Nga 11 deri 12 mars 2010 ministrat e Arsimit dhe të Shkencës nga 46 shtete do të konsultohen për mënyrat se si mund të shtyhet përpara dhe të përmirësohen reformat e procesit të Bolonjës.
Ide e qëlluar: Studim pa kufij
Para dhjetë vjetësh në Bolonjë të Italisë u vendos të krijohej e një sistemi unik evropian i arsimit të lartë. Në këtë mënyrë lindi e ashtuquajtura "Reformë e Bolonjës". Ky ishte vizioni për heqjen e kufijve të studimeve për më shumë se 15 milionë studentë në mbi 5.000 shkollat e arsimit të lartë në Evropë dhe shtetet përreth.
Do të jetë një festë ditëlindjeje e mrekullueshme, por për entuziazëm ka kohë ende. Dhjetë vjet kanë kaluar që kur 29 ministrat e Arsimit dhe të Shkencës vendosën në Bolonjë për krijimin e një arkitekture të përbashkët evropiane të arsimit të lartë: studimi pa kufij me struktura dhe diploma të njëjta. Ideja ishte e qëlluar, thekson ministrja gjermane e arsimit, Annette Schavan, por: "Ajo nuk rrezaton ende ashtu siç duhet për shkak se projektit të madh të reformës i duhet ende kreativitet në zbatim".
Ankesa nga studentët
Protesta nga studentët gjermanë
Protesta nga studentët gjermanë
Konkretisht studentët ankohen se studimet zhvillohen sipas modelit të detyrueshëm të shkollave më të ulëta, ku nuk ke mundësi zgjedhjeje, ka shumë material mësimor, shumë provime, pak praktikë. Shumë punëdhënës e shohin këtë gjë në mënyrë të ngjashme dhe nuk janë të mendimit se diploma e parë e shkallës Bachelor të kualifikon për një profesion edhe pse në të vërtetë do të duhej ta bënte këtë. Kush dëshiron të vazhdojë studimet ka shpesh probleme të mëdha për të gjetur një vend për studimet e shkallës Master. Muaj të tërë në mbarë Evropën studentët kanë protestuar kundër reformës së Bolonjës. Në Gjermani, mendon ministrja kjo gjendje është tejkaluar: "Këtu diskutohet për rregullat e studimeve, për rregullat e provimeve. Mendoj se predisponimi është dukshëm më i mirë."
Hapësira e Bolonjës gjithnjë e më e madhe
Në mënyrë që të përmirësohet mësimi në shkollat e larta ministrja Schavan ka premtuar enkas dy miliardë euro. Një prej qëllimeve kryesore të procesit të Bolonjës nuk është arritur ende: lëvizshmëria e studentëve brenda Evropës nuk është përmirësuar shumë.
"Por, mobiliteti nga vendet jashtë Evropës në universitetet evropiane është rritur dukshëm. Kjo do të thotë se në kontinentet e tjera është zgjuar më shumë interesimi për universitetetet evropiane."
Edhe hapësira e Bolonjës po bëhet gjithnjë e më e madhe. Ndërkohë asaj i janë bashkangjitur 46 shtete, prej Shqipërisë deri në Norvegji, nga Franca deri në Rusi. Të gjitha këto vende do të kenë përfaqësuesit e tyre në konferencën dyditore që zhvillon punimet në Budapest dhe Vjenë.
Autor: Lioba Werrelman/Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani