Sot (02.04) grupi i 20 vendeve më të rëndësishme të industrializuara dhe në industrializim të shpejtë do të marrë në Londër vendime të rëndësishme për të forcuar në mënyrë të qëndrueshme sistemin botëror financiar.
Pjesëmarrësit e takimit të vendeve të G-20 kanë përpunuar 47 masa kundër krizës. Bëhet fjalë për më shume kontrolle dhe rregullime të tregjeve financiare.
Që prej nëntorit ata e kanë kaluar me siguri shumicën e kohës në avion, negociatorët e shteteve të G-20-ës. Sepse duhet të përpunonin një listë e gjatë: plani i veprimit, i cili u miratua në 15 nëntor në takimin e parë ndërkombëtar të nivelit të lartë për financat në Uashington përmbante 47 masa konkrete. Ato shkojnë që prej një mbikqyrjeje më të mirë, globale, deri në rregulla të reja për pagat e menaxherëve.
Një pjesë e madhe e këtyre masave, kërkoi takimi historik në kryeqytetin e SHBA, duhet të vihet në jetë deri në fund të marsit. Që prej atëherë ka pasur një turizëm të vërtetë takimesh të nivelit të lartë: Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Bashkësia Aziatikojugore e Shteteve ASEAN- janë përpjekur kudo të gjejnë përgjigje për pyetjen: ç'pamje do të ketë arkitektura e ardhshme financiare?
Direktiva është e qartë: "Ne deklarojmë që të gjitha tregjet financiare, produktet dhe pjesëmarrësit (e tregjeve financiare), edhe fondet Hedge, edhe agjencitë e klasikimit dhe ofrues të tjerë privatë duhet t'i nënshtrohen natyrisht një mbikqyrjeje dhe një rregullimi. Detajet e nevojshme për këtë duhet të përpunohen dhe të jenë pjesë e një plani veprimi". Kështu u shpreh kancelarja Merkel pas një takimi të kombeve drejtuese të industrializuara në fund të shkurtit në Berlin.
Kryeministri britanik Gordon Brown dhe kancelarja gjermane Angela Merkel në Londër. Merkel kërkon plan veprimi për të mbikqyrur tregjet financiare.
Fjalë edhe më të qarta gjeti Jean Claude Trichet. "Gjithçka duhet të ndryshojë", u shpreh shefi i Bankës Qendrore Evropiane. Sepse kriza aktuale tregon se i gjithë sistemi është i brishtë dhe jo rezistent sa duhet.
Në përputhje me këtë janë përcaktuar edhe pikat e planit të veprimit: përmirësim i transparencës dhe detyrime më të forta për llogaridhënie në tregjet financiare. Mbikqyrje më e mirë dhe rregullim i këtyre tregjeve. Për shembull autoritetet do të kenë për herë të parë të drejtë që të përcaktojnë norma minimale për kapitalin dhe qarkullimin e parave në fondet Hedge, dhe kjo në ato vende ku këto fonde veprojnë, por jo në vendet ku fondet kanë qendrën e tyre. Me këtë synohet të pengohet evazioni i këtyre fondeve në oaze pa rregullativa, si në ishujt Cayman. Pikërisht për britanikët dhe amerikanët këto janë tableta të hidhura, që u duhet të gëlltisin. Sepse në të kaluarën ata kanë buzëqeshur gjithmonë me butësi, kur të tjerët kanë tërhequr vëmendjen për rreziqet e një kapitalizmi pa fre.
Presidenti amerikan Barack Obama, me delegacionin nga Korea e Jugut në takimin e G-20 në Londër.
Por sot, ministri amerikan i financave, Timothy Geithner flet në këtë mënyrë për krizën: "Rreziqe të tilla nuk njohin kufij nacionalë. Ne duhet të kemi një vështrim shumë më të rreptë të gjërave dhe të zbatojnë rregulla të qarta loje për sistemin financiar ndërkombëtar."
Gjermania nga ana e saj bën temë rregullisht një të ashtuquajtur hartë të rrezikut. Me këtë duhet të tregohet situata e të gjithë pjesëmarrësve të tregut dhe e produkteve financiare dhe në rast rreziku, për të gjithë të ndizen drita paralajmëruese. E gjitha duhet të plotësohet, sipas mendimit të Gjermanisë, me një regjistër global të kreditit, i cili regjistron kredi që prej një shume të caktuar. Me siguri që regjistrimi i të gjitha të dhënave të nevojshme pritet të jetë një sipërmarrje jashtëzakonisht e vështirë. Por në fund të rrugës duhet të qendrojë një rirregullim i sistemit financiar botëror- dhe një hap i rëndësishëm për këtë po ndërmerret në Londër, mendon Angela Merkeli.
Në dallim nga puna e ekspertëve, i thjeshtë duket këtu roli i institucioneve financiare ndërkombëtare: kështu, Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të luajë një rol shumë më të madh në njohjen në avancë të krizave dhe të marrë 500 miliardë dollarë shtesë, të cilat do të shërbejnë për luftimin e krizës, për shembull si kredi emergjence për vende të veçanta.
Autor: Henrik Böhme / Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama