë në epiqendër historitë nga e gjithë bota: në Gelzenkirhen zhvillohet kongresi i përrallave nga 29 shtatori deri më 3 tetor. Ndërsa nga 18 shtatori deri më 13 nëntor zhvillohet Festivali më i madh në Evropë i letërsisë krimi, që josh dashamirësit e kësaj letërsie me mbi 400 lexime. Tetë javë rresht pjesëmarrësit do të merren me histori fiktive të vrasjeve dhe hetimeve. Të ftuar janë ndër të tjerë yje të romaneve krimi, si Håkan Nesser nga Suedia, apo Simon Beckett nga Britania e Madhe.

Festivali i Beethoven-nit në Bon

Hyrja për në sallën e Festivalit të Beethoven-it

Të nxjerrë një njeri të shquar - kjo është ëndrra e çdo qyteti. E nëse kjo arrihet, atërehë patjetër duhet festuar, më së miri çdo vit. Kësisoj Boni edhe sivjet organizon Festivalin e Beethoven-it nga 10 shtatori deri më 9 tetor. Festivali i sivjetëm i referohet kompozitorit Franz Liszt, i cili ishte një adhurues i madh i Beethoven-it dhe ishte i zhgënjyer që Boni, asokohe nuk kishte para për t' i kushtuar një monument në nderim të kompozitorit të madh. Kjo nuk shkonte! Ndaj Liszt u kujdes, që të mblidheshin paratë e nevojshme. Në vitin 1845 ai ia doli mbanë: Statuja e Beethoven-it u inagurua në sheshin e Bonit "Münsterplatz" e bashkë me të edhe festivali i parë i Beethoven-it. Në vitet, që pasuan, ky festival përjetoi shkëlqimin dhe rënien, e megjithatë ndërkohë Boni këtë veprimtari e ka fiksuar në kalendarin e aktiviteteve të veta. Sivjet nën moton: "Në hapësirë. Utopia dhe liria në muzikë".

Dita e monumenteve të hapura

Lagja hollandeze në Potsdam

E gjitha nisi në Francë. Atje në vitin 1984 ministri i Jashtëm francez Jack Lang ftoi në aktivitetin e quajtur "Journées Portes Ouvertes Monuments Historiques", pra dita e portave të hapura të monumenteve. Një ide, e cila pak vite më vonë u vendos nga Këshilli i Evropës si "Dita e Trashëgimisë Evropiane". Një aksion, në të cilin marrin pjesë ndërkohë 49 kombe, ndër ta edhe Gjermania me "Ditën e Monumenteve të hapura". Çdo shtator të dielën e dytë të muajit, pra një herë në vit, hapin portat për vizitorët monumentet e kulturës dhe ato historike, që zakonisht nuk janë të hapura për publikun. Vitin e kaluar këto monumente u vizituan nga më se 4, 5 milionë qytetarë. Meqënëse çdo veprimtari zhvillohet nën një moto të caktuar, sivjet motoja është: "Kultura në Lëvizje - Udhëtim, Tregti dhe Qarkullim". Në këtë kuadër mund të vizitohen edhe godinat e vjetra të tregtimit dhe magazinat, në të cilat kanë lënë gjurmë edhe të huaj, si p.sh. kuartieri holandez në Pocdam.

Akumulimi i kulturës botërore në Berlin

Christfried Kirch: Ditar investigues (1717-1720)

Çfarë kanë të përbashkët gjeniu i matematikës Albert Einstein, dijetari universal Gottfried Wilhelm Leibniz dhe vëllezërit Grimm? Përgjigja është: ata nuk janë berlinezë, por kanë kaluar një pjesë të mirë të jetës së tyre në Berlin. Einsteini e përfundoi teorinë e tij të relativitetit në Berlin, Leibniz ishte i pari president i Akademisë Prusiane të Shkencave dhe vëllezërit Grimm shkruan në Berlin "Historinë e Gjuhës gjermane". Punimet e tyre mund të shihen duke filluar nga shtatori në godinën Martin-Gropius në Berlin. "Dije Botërore - 300 vjet shkenca në Berlin" (24.9.-9.1.2011) kështu titullohet ekspozita, e cila hapet në kuadër të vitit shkencor të Berlinit. Shkas për këtë janë jubiletë e pesë institucioneve të mëdha shkencore: Biblioteka e qytetit, Qendra Spitalore Charité, Akademia e Shkencave e Berlin-Brandenburgut, Universiteti Humboldt dhe Shoqëria Max-Planck. Rreth 1600 eksponate paraqiten në të, ndër to jo vetëm manuskripte dhe libra, por edhe kafshë të balsamosura, vegla, makina llogaritëse dhe imitacioni i makinës llogaritëse gjigante, Z3 të Konrad Zuse, e cila për herë të parë iu prezantua një grupi shkencëtarësh në vitin 1941.

Festa e birrës në Mynih

Në festen e birrës duhet të jesh në gjendje ta durosh pijen

Ajo quhet festa e tetorit, Oktoberfest, dhe fillon në shtator (18.9.-3.10.2010). Miliona njerëz vërshojnë çdo vit për në festën e birrës në Mynih, për të pirë birrë, por edhe për të shijuar specialitetet bavareze. Shumica e pjesëmarrësve veshin kostumet tradizionale bavareze Dirndl, pavarësisht nëse vijnë nga Bavaria, apo nga Austria e Japonia. Festa e tetorit është jo vetëm festa më e madhe e birrës në botë, por ajo është vazhdimi i traditës së vjetër qindravjeçare, gara me kuaj, që nisi në tetor 1810, për të festuar dasmën e mbretit Ludwig të Bavarisë. Festimi të jep kënaqësi, u konstatua një vit më pas e si rrjedhojë u organizua sërish një festë e tillë e kështu tradita vazhdoi për vite me radhë. Kësisoj lindi tradita e Oktoberfest. Kush do të shkojë atje duhet më parë të stërvisë muskujt: sepse birra nuk pihet me "kriklla normale", por me krikllat e ashtuquajtura Maßkrügen, volumi i të cilat është plot 1 litër.  

Autorin: Petra Lambeck/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktion: Angjelina Verbica

Më shumë nga rubrika