Ditët e fundit kemi marrë këto letra nga lexuesit:
"E lexova intervistën e ish-ambasadorit gjerman në Shqipëri në vitet 87'-90', Mr. Werner Daum, e si në një film pa ngjyra m'u kujtuan të gjitha ato ditë të mrekullushme të thyerjes së heshtjes e të guximit të një populli të shumëvuajtur për të sfiduar diktaturen më të egër, që na mori rininë, na vrau shpresen, na uli dinjitetin, na nëpërkëmbi si asnjë tjetër popull i Evropës. Çdo iluzion për atë sistem asht një marrëzi. Por sfidat për shqiptaret nuk kanë të sosur, e ardhmja jonë në Evropë asht,...fatkeqsisht ende shumë larg, shumë larg,...mjerisht," shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.
"Mendoj se hapja e dosjeve të sigurimit në Shqipëri duhet bërë e plotë. Sot, megjithëse kanë kaluar 20 vjet nga rënia e regjimit komunist, askush nuk është i qartë se në cilat përmasa ka qenë rrjeti i sigurimit shqiptar. Spiunimi si ves dhe si akt është shumë i poshtër dhe një shoqëri që dëshiron të ecë përpara në rrugën e prosperitetit së paku duhet ta luftojë. Lufta më e mirë është që të hapen dosjet, që së paku njerëzit ta njohin njeri tjetrin dhe kontigjentet e spiunëve dhe të pinjollëve të tyre të mos kenë mundësi që të debutojnë me një "kapital" kaq të fëlliqët, veprim që aktualisht po ndodh në Shqipëri. Ky është dhe detyrimi minimal ndaj viktimave të kësaj veprimtarie që së paku të mësojnë se kush ishte instrumeti dhe personat, që u mori jetën dhe u shkaktoi këto vuajtje të tmerrshme," shkruan Rudin Deda nga Shqipëria.
Edhe një fakt, si të gjithë marksistët edhe Titoja nuk ka qenë aq i shkolluar. Ai nuk ka patur fakultetin e kryer dhe siç dihet pushtetin e ka mbajtuar me shantazhe, frikë, kanosje, likuidime, burgosje, internime etj,etj. Pra në mënyrë jodemokratike por në mënyrë të dhunshme. Sa për shqiptarëët i ka shtypur patriotët dhe i ka shpërblyer antikombëtarët," shkruan Ramadan Bajrami nga Maqedonia.
Hapja e dosjeve sekrete të komunizmit në Shqipëri tani është e vështirë sepse plagët e lëna prej tyre janë shumë tëë thella por me kohë është mirë që edhe shqiptarët më së fundi ta dinë se çfarë na kanë punuar, shkruan Agroni nga Italia.
Mua më pëlqen që dikush po shkruan për hallet e të diplomuarve në IRJM, sepse dhe vetë jam si këta pak të anketuar. Por, ne jemi shumë, jemi me qindra ndoshta edhe mijëra të diplomuar shqiptarë që jemi detyruar bile edhe të shpërngulemi (emigrojmë) në vende të ndryshme të Evropës dhe botës nga pamundësia e punësimit dhe unë personalisht nga arsyeja që fëmijët e mi të kenë një jetë më të mirë se unë dhe të paktën, kur të kryejnë studime të mos mendojnë emigrimin, si babai i tyre. Unë erdha para shumë viteve në Danimarkë për mungesë punësimi dhe mundësie për një jetë normale. Unë personalisht njoh edhe shumë të tjerë që kanë diplomuar në universitetet tona me mesatare 10, por nga shumë përpjekje për punësim më në fund është dorëzuar. Dhe tani meqë është femër ka vendosur për shembull të vejë shami në kokë dhe t`i kthehet lutjeve te zoti për një jetë dhe mirëqenie fetare...ky është rezultat i politikanëve të korruptuar dhe mafiozëve," shkruan Imer Memishi nga Danimarka.
"Kosova është shtet laik dhe në një shtet të tillë rreziku më i madh vjen nga feja, sidomos nga mungesa e tolerancës së islamistëve. Shikoni përshembull Iranin," shkruan Shaqiri nga Austria.
"Po ju shkruaj për një temë që është shumë aktuale tek ne në Kosovë. Gruaja e fshatit s'ka me çfarë të merret dhe s'ka si t'i tregojë aftësitë e saj. Arsyeja e mosinteresimit të shoqërisë por edhe instancave qeveritare për ta inkuadruar, e bënë edhe më të pa gojë gruan e fshatit në Kosovë. Kjo është mjaft brengosje, ato janë gjeneratat më të prekura të viteve të fundit, i humbën të gjitha shkollimin e tutje. Mbes me shpresë që një ditë të hapen shkolla edhe për to, qoftë edhe shkolla zejesh, sepse vërtetë gratë e fshatrave të Kosovës po mbesin të distancuara nga koha," shkruan Fatimja.
Unë jam plotësisht dakord me hapjen e dosjeve në Shqipëri. Hapja e dosjeve të ish sigurimit të shtetit , do të bëjë të mundur pastrimin e shoqërise shqiptare nga ish sigurimsat e shtetit. Por nga ana tjetër do të thosha se hapja e dosjeve duhet të shoqërohet edhe me diferencimin e fajit për gjithsecilin. Nuk ka shumë rëndësi të dënohen ata që kane spiunuar, por më shumë rëndëësi ka që të mos u lejohet te jenë në nivele drejtuese të vendit .. !! shkruan Partizan Cene nga Greqia.
"Dhuna ndaj grave në Shqipëri është një gjë që edhe sot vazhdon, por mund të ndalohet," shkruan Ana Dervishi nga Shqipëria.
"Si shkon korrupsioni në një shtet tregon se si është jetesa aty. Konkretisht unë them që në krahasim me vitet e para 2005-ës është bërë një ndryshim shumë i madh sepse në këtë pikë ndikon edhe rritja e pagave nga qeveria e shtetit shqiptar për administratën në të gjitha rangjet e saj. Fakt, i cili vërtetohet më se qartazi dhe në rast se do ketë rritj pagash sipas pretendimeve të bera atëherë edhe shkalla e korrupsionit do të jetë gjithnjë në ulje. Por unë mendoj se është një klimë krejt e ndryshme sot në krahasim me vitet para 2005-ës ku që të të kryhej një shërbim duhej të paguaje. Ka ende punë për të bërë por unë mendoj se me finalizimin e masave të marra, për hir të së vërtetës duhet kohë për përfundimin e tyre, do të ketë një jetesë shumë herë më të këndshme në Shqipëri," shkruan Erald Gaspri nga Shqipëria.
Gani Ademi nga Shqipëria e quan padrejtësi faktin që shqiptarët dhe boshnjakët nuk marrin të drejtën e lëvizjes së lirë, kurse serbët e marrin.
"Mendimi im është që sa më shpejtë që të hapen dosjet aq më shpejt do të ecë procesi demokrat sepse ka ende shumë politikanë që drejtojnë institucione të larta të vendit, parti politike etj., dhe hiqen sikur janë shenjtorë kur duar i kane me gjakun e populli. Figurat duhet të pastrohen, " shkruan Nosh Vukaj nga USA.
Në 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, më vjen në kujtesë ajo kohë që për ne shqiptarët, ka përmasat e një ndryshimi epokal. Pothuajse çdo popull ka mure përpara vetes , që ose duhet t'i shembë ose duhet t'i kapërcejë. Por ne, shqiptarët e kishim murin tonë deri në qiell dhe as diellin nuk e shikonim. Personalisht e kam përjetuar rënien e murit, në datat 20 deri me 30 Tetor 1989, në Drezden e Berlin, gjatë një shërbimi pune. Ishte hera e parë, që kaloja kufirin shtetëror e fati e deshi të gjendem në ish RDGJ-në. Më dukej Gjermania Lindore parajsë në krahasim me ferrin ku jetonim ne në atë kohë. Nuk kuptonim ç'është bota e lirë, ç'është demokracia e kur partnerët gjermanolindorë ankoheshin, ne mendonim për vendin tonë që vuante në agonin e vet. Duke lexuar shkrimin " 9 Nentori-Dita----" kuptoj se populli gjerman ka në çdo kohe vetëdijen për të shembur muret që historia e tij ia ka vënë përpara, siç mund të jetë edhe sfida e bashkimit. Mirenjohje këtij populli të paepur. " shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.
Kancelarja Angela Merkel, që u zgjodh në mandatin e dyte është pa dyshim, rast unikal, bashkë me Presidentin Obama, që duke qenë njerëz të thjeshtë e pa mbështetje të qarqeve të larta, me punë e përkushtim arrijnë deri në majën e suksesit. Ata janë shembull frymëzimi për njerëz të zakonshëm, që tregon se çfarë arrihet me punë e përkushtim. Angela Merkel do të jetë e suksesshme edhe në këtë mandat të dytë dhe shpresoj se do të mbështesë edhe Shqipërinë drejt antarësimit në BE.", shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.
Mendoj se në Shqipëri liria e gazetarëve është e tepruar, sepse gazetarët janë të shitur në partitëë politike dhe nuk shkruajnë realitetin, por vetëm shpifin çfarë t`u thonë eprorët, prandaj njerëzit nuk i blejnë më sepse i kuptuan se çfarë janë," shkruan Niko nga Shqipëria.
Thilo Sarrazin -"Me numrin e lartë të lindjeve turqit po e pushtojnë Gjermaninë si kosovarët Kosovën" - Z. Sarrazin duket se nuk e ka lexuar mirë historinë. .... Kushtetuta e Gjermanisë thotë se "Gjermania nuk është vend Imigrimi" pra edhe ligjet dhe politika nuk e kanë favorizuar integrimin e Imigrantëve. Politika ndaj imigrantëve nuk është selektive dhe elastike. Sistemi duhet të ndryshoje duke ju prerë rrugen abuzuesve dhe ju hapur rrugën atyre që duan vërtetë të ndryshojnë vetveten dhe të çojnë përpara Gjermaninë," shkruan Shyqyri Bushati nga USA.
"Rënia e Murit te Berlinit ndikoi shumë tek disidenca shqiptare që vazhdoi të mbushë rruget me parrulla e trakte për përmbysjen e shpejtë të sistemit të diktaturës komunisto - enveriste," shkruan ndër të tjera Davidi nga Shqipëria.
"Kam lindur në dhjetor të 1973, personalisht nuk kam qenë i përndjekur as unë dhe asnjë nga familja ime, as ndonjë nga fisi im. Nëna ime ka qenë antëare e Partisë së Punës dhe ka punuar në disa institucione shtetërore në Krujë dhe në Shkodër, dhe mendoj se nuk ka qenë pjesëtare e Sigurimit të shtetit. Mendoj se personat që kanë persekutuar dhe kanë abuzuar me pushtetin në vitet e regjimit komunist nuk duhet të kenë poste drejtuese dhe vendimmarrëse në institucionet shtetërore, përfshi dhe ato gjyqësore. Mendoj se është një detyrë e shtetit të rehabilitojë figura që janë mëkëmbur gjatë regjimit komunist, por edhe në këto 20 vjet demokraci tranzitore. Gjithashtu familjet e përndjekura kanë të drejtë të dinë fatin, të vërtetat lidhur me të dashurit e tyre të vrarë pa gjyqe ose pseudogjyqe fallso nën pushtetin komunist e diktatorial. Me pak fjalë, mendoj se dosjet duhet të hapen për të gjithë jo vetëm për një pjesë të ish nomenklaturës komuniste. Përgëzimet e mia për punën që keni bërë në këto 20 vjet tranzicion, përcjelljen e ngjarjeve që ka kaluar vendi im," shkruan Dritan Tahiri nga Italia.
Rasti i virusit të derrit, po nxjer në pah edhe sofizma të reja.P.Sh. kjo vaksinë nxitet nga prodhusit e saj, per fitime. Sa e vërtetë është kjo ide? Askush deri tani nuk flet me garanci." shkruan Ligor Luarasi nga SHBA.
Spiunët me dosje bashkëpunimi me komunizmin në Shqipëri, si pasojë e mbrojtjes nga pushteti i "Katovicës"janë hedhur në një sulm agresiv kundra shtetit të së drejtës, demokracisë së vërtetë dhe personave që e mbështesin demokracinë e vërtetë. Spiunët e komunizmit janë themeluesit e të gjitha trafiqeve ilegale si prostitucion, qëniet njerëzore, drogë, armë, fallsifikime të të gjitha llojeve." Spiunet e komunizmit duke përfituar nga refuzimi i hapjes se dosjeve, arrijnë deri aty sa akuzojnë të paimplikuarit si "spiunë."
"Si mund të dënohem krimet e komunizmit, kur kriminelët merren në mbrojtje direkte ose indirekte? Kur kryediktatorit dhe familjes se tij i njihen dhe i paguhen nga taksapaguesit të gjitha privilegjet e kohës së diktaturës? Kur viktimave reale të persekutuar si kundërshtarë të diktaturës nuk i njihet asnjë e drejtë? Kush i mbron persekutorët...?" shkruan Tini nga Shqipëria.
"Nëse i referohesh të shkuarës dhe të tashmes në Shqipëri, për politikën shqiptare jo vetëm që bie hije dyshimi por dhe është faktuar deri më sot, se e vërteta e mostres kriminale të diktatures komunisto - enveriste nuk do të zbardhet kurrë për sa kohë të jenë prezent përkëdhelitë nga jashtë në riciklimin e pistë e të pameritueshëm të persekutorëve e bashkëpuntorëve në krimet makabre të bëra ndër vite, në parlament, qeveri, apo tek gjyqësori që të marra së bashku drejtojnë bukur mirë botën e korrupsionit e të krimit në të katër pushtetet në Shqipëri. Vetëm kur shqiptarët të pastrojnë mbetjet e korruptuara e të lidhura me botën e krimit të diktaturës komunisto-enveriste nga politika, vetëm atëherë shqiptarët do të shijojnë shtetin e së drejtës, e krimet e diktatures do të zbardheshin përfundimisht," shkruan Patrioti nga Shqipëria.
Mendoj se në Shqipëri edhe sistemi i ri zgjedhor do të nxjerrë ndonjë "kleçkë", pasi po të shikosh se si po bëhet fushata e zgjedhjeve të lind dyshimi se jo sistemi që ka qenë, jo ky që është në fuqi tani, por çdo lloj sistemi do t'i gjehen mënyrat për ta deformuar. Dhe logjika është e qartë se asnjë parti, mendoj për PD dhe PS, pasi të voglat dalin nga loja me këtë sistem, nuk është e gatshme të pranojë në mënyrë demokratike humbjen. Them humbjen, sepse në Shqipëri kurrë nuk ka patur të fituar, por të humbur dhe pushteti i ka mbetur atij që nuk humbet. Sa për ligjin e ri, unë e shikoj se është jo demokratik. Jo demokratik pasi i shtyn zgjedhësit të votojnë për partinë pa i njohur deputetët e ardhshëm. Më mire duhet thënë që të votojnë për kryetarët e partive, të cilët kanë bërë listat jo sipas aftësive të deputeteve por sipas besnikërisë së tyre ndaj kryetarit. Kjo le jashtë lojës edhe gratë, që "burrat" e parlamentit të sotëm u kanë caktuar kufirin 30 përqind grave, sikur këta burra ta kishin pronë parlamentin. Dhe po t`i shqyrtosh listat shikon se janë formuluar në mënyrë të tillë që jo 30 përqind po rrezik as 15 përqind e parlamentit të ri nuk do të jenë gra. Për mendimin tim sistemi rajonal - proporcional nuk është demokratik, kurse ai maxhoritar është me demokratik pasi ve në garë tamam njeriun që pretendon të përfaqësojë popullin në parlament. Sistemi rajonal - proporcional është gara e KRYETAREVE, e NJESHIT, i cili kthehet që në momentin e hartimit të listave në një autoritar totalist. Megjithatë uroj që keto zgjedhje të bëhen sa më korrekte pasi populli është lodhur me fytyrat e poltikanëve shqiptarë, të cilët hyjnë pa histori në jetën e politikës, e kanë bërë një histori aspak të mirë në këto 18 vjet," shkruan nga Shqipëria Vlora Kanina.
"Kam një kritikë mbi përdorimin sinonim të koncepteve "islam" dhe "islamizëm" nga mediat. Sepse termi i parë "islam" është emërtimi i një feje, ndërkohë që "islamizëm" nënkupton një ideologji politike," shkruan Valbona Myteveli nga Gjermania.
Artikulli mbi gripin e derrave, mu duk informacion interesant, meqenëse i përkas fushës së veterinarisë. Mendoj se me zhvillimet që ka sot bota në drejtim të njohjes, parandalimit dhe mjekimit të shumë sëmundjeve nuk lejojnë të përsëriten pandemitë e Spanjës apo të vitit 1968, " shkruan Mark Preci nga Shqipëria.
Mund të quhen Oaze të taksave, por për mendimin tim ato vende që kanë nivel taksash të larta duhet të quhen Grabitëse të taksave. Kur ekzistojnë vende me taksa të ulëta dhe në nivel mjaft të kënaqshëm për njerëzit e THJESHTE, përse duhet të ketë vende me nivele taksash si në Gjermani, ku njerëzit mezi presin t`ia mbathin që andej? Përse nuk kujdesen qeveritë gjermane që t`i ulin, pra të shkojnë drejt zbutjes së nivelit të taksave për popullsinë, po merren me vende që kanë një jetë të tërë me nivel të ulët taksash e u kërkojnë që t`i ngrenë? Ç`punë kanë xhanëm gjermanët apo Ministri gjerman i Financave, se sa para paguajnë zviceranët në vendin e tyre. Ështe ai që duhet t`i ruajë paratë e Gjermanisë, e jo Zvicra." shkruan Vlora Kanina nga Shqipëria.
"Mendoj se hapja e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit duhet bërë patjetër në përputhje me ligjin ku ky i fundit të jetë i zbatueshëm konkretisht dhe jo vetëm ideologji politike e momentit. Nëse arrihet të realizohet ky veprim do të jetë vetëm fillimi." shkruan Dinora Alimeta nga Shqipëria.
Me vizitën e z. Karamanlis shpresoj, që marrëdhëniet mes dy shteteve të forcohen dhe më shumë. Unë jam me origjine çame. Ka ardhur koha qe problemi çam si dhe ai i shqiptarëve që kanë pasuri në territorin grek të rishikohen duke pasur parasysh dhe zhvillimet e fundit si antarësimi në Nato," shkruan Agron Hoxha nga Italia.
"Nuk mendoj se Gjykata e Hagës do të marrë një vendim, që shkon në kundërshtim me vullnetin dhe interesat e popullit të Kosovës. Historia nuk shkon prapa." shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.
"Kam rastin të lexoj mbi të kaluarën e sigurimit komunist në Evropën lindore. Mendimi im është që të hapen sa më shpejt dosjet dhe populli të ecë përpara, mos të numërojë në vend me një të kalur shumë të hidhur, " shkruan Dede Nikolla nga Shqipëria.
Pavarësisht nga imazhi që thonë se ky kanun jep para Europës, Kanuni i Lekë Dukagjinit është ligji që u krijua nga një përfaqësues i popullit tonë dhe u mbajt për 500 vjet dhe do të mbahet se ka rrënjët në popull. Kritiku i filmave dokumentarë Hans Messias shkruan "Një botë e pakuptueshme për perëndimorët ". Zoti Hans, kjo lloj bote e mbajti popullin tim gjallë dhe pa u asimilue nga sundimi Otoman. Kisha diçka për të thënë: "Unë jam një mysliman dhe nuk i kam bërë kurrë ligjet e myslimanizmit (Jo vetëm unë, por as Babai dhe as Gjyshi.....), kurse ligjin e Lekë Dukagjinit e kam të rrënjosur në gjak, do të thoni ju pse sepse është ligji i popullit tim dhe e respektoj, jo vetëm atë por edhe ligjet që vendosen në sobën (dhomën) e burrave dhe sa për ligjet e tjera që i bjen era siç i ka sjell i heq (si ligjet otomane edhe edhe.....). Ju falenderoj dhe i lutem Evropës të akceptojë popullin tim me këto ligje që ka se ato e mbajtën gjallë deri sot." shkruan Arben Kortoçi, Düsseldorf , Gjermani.
"Liria dhe të Drejtat e Njeriut nuk duhen mbetur në kuadrin e individit, por duhet të punohet me ndershmëri që liria dhe të drejtat e njeriut të bëhen pronë e popujve," shkruan Petriti nga Danimarka.
"Unë mendoj se Sllovenia dhe Kroacia kanë vetëm një problem shumë të vogël me njëri tjetrin dhe mund ta zgjidhin atë me pak përkushtim të të dy vendeve. Nëse e krahasojmë me Kosovën dhe Serbinë, nëse Serbia hyn në BE para se të njohë kufijtë dhe shtetin e Kosovës, atëherë kam përshtypjen se Kosova do të mbetet me shekuj jashtë Bashkimit Evropian," shkruan Skënderi nga Gjermania.
Në artikullin "Evropa duhet të bëj kujdes - Përndryshe nuk evropianizon Evropa Ballkanin, por Ballkani Evropën" bëhet e qartë se Evropa duhet të ngrejë murin akoma më shumë jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe për Greqinë, gjë për të cilën unë arsyetoj se është e gabuar. Duke mbajtur larg këto vende dhe vënë kushte, që vende si Shqipëria zor se mund t`i plotësojnë, në këto vende lulëzon më tepër korrupsioni, papunësia d.m.th zhvillimi normal. Kemi vite që po na çmendin plotësimet e standarteve, për ditë dalin standarte të ndryshme, të reja. Ka arsye sa të duash që këto vende të mos bashkohen me Evropën, por problemi qëndron si dhe kur Evropa do të bëhet pak me fleksibël, siç veproi me vendet Balltike, vende të cilat po ashtu nuk i plotësonin kushtet në ato kohë, por arsyet politike vendosen për pranimin e tyre në BE. Sa më larg të mbajë Evropa vendet e Ballkanit, aq më shumë probleme do të ketë, sepse klasa politike e këtyre vendeve është copë - copë. Mjerë popujt." - shkruan një dëgjues nga Shqipëria.
"Greqia ka përfituar shumë ekonomikisht mbas Luftës së Dytë Botërore, nga Anglia dhe Amerika dhe më vonë nga tregu i përbashkët Evropian, për faktin e vetëm se nuk duhej që të binte në duart e komunistëve. Prej kësaj ndihme, Greqia ka këtë imazh të cilin s`e ka merituar. Në Greqi nuk ka demokraci, ka një administratë të pakualifikuar dhe partiake, qeveria ndjek politik dhe mendësi të kaluara kohe, si brenda vendit por edhe në rajon, ka një polici të korruptuar, ka nje opinion publik të prapambetur dhe rracist...," shkruan Kocka nga Amerika.