Kriza financiare ka kapur edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë eksperti i Bankës Gjermane për Rindërtim, (KfW), Kirk Mildner.
Vendet e Ballkanit kanë filluar të preken nga kriza financiare globale, konstaton Kirk Mildner, referues i Bankës Gjermane për Rindërtim. "Në përgjithësi mund të thuhet se rritja ekonomike e vitit 2009 do të jetë shumë më e ultë se ajo e 2008-ës, mesatarisht 2 përqind". Por ndryshe nga parashikimet për vendet e BE-së në Ballkan nuk pritet të ketë recesion.
Kriza nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomive kombëtare, thotë Mildner më tej. Kështu për shembull, një problem është mungesa e shumëllojshmërisë së mallrave të eksportit. "Në Serbi dhe Bosnjë kriza po prek më së shumti eksportin e metaleve. Në Shqipëri ajo do të prekë eksportin që shkon në drejtim të Italisë, e cila tashmë ka hyrë në recesion."
Sektori financiar në Shqipëri dhe Kosovë duket më i qëndrueshëm se në vendet fqinje. Kjo pasi në këto dy vende nuk ka pasur ndërlidhje të forta me tregjet globale financiare, por edhe sepse shqiptarët në përgjithësi kanë kuota të larta kursimi. Por varësia nga refinancimi i kapitalit nga jashtë, edhe këtu do të lërë gjurmë përmes pakësimit të të ardhurave të emigrantëve, që jetojnë në vendet e BE-së, parashikon eksperti gjerman.
Çdo e keqe ka edhe një të mirë. Sipas Mildnerit, kriza do të frenojë "bumin e pashëndetshëm" të kredive gjatë viteve të fundit: "Ka pasur tendenca të rrezikshme në Kroaci dhe Mal të Zi, ku vëllimi i kredidhënies në 2007 ishte dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Pra, nuk është keq që kjo rritje e vëllimit të kredive tani po bie". E njëjta vlen edhe për sektorin e ndërtimeve, që pothuajse në të gjitha vendet ka pasur një bum të jashtëzakonshëm.
Qeverive të vendeve të Ballkanit u dalin një sërë detyrash përpara, realizimi i të cilave në kushtet e krizës globale bëhet edhe më i vështirë. "Ato duhet të vazhdojnë me reformat strukturore dhe reformën e sektorit publik. Administrata shtetërore duhet të jetë më transparente dhe eficiente. Duhet të përmirësohen kornizat ligjore për lehtësimin e biznesit privat, të zvogëlohet burokracia dhe të përmirësohet infrastruktura", numëron ekonomisti nga Frankfurti.
Banka Gjermane për Rindërtim, e cila vepron për llogari të qeverisë gjermane, do të vazhdojë t'i ndihmojë këto vende edhe në vitin 2009. Shuma e projekteve për Evropën Lindore dhe Juglindore këtë vit është 1,1 miliardë euro. Ajo përqendrohet në nxitjen e biznesit të vogël përmes bankave ProCredit dhe përmirësimin e strukturës ekonomike me anë të Fondit të Evropës Juglindore me seli në Luksemburg. Gjithashtu, Banka Gjermane për Rindërtim financon edhe një sërë projektesh në sektorin e energjetikës dhe të infrastrukturës komunale. (aca)