1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonasit protestojnë kundër rritjes së çmimeve

Fatos Musliu / Shkup24 Gusht 2012

Shtrenjtimet e vazhdueshme të rrymës, ngrohjes, derivateve të naftës dhe një sërë produktesh ushqimore, kanë ndezur alarmin social në Maqedoni. Në shumë qytete të Maqedonisë po organizohen protesta kundër shtrenjtimeve.

https://p.dw.com/p/15w27
Pamje nga Ohri
Fotografi: Milco Jovanoski

Rritja e çmimeve godet në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët , sidomos pjesën e të papunëve që nuk mund të përballojnë këto shtrenjtime. Grupet më të prekura sociale kanë formuar shoqatën “Aman” e cila ka filluar organizimin e protestave në të gjitha qytetet e Maqedonisë kundër valës më të re të shtrenjtimeve. Sipas tyre një pjesë e madhe e familjarëve në Maqedoni kanë rënë në varfëri të skajshme. Kjo shoqatë gjatë protestave ka dalë me kërkesa konkrete para Komisionit Rregullator, institucion ky i cili merr vendime për çmimet e rrymës elektrike dhe derivateve të naftës.

“Kërkojmë kthimin e tarifës së lirë të rrymës, të kthehet pagesa për ngrohje si në vitin 2008, të bëhet zbritja e derivateve të naftës në përputhje me standardin jetësor në Maqedoni”, shprehet Aleksandar Goçev, një nga organizatorët e protestave.

Qytetarët frikësohen nga rënia e standardit të jetesës

Rritja e çmimeve në Maqedoni rrezikon shtresat më të dobëta ekonomikisht
Rritja e çmimeve në Maqedoni rrezikon shtresat më të dobëta ekonomikishtFotografi: Petr Stojanovski

Pjesëmarrësit në protesta thonë se me të ardhurat e tyre nuk arrijnë më t'i paguajnë komunaljet, ndërsa janë të shqetësuar edhe më tepër për valën e re të shtrenjtimeve të produkteve ushqimore.

“I përkrah protestat sepse ato kanë karakter social, kundër shtrenjtimit të rrymës, kundër varfërise, kundër rënies së standardit të jetesës. Ne duam një jetë më dinjitoze për të gjitha shtresat, të mos bëhet dallimi mes të varfërve dhe të pasurve”.

“Unë jam pensioniste dhe nëse duhet të ushqehem nuk mund t'i paguaj detyrimet ndaj shtetit. Nëse i paguaj atëherë nuk kam me çfarë të ushqehem”, shprehen disa nga qytetarët pjesëmarrës në protesta.

Qeveria duhet t'i japë fund privatizimit të sektorit energjetik, të investojë në energji diellore, gjeotermale dhe të marrë në konsideratë alternativa tjera më të cilat do të parandalohej rritja e çmimit të energjisë elektrike, kërkojnë qytetarët.

“Ne jemi kundër pasurimit të korporatave në kurriz të qytetarëve. Komisioni rregullator duhet të ketë parasysh interesat e qytetarëve e jo të kompanive që merren me prodhimin dhe shitjen e energjisë elektrike dhe derivateve të naftës”, thotë Aleksandar Goçev nga shoqata “Aman”.

Kryeministri akuzon opozitën

Protestave po i bashkangjiten gjithnjë e më shumë qytetarë dhe e gjitha po merr përmasa të një revolte sociale. Kryeministri i vendit ka bërë përgjegjës opozitën për nxitjen e tyre.

“Qeveria nuk e përcakton as çmimin e derivateve të naftës e as të rrymës dhe ngrohjes, çmimi është në kompetencë të Komisionit rregullator.Vlerësoj se protestat janë të inicuara nga partia opozitare LSDM e cila po tenton të keqpërdorë revoltën e e tyre për përfitimin e pikëve politike”, shpreher kryeministri Nikolla Gruevski.

Organizatorët e protestave kanë paralajmëruar se nëse nuk bëhet ulja e çmimeve të rrymës elektrike dhe derivateve të naftës, ata do të shqyrtojnë edhe mundësinë për t'u bërë thirrje qytetarëve të mos i përgjigjen obligimeve financiare ndaj shtetit.