Përgatitjet për festën më të rëndësishme të vitit në familjet myslimane kanë vazhduar me ditë të tëra. Në mbarë botën sot festohet Bajrami. Kjo festë ka në një farë mënyrë dimension ikumenik.
Nga gatimet për bajramin në Bosnjë
Kjo lutje, që buçet në ditën e Kurban Bajramit, që në orën e parë të mëngjesit nga xhamitë dëgjohet anëmbanë shesheve dhe rrugëve përreth. Ky është sinjali i fillimit të "festës së madhe". Kjo nis në ditën e dhjetë të muajit të fundit në kalendarin islamik, sipas cikleve të Hënës. Përderisa ky kalendar numëron njëmbëdhjetë ditë më pak se kalendari perëndimor solar, festa e kurban Bajramit luhatet në raport me kalendarin tonë. Sivjet kjo festë nis më 27 nëntor.
Historia e Abrahamit dhe fillimet e traditës së rrëfenjave gojore
Rrënjët e festës së Kurban Bajramit gjenden në një rrëfim të biblës hebraike. Historia e Abrahamit dhe e djalit të tij Isak tregon për fillimet e traditës së rrëfenjave gojore. Abrahami, babai i origjinës së izraelitëve dhe ismaelitëve, dëgjon një zë hyjnor, që e porosit atë të ngjitet në një mal me djalin e tij Isakun dhe që atje ta sakrifikojë atë. Skena arrin kulmin, kur Abrahami ngre thikën që mbante në dorë përpara një altari prej guri.
„Atje ëngjëlli i Zotit nga qielli i foli atij: Abraham, Abraham!. Ai tha: Këtu jam! Ai foli: mos e shtri dorën drejt djalit, mos i bëj gjë atij! Sepse tani e kuptova që ti e dëgjon dhe respekton Zotin, që ti je i gatshëm t' i dhurosh atij edhe djalin. Abrahami pra ngriti sytë dhe pa: ai pa një dash."
Abrahami bëri kurban dashin
Këtë dash Abrahami e bëri kurban në vend të të birit - në aspektin e historisë së kulturës ky është edhe fundi i kësaj tradite arkaike. Traditën apo ritin e flijimit të një njeriu për të zbutur shpirtrat e Perëndive dhe për të kërkuar edhe falje për një padrejtësi të bërë më parë, e takojmë në prehistori në shumë kultura në ndryshme. Historia e Abrahamit u përfshi edhe në kuranin e fesë islame, që po krijohej në shekullin e 7-të. Në Kuran, profeti Abraham quhet Ibrahim, dhe djali që nuk përmendet me emër, barazohet me djalin e parë të Abrahamit, me emrin Ismael/Ismail, babai i ismaelitëve, apo si thuhet sot i botës arabe.
E rëndësishme pra mbetet përunjësia kundrejt Allahut. Në gatishmërinë e Ibrahimit për të sakrifikuar të birin, muslimanët besimtarët shohin përuljen pa kushte ndaj Allhut mëshirëmadh. Duke bërë kurban një dash, cjap, lopë apo deve, muslimanët shprehin falenderimin e tyre për babain e tyre Ismailin dhe i vënë në dispozicion mënyrë simbolike jetën e tyre Allahut.
Autor: Mathias Lemme/Vilma Filaj Ballvora
Redaktoi: Auron Dodi