1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Theo Albrecht themeluesi i Aldi-t, rrjeti gjerman të tregtimit me çmime skonto ndërron jetë

Një nga pionerët e tregtimit me çmime skonto në Gjermani ka ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare. Bashkëthemeluesi i Aldi-t Theo Albrecht u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare në shtëpinë e tij në Esen.

Theo Albrecht, në intervistë pas rrëmbimit më 1971

Theo Albrecht, në intervistë pas rrëmbimit më 1971

Theo Albrecht qysh përpara se të ndahej nga jeta kishte menduar për rregullimin e trashëgimisë dhe të ardhmen e grupit, u bë e ditur të mërkurën (28.07) nga sipërmarrja e tij. Prej vitesh sipërmarrja drejtohet nga menaxherë, të cilët të gjitha vendimet operative i marrin krejtësisht të pavarur nga familja pronare e firmës.

Theo Albrecht bashkë me vëllain e tij më të moshuar, Karl Albrecht janë themeluesit e rrjetit të shitjes së ushqimeve me skonto për masën, Aldi. Më pas të dy themeluesit e ndanë midis tyre sipërmarrjen. Theo Albrecht mori përsipër drejtimin e Aldi Nord dhe vëllai i tij drejtonte Aldi Süd.

Sipas informacioneve të revistes "Der Spiegel" 88 vjeçari Theo Albrecht ishte prej kohësh i sëmurë rëndë. Pasi ishte rrëzuar, ai disa javë i kaloi në një spital në qytetin e lindjes Esen dhe prej asaj dite nuk e mori më veten.

Dyqani i ushqimeve i trashëguar nga nëna

Gurin themeltar për sipërmarrjen të dy vëllezërit e vendosën pasi në vitin 1948 ata morën përsipër së bashku dyqanin e ushqimeve të nënës së tyre. Pas vitit 1961 dyqani i ushqimeve me çmime skonto mori emrin Aldi. Në 50 vitet që pasuan Theo dhe Karl Albrecht krijuan një koncern miliardësh, që ndryshoi dukshëm pejzazhin e tregtisë në Gjermani.

Rrëmbimi në vititn 1971

Logoja e Aldit

Logoja e Aldit

Theo Albrecht shumë rrallë ka tërhequr vëmendjen e medias, ai u bë publik në media në vitin 1971, kur u mbajt peng nga një avokat mbrojtës nga Dyseldorfi dhe një kriminel, të cilët e lanë të lirë vetëm pas pagesës së një shume prej shtatë milionë markash. Asokohe kjo ishte shuma më e madhe e paguar ndonjëherë në Republikën Federale të Gjermanisë. Peshkopi i Esenit dhe Ruhrit Franz Kardinal Hengsbach i dorëzoi këto para, pjesa më e madhe e të cilave nuk është rigjetur as sot e kësaj dite.

Forbes: Njeriu i dytë më i pasur në Gjermani

Në listën e më të pasurve që publikon rregullisht revista "Forbes" në SHBA, Theo Albrecht konsiderohet si njeriu i dytë më i pasur në Gjermani me një pasuri prej 17 miliardë eurosh. Vendin e tretë në Gjermani e zë vëllai i tij Karl.

Autor: Gerd Winkelmann (afp, dpa,ap)/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

Më shumë nga rubrika