Autoritetet zyrtare të arsimit në Tiranë kanë nisur përpjekjet për njehsimin e diplomave për universitetet shqipfolëse në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Hapi shihet me efekt në gjallërimin e tregut të punës.
Unifikimi i diplomave në vendet me popullatë shqipfolëse ndihmon tregun e punës
Platformë për njehsimin e diplomave në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë
Ditët e fundit kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha prezantoi publikisht nismën për njehsimin e diplomave në universitetet shqipfolëse, në tre shtetet e rajonit, në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Tiranë ka nisur hartimin e një platforme bashkëpunuese me institucionet përkatëse të të dyja vendeve, për ta konkretizuar projektin.
Teuta Çuni është nga Gjakova e Kosovës dhe studion psikologji në një universitet në Tiranë. Ajo është e ndërgjegjshme se pas kthimit në vendlindje do të ketë shumë procedura burokratike deri në njohjen e diplomës. Ndaj dhe ideja për njehsimin e diplomave i duket mjaft pozitive.
“Ne vazhdojmë të ndjekim shkollën këtu në Shqipëri, sepse mendimi është që këtu është një nivel më i lartë arsimimi. Mendoj se do të rritet dhe fluksi i studentëve që do ta bëjnë këtë gjë, në rast se arrihet njehsimi i diplomave”, thotë Teuta për DW, duke shpresuar që kjo çështje “të marrë zgjidhje brenda periudhës së diplomimit tim në Tiranë”.
'Projekt në kohën e duhur, në kuadër të proceseve integruese'
Rektori i UT, Dhori Kule e quan për DW projekt të kohës njëhsimin e diplomave
Prof.dr Dhori Kule është rektor i Universitetit të Tiranës. Por njëkohësisht ai është dhe president i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse. Në fillim të kësaj jave, prof. Kule ka patur kontaktet me homologët e tij në Universitetin e Tetovës dhe atë të Prishtinës. Ai thotë se është një projekt në kohën e duhur, në kuadër të proceseve integruese, ku janë përfshirë vendet e rajonit. Të gjithë e dimë se në ka fushë dhe shërbim, që integrohet para të tjerëve, ajo është arsimi, thotë ai për DW.
“Do të fillojmë procedurat për unifikimin e standartizimin e kurikulave në universitetet tona. Në mënyrë që studentët tanë të lëvizin lirshëm nëpër to. Sikurse e kërkon dhe Karta e Bolonjës, ku mobiliteti i studentëve është tipar karateristik. Dhe ne këtë mobilitet duhet ta materializojmë në radhë të parë midis universiteteve tona, pra brenda Shqipërisë me Kosovën e Maqedoninë”.
Jo të gjitha universitet kanë të njëjtat standarte
Nënkryetari i komisionit parlamentar për Kulturën, Median e Arsimin, dr. Mark Marku e shikon këtë nismë me efekt të drejtpërdrejtë në gjallërimin e tregut të punës dhe rritjen e nivelit universitar. Ai është dhe lektor në Universitetin e Tiranës dhe në atë të Tetovës në Maqedoni. Deri në realizmin konkret të njehsimit të diplomave duhet të kapërcehen dhe një sërë sfidash thotë dr. Marku për DW.
Nënkryetari i komisionit parlamentar për Kulturën, Median e Arsimin, dr. Mark Marku pret gjallërim të tregut të punës
“Legjislacioni i tre vendeve për arësimin është i ndryshëm. Por kjo nuk është e patejkalueshme, pasi për legjislacionin mund të punohet dhe të arrihet përshtatja me atë çfarë kërkohet. Problemi i dytë është se ekuivalentim do të thotë dhe akreditim. Pra ekuivalentohen diplomat e atyre universiteteve, që janë të akredituara. Në Shqipëri jo të gjitha universitet kanë të njëjtat standarte. Ky do të ishte një problem. Dhe në Kosovë e në Maqedoni ndodh e njëjta gjë. Kjo çon automatikisht drejt etapave të tjera, p.sh. për shikimin e kurikulave dhe strukturës.”
Për fat të trija vendet janë nën regjimin e Kartës së Bolonjës, çka sipas dr. Mark Markut është një faktor pozitiv, që i bën të pashmangshme procedurat për kapjen e standarteve. Prof. Dhori Kule e quan këtë proces si një lëvizje europiane, që i paraprin sipas tij, integrimit të tre shteveve në BE. Ai thotë se arsimi është një sektor, që ka patur gjithmonë ura komunikimi mes vendeve. Qarkullimi i ideve, librave, programeve, pedagogëve, akademikëve nuk ka patur dhe nuk ka nevojë për “viza” .
Autor: Arben Muka/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi