Kursimi i energjisë elektrike të shpenzuar është tema kryesore në degën e pajisjeve elektroshtëpiake. Panairi i produkteve elektronike IFA ofron këtë vit risi interesante në këtë drejtim.
Kolltukë për celularë me altoparlant të ekspozuar në IFA 2009 në Berlin
Kursimi i energjisë elektrike në thelb nuk është temë e re: "Unë mund të paraqes reklama të viteve '30, në të cilat konsumatorët i informojnë për sasinë e shpenzimit të energjisë elektrike të një aparati dhe sa do t'i kushtojë ky përdorim konsumatorit gjithë vitin. Megjithatë është pikërisht në vitet e fundit, kur ndërgjegjia e konsumatorëve është rikthyer te kjo temë, në atë masë sa ne në zhvillimin e aparateve sot vendosim një fokus më të fortë këtu, se në dekadat e fundit, për t'i përmirësuar edhe më tej vlerat." Kështu shprehet Helmut Zailer (Sailer), shef i marketingut te firma Bosh (Bosch). Sipas të dhënave, në vitin 2000 vetëm 30% e pajisjeve të shitura elektroshtëpiake mund të klasifikoheshin si shumë efikase, përsa i përket shpenzimit të energjisë. Kurse vitin e kaluar, numri i këtyre pajisjeve arriti në 87%.
Në se konsiston ndryshimi i produkteve të reja përballë aparateve më të vjetra?
"Po të krahasosh sot një frigorifer të prodhuar 15 vjet më parë me një frigorifer të prodhuar këtë vit do të vëresh vlera të reduktimit të energjisë, që arrijnë deri në 70%. Po të marrësh një makinë larëse enësh të fillimit të viteve '70 ose '80 deri në mes të viteve '90, atëherë vlerat e kursimit të ujit të shpenzuar arrijnë në 30 deri në 40%.
Inxhinierët janë treguar shumë kreativë në gjetjen e rrugëve të kursimeve. Helmut Zailer (Sailer) e shpjegon këtë në shembullin e një makine larëse enësh: "Me anë të një sistemi sensorësh analizohet uji pas një shpëlarjeje që u bëhet enëve: sa pis është bërë uji, sa e madhe është denduria e pjesëzave. Dhe duke u bazuar në mijëra prova, janë caktuar vlera, që e komandojnë aparatin që ta përdorë apo jo edhe për një herë të dytë ujin."
Lavatriçet LG një risi botërore në IFA 2009
Lavatriçet LG në IFA 2009
Për kursimin e energjisë elektrike dhe ujit bëhet fjalë edhe te makinat larëse të rrobave, lavatriçet dhe te makinat tharëse të rrobave, të cilat janë ekspozuar në Panairin IFA. Koncerni koreanojugor LG, për shembull prezanton një risi botërore në lavatriçet. Folker Shtadler (Stadler), trajner produktesh te LG: "Lavatriçet tona bëjnë më pak zhurmë dhe janë më efektive, sepse ne kemi zhvilluar një të ashtuquajtur direct- drive- motor, motor të ngarjes së drejtpërdrejtë. Ky motor është fiksuar direkt tek centrifuga, e përcjell forcën drejtpërdrejt në centrifugë, në këtë mënyrë ne kursejmë vend dhe mund të rrisim kapacitetin."
Për të larë deri 11 kg rroba në një proces larjeje. Përveç kapacitetit të madh, lavatriçet e reja janë edhe shumë kursimtare dhe bëjnë pak zhurmë. Për një proces larjeje ato konsumojnë vetëm 7 litra ujë.
Në IFA tregohen potencialet e mëdha për kursimin e energjisë elektrike
Furrë pjekëse me avull nga firma Siemens në IFA 2009
Jo më pak impresionues janë risitë te frigoriferët, të cilët gjithnjë e më shumë prodhohen edhe me mundësinë për të marrë akull dhe pije, pa e hapur frigoriferin. Elektronika e lartë mundëson një rregullim më të mirë të zonave klimatike në frigorifer. Ndërsa një teknikë e re kompresorësh dhe materiale izolimi kujdesen që frigoriferët të dëgjohen më pak kur punojnë dhe të ofrojnë më shumë vend për ushqime.
Dietmar Mädler, menaxher produktesh te koncerni Zimens (Siemens): "Një koncept i ri ndriçimi me sistemin LED mundëson që ndriçimi të mos ketë nevojë për zevëndësim për gjithë jetën e një aparati. Ndërsa një koncept i ri i mbushjes së frigoriferit që nga tabani, me një teknikë të re ftohjeje krijon më shumë hapësirë për t'u shfrytëzuar."
Autor: Manfred Böhm / Auron Dodi
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora