Disa donin ta shijonin lirinë e lëvizjes qysh në ditën e parë për të vizituar Gjermaninë. Policët e kufirit në aeroportin e Mynihut nuk kërkojnë të shohin më vizën. Ata duan të dinë se ku do të jetosh e sa para ke.
Vizat u hoqën, por kontrolli vazhdon
Është ora tetë e mbrëmjes. Avioni i Lufthansës nga Beogradi ka mbërritur me dy orë vonesë në aeroportin e Mynihut, por në fytyrën e Zoran Klenoviçit nuk ka shenja lodhjeje. Serbi tund i gëzuar pasaportën dhe deklaron në një gjermanishte me theks zviceran:
"Kam 18 vjet që po e pres këtë ditë. Thjesht të udhëtosh si dikur, me pasaportat e kuqe të Titos. Tani kemi sërish pasaporta të kuqe. 18 vjet mjaft janë, apo jo?"
Shtetasit serbë, malazezë e maqedonas hyjnë pa viza në vendet e Shengenit. Ne foto: Zoran Klenovic
Zoran Klenoviç është njëri nga afro dhjetë milionë shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonië, që këtej e tutje do të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen. Disa nga pasagjerët, që mbërritën në Mynihu në ditën e parë të heqjes së vizave, nuk e kishin besuar këtë:
"Shkova në konsullatë dhe mora vizën, për të qenë e sigurt!", thotë një grua e moshuar, që ka ardhur të vizitojë të bijën në Gjermani.
"Ja ku i kam të gjitha dokumentet, garancinë, sigurimin, gjithçka."
Winfrid Winterer në pikën e kontrollit policor nuk pyet më për garanci apo sigurim. Ai skanon pasaportat biometrike, i krahason ato me modelin që ka të memorizuar në kompjuter dhe shtron disa pyetje. .
Një turiste tregon laptopin e hapur, ku ka memorizuar vërtetimin e rezervimit
Disa nga pasagjerët e njohin procedurën:
"Keni rezervuar hotel?" pyet ai.
Një turiste tregon laptopin e hapur, ku ka memorizuar vërtetimin e rezervimit.
"Epokë e re, teknologji e re. Më parë ishte në letër, tani në laptop", komenton polici 39 vjeçar.
"Në bazë të kodit kufitar të Shengenit, pasagjerët duhet të tregojnë përse kanë ardhur. Në se nuk janë tek të afërmit, atëherë ata duhet të japin adresën e hotelit. Në rast të kundërt duhet të tregojnë se kanë para të mjaftueshme me vete. Për Gjermaninë është caktuar një shumë prej 45 eurosh në ditë, pra në se dikush qendron 10 ditë, atëherë ai duhet të ketë të paktën 450 Euro."
Një serb i ri i afrohet sportelit. Ai nuk di as anglisht, e as gjermanisht. Një bashkëkombase e vet i vjen në ndihmë për të përkthyer pyetjet e policit.
"Ka ardhur të rrijë disa ditë në Gjermani, do të banojë në hotel. 3000 Euro i ka me vete. Por biletë kthimi nuk ka."
Winterer rrudh ballin dhe pyet se ç'punë bën ai Serbi.
"Deri tani ka studiuar, por ngeli në një provim dhe e humbi shkollën, tani është i papunë", përkthen gruaja.
Winterer shikon me dyshim. Ora po shkon afër 22:00 dhe së shpejti përfundon turni. Vendos vulën e hyrjes.
"I thuaj që nuk jemi aq të këqinj sa ç'mendojnë ata", i thotë serbi bashkëkombases së vet dhe humbet në turmën e njerëzve që presin bagazhet.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Auron Dodi
Kontakt
Deutsche Welle
Albanische Redaktion
Kurt-Schumacher-Str. 3
D -53110 Bonn
Deutschland
Telefon: +49 228 429-4685
Telefaks: +49 228 429-4690
E-mail: shqip@dw-world.de
http://www.dw-world.de/albanian