1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Apel që romët të mos kthehen në Kosovë

Në prag të takimit të ministrave të brendshëm të landeve, më 4 dhjetor, organizatat e ndryshme humanitare apelojnë që të mos ketë kthim të romëve në Kosovë.

Projeksion me video nga Danica Dakic : Roma nga Kosova 2009

Projeksion me video nga Danica Dakic : Roma nga Kosova 2009

Problemi i rreth 10 mijë romëve nga Kosova, të cilët janë me status të parregullt qëndrimi (Duldung), mund të zgjidhej fare mirë, sipas ligjeve aktuale të azilit. "Gjendja e romëve në Kosovë është shumë e vështirë", thotë për Deutsche Wellen Wolfgang Grenz nga seksioni gjerman i Amnesty International. "Dëshmi për këtë nuk janë vetëm rastet e sulmeve ndaj romëve, por edhe fakti që ata privohen nga disa të drejta elementare, siç është për shembull ajo e pronësisë. As çështje të tilla si shërbimi shëndetësor dhe arsimimi nuk janë sqaruar. Disave madje u refuzohet shtetësia." Grenz konkludon: "Ka shumë diskriminime të cilat edhe në përputhje me rregulloret e azilit janë shkelje të të drejtave të njeriut."

Roma në Gjermani duke parë teatrin "Kush është Andrei?"

Roma në Gjermani duke parë teatrin "Kush është Andrei?"

Pakicat kanë në Kosovë mbrojtjen e mjaftueshme

Por këto argumente nuk i merr parasysh Enti Federal për Imigrim dhe Integrim (BAMI) me qendër në Nyremberg. Në një broshurë informative për Kosovën të publikuar në gusht të këtij viti, një bashkëpunim me organet homologe austriake dhe zvicerane, shkruhet: "Pakicat kanë mbrojtje të mjaftueshme, siguria e tyre garantohet me praninë e vazhdueshme të UNMIK-ut/SHPK-së/KFOR-it dhe ruajtjes së enklavave të tyre me anë të postblloqeve."

Raporteve të tilla u referohen ministrat e brendshëm të landeve, të cilët më 4 dhjetor do të mbajnë mbledhjen e tyre të rregullt. Në mbledhjen mëparshme, në maj të këtij viti, ata patën rënë dakord që të japin dritën e gjelbër për kthimin e detyrueshëm edhe romëve nga Kosova. Me këtë vendim ministrat e mbyllën çështjen e romëve dhe të pakicave nga Kosova. Por shoqatat humanitare duan ta kthejnë mbrapsht këtë vendim. "Ne po ushtrojmë presion ndaj Konferencës së Ministrave të Brendshëm, por deri tani nuk ka sinjale pozitive," thotë për Deutsche Wellen Marei Pelzer nga Pro Asyl. "Ministrat kanë kohë që po përpiqen t'i dëbojnë romët. Ky është një skandal nga pikëpamja e të drejtave të njeriut."

Roma në Gjakovë

Roma në Gjakovë

Ministrat e brendshëm kanë kohë që po përpiqen t'i dëbojnë romët

Skandal apo jo. Fakt është, që ajo pjesë e romëve që do të kthehen, janë pikërisht ata që nuk kanë mundur të përfitojnë nga rregulloret e vjetra, që kapnin personat e ardhur para vitit 2001 dhe që brenda kësaj kohe kanë arritur të integrohen në shoqërinë gjermane. Që romët nuk kanë arritur të krjiojnë ekzistencën e tyre të pavarur nga ndihma sociale, kjo ka të bëjë edhe me faktin, që ata janë të padëshirueshëm, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Evropës. Problemi i romëve mbetet në shkallë evropiane, konstaton avokati nga Frankfurti Reinhardt Marx. "Nuk ka instrumente ligjore mbarë-evropiane, që e rregullojnë këtë çështje. Secili vend vepron mbi bazën e ligjeve të veta. Sepse nuk kemi të bëjmë me arratisje kolektive, por me njerëz që e kanë humbur atdheun e tyre dhe që nuk kanë asnjë perspektivë në vendin ku kthehen. Por për fat të keq, sipas ligjeve kombëtare, kjo mungesë perspektive nuk shihet si shkak i mjaftueshëm për leje qendrimi," i thotë ai Deutsche Welles.

Mbetet zgjidhja individuale. Secili rom, që e kap kthimi i detyrueshëm, ka si mundësi të fundit ta zgjidhë problemin e tij me ndihmën e komisionit të rasteve të jashtëzakonshme. Kjo do të ishte shpresa e fundit, por pa garanci, sepse rekomandimet e komisionit nuk merren gjithmonë parasysh nga vendimmarrësit.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama

Audio dhe video për temën

Më shumë nga rubrika