1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çfarë është Ballkani?

Ndryshimet politike dhe ekonomike i kanë vënë vendet e Evropës Juglindore, pas shkatërrimit të sistemeve socialiste e komuniste, para sfidave të jashtëzakonshme.

Imazh simbolik për Evropën.

A kanë vendet e Ballkanit një kulturë specifike politike?

Të gjitha vendet e Ballkanit duan të marrin pjesë në proceset integruese evropiane dhe për këtë të domosdoshme janë reforma të shumta shoqërore. Ndërkohë që ndër pyetjet e para që shtrohen janë, se çfarë është në fakt Ballkani dhe a kanë këto vende një kulturë specifike politike? Në këto pyetje të enjten dhe të premten u përgjigjen shumë ekspertë që morën pjesë në konferencën e organizuar nga Shoqata për Evropën Juglindore dhe Deutsche Welle.

Logo e Shoqatës për Evropën Juglindore

Logo e Shoqatës për Evropën Juglindore

Në Ballkan ekzistojnë paragjykime të shumta. Një prej tyre është se në këtë "rajon të egër" nuk ekziston kultura politike e shkëmbimit të argumenteve, si në shtetet perëndimore. Mënjanimi i këtyre paragjykimeve ishte një prej qëllimeve kryesore për organizimin e konferencës: "Kultura politike në Evropën Juglindore - karakteristikat dhe dallimet," theksoi Sonja Schüler, zëvendëspresidente e Shoqatës për Evropën Juglindore. „Ne duam që të përballemi pikërisht me këto klishe, duke shtruar pyetjen nëse disa zhvillime me të vërtetë mund të trajtohen si karakteristikë specifike e Ballkanit dhe nëse ato janë rrjedhojë e mungesës së kulturës. Është kjo me të vërtetë specifikë e Ballkanit? Çfarë konteksti evropian kanë zhvillimet e fundit në Ballkan dhe a janë këto zhvillime të mundshme edhe në Gjermani apo vende të tjera?“

Në përpjekje për të thjeshtësuar gjërat e komplikuara, kombet shpesh përshkruhen me fjalë të përgjithshme dhe atyre u jepen karakteristika të përgjithshme. Kështu kanë lindur për shembull klishetë si "spanjollët krenarë", "austriakët e sjellshëm" apo "ballkanasit e egër". Shkencat moderne politike dhe historike po përpiqen që ta shpjegojnë pak më saktë fenomenin e kulturës politike. Si elemente të rëndësishme të kulturës politike në Ballkan trajtohen armiqësitë ndaj shtetit, mosbesimi ndaj institucioneve të shtetit dhe shoqërisë, mungesa e shtetit juridik apo krijimi prej kundërshtarëve i armiqve. Mirëpo as këtu nuk mund të jepen vlerësime të përgjithshme, thekson profesori Wolfgang Höpken, nga Universiteti i Lajpcigut. „Në Ballkan mund të gjejmë të gjitha shenjat e këtyre modeleve politike dhe kulturore. Disa modele i gjejmë edhe në vendet tjera të Evropës Juglindore, si në Itali. E kam fjalën për personalizimin e rrjeteve dhe besueshmërinë relativisht të vogël ndaj institucioneve të shtetit."

Wolfang Höpken

Wolfang Höpken - Në Ballkan mund të gjejmë të gjitha shenjat e këtyre modeleve politike dhe kulturore

Vendet e Ballkanit janë gjetur para sfidave të mëdha, në veçanti në 20 vitet e fundit, si pasojë e ndryshimeve të mëdha politike dhe ekonomike, pas shkatërrimit të sistemeve socialiste. „Kemi një bollëk të modeleve politike e kulturore që i gjejmë sot në Evropën Juglindore. Ato janë rrjedhojë e ndryshimit të sistemit komunist dhe kalimit në demokraci si dhe në ekonominë e tregut. Këto modele në Ballkan janë të ndryshme nga vendet tjera të dikurshme socialiste."

Specifikë e vendeve të Evropës Juglindore janë ndoshta jo elementet e ndara të kulturës politike, por përzierja e këtyre elementeve. Një element shumë i rëndësishëm janë elitat politike dhe ekonomike në këto vende. Sociologu nga Saksonia, Anton Sterbling, pohon se pas shkatërrimit të komunizmit në shumë prej këtyre vendeve elita ka ndryshuar pozitën. „Ekziston edhe një lloj kontinuiteti i elitave, sepse elitat e reja kanë prejardhje të njëjtë nga grupet e mëparshme si edhe elitat e vjetra. Pjesërisht kanë kaluar edhe rrugët e njëjta të ngritjes në pushtet. Ekziston pra kontinuiteti i shumëfishtë i elitave."

Të gjitha vendet e Evropës Juglindore duan të marrin pjesë në integrimet evropiane. Për këtë duhet të kryejnë reformat shoqërore dhe institucionale. Në fund të këtij procesi asgjë nuk mbetet e njëjtë si më parë, thotë Sterbling: „Gjithmonë ekzistojnë proceset e mësimit kolektiv. Në një Evropë shumë dinamike po zhvillohen proceset e migrimeve, shkëmbimeve, komunikimit dhe elementeve të tjera të rëndësishme. Dinamika e zhvillimit evropian i ofron Evropës Juglindore mundësinë e integrimit. Në këtë proces do të ndryshojë edhe hapësira evropiane, e cila pjesësisht do të ballkanizohet.“

Autor : Zoran Arbutina / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama

DW.DE

Më shumë nga rubrika

Shpërbërja e Jugosllavisë

Si e përjetuan intelektualët dhe artistët procesin e shpërbërjes?