1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Integrim përmes fesë në Gjermaninë Lindore

Feja dhe integrimi shpesh shihen si kundërthënie. Iniciativa EPMA në landet lindore gjermane shfrytëzon larminë e besimeve të ndryshme në Gjermani dhe vendos kontakte mes të krishterëve, myslimanëve dhe hebrejve.

Integrim përmes fesë në Gjermaninë Lindore. Ne foto: simbolet e krishterimit, kryqi, te hebraizmit, ylli gjashtecepash, dhe islami, gjysmehena

Integrim përmes fesë në Gjermaninë Lindore

"(Duhet të bëhet e qartë: unë jam diskriminuar pasi kam origjinë tjetër, ngjyrë tjetër lëkure, pra duhet ta shpjegosh nëse synon të shfrytëzosh mbrojtjen që ofron ligji.)"

Një prezantim në powerpoint mbi ligjet, nuk është patjetër simboli i mësimit modern dhe interesant. Por 25 pjesëmarrësit në dhomën e seminarit, në një vend në afërsi të landit verilindor Brandenburg, janë plotësisht të përqëndruar: bëhet fjalë për ligje të cilat i mbrojnë këtu në Gjermani dhe u hapin hapësira të reja veprimi. Ligji themeltar, ligjet anti-diskriminim dhe e drejta fetare. Esra Erdem nga qendrat rajonale të punës për arsim, integrim dhe demokraci ka organizuar kursin me titullin EMPA.

"EMPA është një shkurtesë dhe nënkupton fuqizimin dhe nxitjen e pjesëmarrjes në jetën shoqërore të migranteve dhe migrantëve në landet lindore të Gjermanisë. Ai ka si objekt imigrantët nga vendet jashtë BE-së, të cilët banojnë, angazhohen apo dëshërojnë të angazhohen në jetën civile në landet Mecklenburg-Vorpommern, Brandenburg, Sachsen, Sachsen-Anhalt apo Thüringen. "

Kursi u drejtohet njerëzve që besojnë

Një nga aktivitetet e panumërta për integrimin në Brandenburg, mund të mendosh. Por ky kurs kualifikimi i drejtohet një grupi krejt të veçantë: të gjithë njerëzit në dhomën e seminarit janë njerëz që besojnë.

"Është vërtet shumë interesante, ne e kemi përfshirë dialogun ndërfetar në konceptin tonë dhe mendoj se është shumë bukur të shohësh se si njerëzit afrohen në kontekstin e jetës së përditshme përmes diskutimeve rreth punës në komunitet. Ne nuk diskutojmë direkt për besimet e ndryshme, por për komunitetet e ndryshme dhe kështu dalin në pah shumë ngjashmëri."

Pjesëmarrësit vijnë nga 11 vende të ndryshme: besimtarë hebrej, myslimanë dhe pjesëtarë të komuniteteve të besimit të krishterë. Njëri prej tyre është kujdestari shpirtëror Joseph Fofanah nga Sierra Leone, i cili ofron kontribut vullnetar në projekt.

"Unë i përkas komunitetit afrikan katolik Sankt Maurtitus dhe Sankt Elisabeth në Halle. Tema e fuqizimit të migranteve dhe migrantëve më interesoi menjëherë. Diçka të tillë nuk e kemi pasur asnjëherë as në Halle, në Sachsen-Anhalt apo gjetkë në landet lindore."

Që prej një gjysmë viti migrantët takohen në takime kompakte dhe flasin për punën me fëmijët dhe familjet, trainohen në menaxhim projektesh dhe punë me publikun. Drejtuesja e projektit, Esra Erdem vëren se puna përfiton nga fakti që në kurs marrin pjesë vetëm migrantë:

"Ne u ofrojmë atyre një ambjent të mbrojtur. Kjo do të thotë që ata nuk kanë nevojë të japin shpjegime për shkak të kulturës së tyre dhe pengesat gjuhësore luajnë një rol të dorës së dytë; askush nuk shihet shtrembër nëse i ndodh të shkruajë njëherë gabim një fjalë."

Dhe askush nuk ka ndjesinë se duhet të justifikohet për besimin e vet, thotë Diana Sandler. Ajo është kryetarja e komunitetit hebre në qarkun Barnim:

"Unë vij nga Bernau dhe punoj në një qendër këshillimi kundër diskriminimit. Kjo është për mua shumë interesante. Këtu ne duhet të diskutojmë me të tjerët. Unë punoj tashmë prej 15 vjetësh në këshillim dhe kam shumë përvojë, por ajo që shoh këtu, njerëzit dhe shoqatat e ndryshme me përvojat e tyre, janë për mua një proces mësimi."

Jo vetëm vlerat janë të ngjashme, konstaton Inas Briek-Hoefer, edhe problemet ngjasojnë. 27-vjeçarja angazhohet në një komunitet në Halle.

"Para së gjithash ushtrimi i besimit duke shmangur konfliktet me shoqërinë dhe ligjet këtu: kjo i prek të gjitha fetë, edhe të krishterët dhe hebrejtë pasi në ditët e sotme është bërë më e vështirë, veçanërisht në landet e reja. Është vërtet një problem."

Ndoshta në të ardhmen Inas Briek-Hoefer mund të kërkojë këshilla edhe nga kolegët e seminarit. Pas kursit të kualifikimit pjesëmarrësit dinë më shumë jo vetëm për përmbajtjen e ligjeve dhe mundësitë për përfitimin e mbështetjes, por edhe për situatën e njëri-tjetrit. Një përvojë e re për kujdestarin shpirtëror Josef Fofanah:

"Këtu unë pata kontaktin e parë direkt me hebrejtë nga ish Bashkimi Sovjetik. Në Halle nuk kam thuajse fare kontakt me ta. Mësova shumë dhe shpresoj që në të ardhmen ta forcojmë rrjetin që u ngrit këtu."

Kështu projekti për integrim nuk përpiqet të ndihmojë vetëm në përshtatjen në shoqërinë gjermane, por u mundëson pjesëmarrësve edhe dialogun, në mënyrë krejt të natyrshme dhe me lidhje direkte me jetën e tyre të përditshme.

Autor: Heiner Kiesel/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

Më shumë nga rubrika