Me gjithë krizën globale, panairi ndërkombëtar i turizmit, ITB i mbylli portat e tij të dielën me një bilanc pozitiv: Sipas drejtorit të ITB-së, Christian Goecke, në panair u lidhën kontrata me shumën 6 miliardë Euro.
ITB i mbylli portat me një bilanc pozitiv
Elvis Kotherja nga agjencia turistike ElIte-Travel Albania, me qendër në Elbasan, ka diktuar një ndryshim në sjelljen e turistëve:
"Njerëzit tani duan të shpenzojnë sa më pak që të jetë e mundur dhe e shohin më shumë se më parë raportin çmim-cilësi, por e rëndësishme është që ata lëvizin", thotë Kotherja për Deutsche Wellen.
Elvis Kotherja, Elite Travel
Fakt është që në krahasim me një vit më parë, numri i turistëve të ardhur në Shqipëri gjatë vitit 2009, ka pësuar një rritje të dukshme, por të ardhurat prej turizmit kanë mbetur në nivel gati konstant ose me një rritje të vogël. Sadik Malaj, kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Shqipëri e ka një shpjegim për këtë gjë: "Ne vijmë vetë nga kriza, nga fukarallëku, kështu që tek ne turizmi do të jetë vazhdimisht në rritje, por ajo rritje nuk është në atë nivel që kemi pritur".
Mali i Zi i prezantoi ofertat edhe me një konference për media
I ngjashëm ka qenë trendi edhe në Mal të Zi, turizmi i i të cilit për një kohë shumë të gjatë pat vuajtur nga luftërat e Ballkanit. 1,2 milionë mysafirë pati në 2009 vendi në buzë të Adriatikut. Ky ishte pak më i lartë se një vit më parë, por me më pak fjetje. Drejtori i sipërmarrjes turistike Ulcinjska Rivijera vëren se rëniet kryesore tek sipërmarrja e tij janë vënë re nga vendet Evropës Qëndrore, si Çekia e Polonia, ndërsa numri i turistëve gjermanë nuk ka pësuar rënie, por për fat të keq as rritje, ashtu siç kemi kujtuar", thotë Dragovoja, i cili mundohet t'i joshë turistët e Evropës Qendrore edhe me një fshat turistik enkas për nudistë. Ofertat turistike të tij, Mali i Zi i prezantoi në ITB edhe me anë të një konference të posaçme për media.
Pasojat e krizës ndaj turizmit në Maqedoni dukej se viheshin re qysh në prezantimin e saj në ITB. Pa logo dhe me shumë pak agjenci turistike, në një kohë kur Ohri ishte një nga
destinacionet e këshilluara nga New York Times për vitin 2010."Ne aktualisht jemi duke kërkuar një logo të re", thotë Shovket Hazari, këshilltar në ministrinë e ekonomisë. "Prezantimi i këtushëm është modest, ne nuk mund të tregohemi megalomanë e të themi se do ta bëjmë prezantimin ashtu siç e bën Turqia, apo Greqia apo Spanja", për këtë na mungojnë mundësitë financiare", thotë Hazari.
Turizmi dimëror po pëson humbje, sepse është shumë i shtrenjtë për t'u mbajtur
Por edhe Kosova, turizmi i të cilës ka filluar të ngrihet nga hiçi, me prezantimin e saj modest, të paktën kishte se ç't'i tregonte vizitorit. Qofshin këto disa punime dore nga shoqata e gruas "Jeta" në Deçan, qofshin disa nga të mirat kulturore.
Januz Kastrati, zëvendësministër i Turizmit të Kosovës
Zëvendësministri Januz Kastrati thotë se këtë vit priten përmirësime të rëndësishme në degën e turizmit dhe përmend ndër të tjera edhe privatizimin e Brezovicës, kompleksit kryesor për skijim.
Susanne Dell, e cila e ka vizituar shpesh Kosovën, është e mendimit,se më efikase do të ishte që Kosova të përqendrohej tek turizmi kulturor. "Turizmi dimëror po pëson një humbje të përgjithshme, sepse është shumë i shtrenjtë për t'u mbajtur," thotë ekspertja e turizmit, e cila ka bërë disa libra turistikë për Kosovën. Ajo mendon se Kosova duhet t'i prezantojë më mirë të mirat e saj kulturore, sepse vizitori aty nuk vjen për të pushuar ose për t'u argëtuar, por për t'u njohur me kulturën e një vendi, që ende i ka mbetur pa parë.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Auron Dodi